UNGJILLI SIPAS JOANIT
Jisui u tha atyre: Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë, nuk do të ketë uri; dhe kush beson tek unë, nuk do të ketë kurrë etje. Por, unë ju thashë: Ju më patë, e megjithatë nuk besoni!
Të gjithë ata, që më jep Ati, do të vijnë tek unë; dhe atë, që vjen tek Unë, nuk do të nxjerr jashtë; sepse kam zbritur nga qielli, jo për të bërë dëshirën time, por dëshirën e Atij, që më ka dërguar. Dhe dëshira e Atit tim, që më dërgoi është kjo: që unë të mos humbas asnjë nga ata, që më ka dhënë Ai; por, t’i ngjall ata ditën e fundit. Sepse kjo është dëshira e Atit tim; që kushdo, që sheh Birin dhe beson tek Ai, të ketë jetë të amëshuar; dhe Unë ta ngjall në ditën e fundit. Joani 6:35-40
Ky është nxënësi, që dëshmon për këto dhe, që i shkroi këto; dhe ne e dimë, se dëshmia e tij është e vërtetë. (Joani 21:24)
Apostulli dhe ungjillori Joan ka qenë një nga të katër peshkatarët, që Zoti i ftoi të parët në detyrën Apostolike. I ati i tij, Zevedheu, dhe e ëma, Saloma, qenë njerëz shpresëtarë, sidomos Saloma, e cila përkushtimin e saj ua përçoi edhe fëmijëve të vet. Prandaj, sapo Pararendësi Joan filloi të predikojë në shkretëtirë, Joani u bë nxënës i tij deri në çastin kur Pararendësi i paraqiti Jisuin.
Nëna e tij, Saloma, u konsiderua nga disa, se ka qenë motër e Hyjlindëses dhe për pasojë, Joani dilte të ishte kushëri i parë i Zotit. Mirëpo, me sa kuptohet nga të dhënat e Ungjillit, nuk del që Joani ta ketë njohur Zotin para rekomandimit që iu bë Atij nga Pararendësi pak kohë pas pagëzimit të Tij (Joani 1:35-39).
Kur ungjillori Joan u bë nxënës i Zotit, qe bashkë me të vëllain, Jakovin dhe me Petrin, treshja e nxënësve të Zotit, të cilët Ai i mori me vete në ngjalljen e bijës së Jairit, në Metamorfozën në malin Tabor, ashtu edhe gjatë lutjes së ankthshme në kopshtin e Gjethsemanisë. Joani ishte nxënësi që Jisui e donte. Për zellin e tyre të madh dhe për dashurinë e shumtë, që tregonin për Zotin, ai dhe i vëllai, Jakovi, u quajtën nga Zoti “voanergjes”, që do të thotë bij të bubullimës.
Joani qe i vetmi nga të dymbëdhjetë nxënësit, që e ndoqi pas Jisuin deri te Kryqi. Pati madje dhe nderin, që Zoti t’i besonte atij Nënën e vet, duke i thënë: “Ja, nëna jote” (Joani 19:27).
I internuar nga Perandori Domician në ishullin Patmos, pa atje Zbulesën (Apokalipsin). Pas vdekjes së apostull Pavlit dhe prishjes së Jerusalemit, u vendos në Efes, ku shkroi dhe Ungjillin e tij rreth viteve 85-95 pas Krishtit.
Sipas Shën Jeronimit, Joani arriti pleqëri të thellë dhe meqë nuk ishte më në gjendje t’i mësonte gjerë e gjatë besimtarët, kufizohej të përsëriste vazhdimisht frazën “Bij, duajeni njëri-tjetrin”.
Përkthyen e përgatitën:
Dh. Beduli, Th. Qendro