SHKAKTARET
Eshtë sëmundje e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes. Ka natyrë infektive dhe shkaktohet nga mikrobe, si pneumokoku, stafilokoku, si dhe nga viruse e myke. Shpesh vjen si pasojë e një gripi ose pas kalimit të një sëmundjeje tjetër infektive. Eshtë mjaft e shpeshtë tek fëmijët, sidomos në vitet e para të jetës. Sa më i vogël të jetë fëmija, aq më i prekshëm është e aq’ më rëndë e kalon sëmundjen, sepse forcat mbrojtëse (imunobiologjike) tek fëmijët e vegjël nuk janë formuar plotësisht. Takohet më shpesh në stinët e ftohta dhe me lagështirë.
Sëmundjen e favorizojnë edhe kushtet jo të mira të mjedisit, si: higjiena e pakët, ajrosja e mangët, ngrohja e çrregullt me ndryshime të temperaturave, ftohja e trupit, të ushqyerit jo të rregullt. Të predispozuar janë fëmijët që vuajnë nga rakiti dhe distrofia, si dhe ata që janë pastozë.
ZHVILLIMI I SEMUNDJES
Bronkopneumonia te fëmijët e vegjël, sidomos në ata të moshës së gjirit, në fillim shfaqet me shenja të përgjithëshme: fëmija grindet, i çrregullohet gjumi, ka mungesë oreksi, rrjedhje të sekrecioneve nga hundët, pak kollë dhe temperature jo të lartë. Më pas sëmundja gradualisht kalon në shenja të plota. Temperatura rritet, kolla shtohet e shpesh shoqërohet me bark e të vjella. Në rast se mjekimi s’fillon në kohë, rëndohet gjendja e përgjithshme: vështirësohet frymëmarrja (që fëmija të ngopet me frymë, vë në lëvizje gjithë muskujt e kraharorit), duket i lodhur, i zbehtë, buzët, i rrethohen me një rreth blu nga mosoksigjenimi i mirë i gjakut, sytë i rrethohen me rreth të zi. Në këto raste shtrimi në spital është i domosdoshëm për një trajtim më të kualifikuar.
KUJDESI PER FEMIJET E SEMURE
Kur fëmija mjekohet në shtëpi, duhet të vihet nën një kujdes të veçantë dhe mjekimi të bëhet i rregullt, duke zbatuar me përpikmëri këshillat e mjekut. Të krijohen kushte të mira të mjedisit. Dhoma të jetë e ndriçuar për të kontrolluar gjendjen e fëmijës, të ajroset herë pas here, temperatura e dhomës të jetë 18-20 gradë, të lagështohet ajri me aerozol ose duke vendosur një enë me ujë që zien. Dhoma të pastrohet pa ngritur pluhur. Banjat e përgjithshme me ujë të ngrohtë të mos i ndërpriten fëmijës. Higjiena e fytyrës, duarve dhe organeve të jashtëqitjes të jetë e mirë. Ushqimi të jepet në sasi e me cilësi, sipas moshës dhe i pasur në vitamina. Veshja të jetë e ngrohtë, e lehtë, e lirshme dhe të mos formojë pala nën trupin e fëmijës. Fëmijës t’i ndryshohet pozicioni në krevat dhe herë pas here të mbahet në krah.
MJEKIMI
Në mjekimin e bronkopneumonisë vendin kryesor e zënë antibiotikët. Mirë është, që më parë të bëhet antibiograma, të izolohet mikrobi, që e ka shkaktuar dhe të gjendet antibiotiku që vepron më mirë, por kjo kërkon kohë.
Mjekimi mbështetet në gjendjen e përgjithshme të fëmijës, në shenjat klinike, në moshën dhe rëndësinë e sëmundjes. Sot antibiotikët, që janë të shumtë dhe me veprim të gjërë, shpesh përdoren të kombinuar. Në bronkopneumoninë me origjinë mikotike përdoren suposte paracetamol e medikamente për zbutjen e kollës dhe lirimin e hundëve. Të domosdoshme janë vitaminat C dhe kompleksi i vitaminave B. Te fëmijët rakitikë të aplikohet vitamina D. Fëmija duhet të kontrollohet çdo dy ditë nga mjeku pediatër.
Bronkopneumonia është sëmundje krejtësisht e shërueshme, por duhet të bëhet kujdes, sepse mund të përsëritet ose të lërë komplikacione, si në organet e frymëmarrjes, ashtu dhe në organe të tjera, si: infeksione të veshit ose të rrugëve urinare.
MASAT PARANDALUESE MBROJTESE
Fëmija të mos mbahet në mjedise ku ka të sëmurë me bronkopneumoni ose sëmundje të tjera infektive. Fëmijët e sëmurë me rrufë, grip ose sëmundje infektive duhet të mjekohen me kujdes. Të kujdesemi, që hundët e fëmijës së vogël të jenë gjithmonë të lira, duke përdorur solucion fiziologjik me pika. Por te fëmijët e gjirit asnjëherë nuk duhet të përdoren solucione vajore, mbasi vetë ato bëhen shkak për fillimin e bronkopneumonisë. Të tregohet kujdes për higjenën e mjedisit, të trupit, për ushqimin e fëmijës, si dhe për vitaminizimin.
Rëndësi ka dhe kalitja e fëmijës. Kujdesi për kalitjen e tij fillon që ditët e para të lindjes. Fëmijën e porsalindur duhet ta veshim me rroba të përshtatshme dhe asnjëherë të mos e lidhim apo ta mbështjellim. Duart dhe këmbët t’i ketë të lira. Banjat me ujë të ngrohtë të të gjithë trupit të jenë të përditshme mbas rënies së kërthizës. Të dobishme janë banjat e ajrit, që zakonisht bëhen para banjës me ujë. Për këtë fëmija zhvishet komplet dhe mbahet kështu për një kohë, duke i bërë masazhe të lehta përkëdhelëse në muskujt e gjithë trupit. Në dimër kjo bëhet në dhomë të ngrohtë, kurse në verë jashtë në natyrë. Shëtitjet në ajër të pastër fillojnë, gjithashtu që në ditët e para pas lindjes. Në fillim fëmija nxirret vetëm një minutë, duke rritur gradualisht kohëzgjatjen. Gjatë shëtitjeve në dimër fëmijës mund t’i vendoset në kokë kapuç dhe dorashka, por nuk i duhen zënë hundët dhe goja me shall. Në stinët pa diell bëhet profilaksia me vitaminë D, për parandalimin e rakitit. Fëmija i shëndetshëm dhe i kalitur është mjaft i mbrojtur nga bronkopneumonia dhe sëmundje të tjera.
ZHANETA BOROVA
mjeke pediatre