EmailFacebookKontakt

Sajime që nuk e nxijnë dot “Ujin e Bekuar” të Orthodhoksisë

Nuk e dimë nëse autori i artikullit “Kush nxin në dhrahmi Ujin e Bekuar Shqiptar” është Agim Shehu, ai poeti i realizmit socialist, që në vjershat e tij i thurrte lavde Enver Hoxhës! Por, edhe në mos qoftë ai, pak rëndësi ka. Ajo, që na habit është fakti, se gazeta “Republika” nxorri një tjetër kalemxhi pas atyre, që i ka me lopatë e, që s’vlen t’ua kujtosh emrin. Por, ky Shehu na qenkërka më trimi e më patrioti nga të gjithë kalemxhinjtë republikanë!

Shehun e shqetësokërka fakti, se gjetësi i kryqit në Berat u shpërblye me dhrahmi. Kjo është plotësisht e gënjeshtërt dhe një sajesë e ulët (një e vërtetë, të cilën artikullshkruesit nuk i ka interesuar ta mësonte). Dhe kjo, për të na qenka “shenjë helenizimi për jugun e Shqipërisë”! Kemi të bëjmë me një deklaratë bajate të huazuar nga frazeologjia e kuqe komuniste. Deri kur nuk do të zhvishemi nga ky patriotizëm fals, i cili për 50 vjet e quante çdo gjë të huaj, armike të Shqipërisë?

Shehu pyet, nëse kremtimi u bë në Berat apo në një qytet grek. Për këtë, le t’u drejtohet atyre mbi 50 mijë banorëve shqiptarë të të dy besimeve, të krishterë e myslimanë, të cilët, të mbledhur me dashuri pranë Kryepiskopit Anastas, me lotë gëzimi e dritë perëndie në sy, e ndoqën Atë në këtë ceremoni të bekuar. (Apo mos vallë Shehu vënkërka shenjën e barazimit midis kombit e fesë, si ata, që emrat orthodhoksë i quajnë “emra grekë”?).

Deklarata juaj zoti Shehu është ajo e një ithtari të fondamentalizmit, paçka, se me një emër shqiptar – Agim. Por, kjo nuk është rruga nga hyhet në Evropë.

Referuar artikullit: “Kush nxin në dhrahmi “Ujin e Bekuar” shqiptar”?
Gazeta “Republika”, 19 janar 1997
Autori: Agim Shehu

Sërish, më tej, me fraza pompoze ju përpiqeni të denigroni figurën e Kryepiskopit Anastas, figurë plot reputacion brenda dhe jashtë Shqipërisë, arkitekti i ringjalljes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Dhe përsëri përballë kësaj figure të madhe të krishtërimit ngrihen emrat-fantazmë të Nikollë Markut e Arian Kojës, këta rasputinë të vegjël, që rrobën e klerikut e hodhën për të fshehur amoralitetin e tyre.

Por, artikulli juaj kërkon të godasë më thellë, se sa Kryepiskopin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë – të godasë direkt orthodhoksët e Shqipërisë dhe rolin e tyre në demokracinë e re shqiptare. Ju thoni, se në SHBA, Kryepiskopin tonë nuk e pranhan në asnjë kishë shqiptare. Kjo nuk është e vërtetë. Fakti është, se në vizitën e tij në vendin e madh të demokracisë ai vizitoi mjaft kisha shqiptare, pati takime me shqiptaro-amerikanët dhe bëri edhe një përshpirtje në varrin e imzot Nolit. Shumë herë Kryepiskopi Anastas është ndalur në rëndësinë, që paraqet për KOASH-in, vepra e Nolit. Fortlumturia e Tij është një njeri me kulturë të gjithanshme dhe njerëzit e kulturuar, pavarësisht nga kombësia, dinë të respektojnë njëri-tjetrin. Po të shkosh në Kishën e Ungjillëzimit në Kryeqytet do shohësh, se portreti i Nolit është në zyra dhe jo në bodrumet e saj (për më tepër në këtë kishë nuk ekzistojnë bodrume).

Shehu na kujton, se Kryepiskopi Anastas po ndërton kisha shqiptare në themele të reja, jo aty ku kanë qenë më parë. Po pse nuk i thërret pak mendjes, mor njeri! Komunizmi monstruoz i shembi ato nga themelet ose i shndërroi në stalla, kazerma apo palestra. Vetëm në qytetin e Korçës në vend të Katedrales së Burimit Jetëdhënës u ngrit një muze i edukimit atheist, kurse në vend të kishës së famshme të Shën Gjergjit, ku u bë episkop Fan Noli, u ngrit një bibliotekë e madhe pa vlerë arkitekturale.

Nëse sot në qendër të qytetit tonë po ngrihet katedralja e bukur “Ngjallja e Krishtit”, kjo ndodh sepse Korçës i duhet një objekt kulti i krishterë, për të zëvendësuar këto kisha, vendet e të cilave iu morën me përdhunë. Kjo katedrale e bukur do ta zbukurojë Korçën plakë, do të jetë një bekim për të. Edhe në sheshet qendrore të qyteteve evropiane lartësohen katedrale, që të mahnitin me bukurinë e stilin e tyre. Përse zotit Shehu ia vret sytë e ia zë frymën kjo katedrale e bukur në Korçën tonë, djep të krishtërimit? Mos vallë i pëlqen, që kishat tona të kenë fatin e Shën Sofisë në Stamboll. Ruajna, o Zot!!! Përsa i takon përmendores së Luftëtarit Kombëtar, ajo do vendoset ku ka qenë vendi i saj i vërtetë, ku e vendosën banorët e vjetër të Korçës.

Përse Shehu nuk flet për masakrën e shëmtuar, që fondamentalistët islamikë bënë në Voskopojë, ku u dëmtuan afresket murale orthodhokse me vlera të paçmueshme, me të cilat Shqipëria rrezaton kulturën e saj evropiane kudo në botë?! Katedralet orthodhokse të ngritura në qytetet shqiptare flasin shumë për çdo njeri, që viziton vendin tonë. Ato tregojnë, se Shqipëria i përket Evropës së Krishterë, Krishtërimit, për mbrojtjen e të cilit, ka derdhur lumenj gjaku.

Më tej, dihet, se Kisha Orthodhokse e ka në traditën e vet bamirësinë. Dihet edhe se KOASH-i dhe personalisht Kryepiskopi Anastas ka dhënë shpesh ndihma për banorët e Shqipërisë, pavarësisht nga besimi fetar. Kur në veri të Shqipërisë ndodhën përmbytje ai u ndodh me zemër atje dhe ndihmoi materialisht për pakësimin e dhimbjes së njerëzve. Për këto Ai nderohet kudo, si në jug, ashtu dhe në veri të Shqipërisë.

Vetë Kryepiskopi Anastas është autor disa botimeve për islamin. Ai e njeh mirë këtë besim, sepse për vite me radhë e ka dhënë atë si lëndë në Universitetin Theologjik të Athinës. Një njeri i tillë nuk ka se si mos t’i respektojë njerëzit e këtij besimi. Kështu, ndihmat e tij materiale kanë qënë të përbashkëta për banorët e të dy besimeve. Me ndihmën e tij janë mjekuar në klinikat e hapura nga kisha, si dhe jashtë shtetit, të sëmurë nga të dy besimet. Mjaft kuptimplotë është vlerësimi, që iu bë Atij para disa ditësh në RTSH për këtë mision fisnik nga Dr. Bedri Bylyku, kryetar i shoqatës së intelektualëve myslimanë të Tiranës.

Ashtu si besimet e tjera edhe KOASH-i ka pranë vetes organizma si lidhja e grave, rinisë e intelektualëve orthodhoksë, që kontribuojnë pranë kishës e më gjërë në forcimin e lidhjeve e dashurisë mes njerëzve. Përse artikullshkruesit s’i pëlqekan vetëm ato të ngritura pranë Kishës sonë?! Sot, kur kishat katolike e orthodhokse, po dialogojnë për të hapur rrugën drejt bashkimit dhe kur vetë Papa Gjon Pali përshëndeti emërimin e Kryepiskopit Anastas, deklarata e Shehut tingëllon jo vetëm si tentativë për të nxitur përçarje, por tepër mjerane e qesharake.

Ai denigron figurën e shenjtorit martir të mbarë Orthodhoksisë, Shën Kozmait, i cili ka qënë faktor miqësie mes dy popujve, miku më i afërt i Ali Pashë Tepelenës, faktor i rëndësishëm në ruajtjen e orthodhoksisë dhe pengesë për islamizimin e banorëve të Shqipërisë. Një njeriu të tillë të madh, Shqipëria duhet t’i ngrejë një përmendore.

Në fund, Shehu na kujton fjalët e Fan Nolit, që ne i dimë më mirë se ai. Ne e ndiejmë për detyrë t’ju kujtojmë juve fjalët e Presidentit të Shqipërisë Demokratike, i cili në takimin me Kryepiskopin Anastas, në festën e bekuar të Pashkëve 1996, ju drejtua Atij: “Dua t’ju shpreh edhe njëherë vlerësimin tim të madh për kontributin tuaj dhe të klerikëve të të tre komuniteteve, që në këtë periudhë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhatë një ndihmë shumë të çmuar në Rilindjen e vlerave fetare, pa të cilat shpirti është një shkretëtirë”

Thoma Piluri, Vaskë Stase, Vangjush Simaku, Ilo Nënçe, Grigor Mulla, Korçë