Të dielën, 26 janar, Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastasi, kreu Liturgjinë Hyjnore në kishën e re të përkohshme të Shkodrës, së bashku me priftin e saj, At Aleksander Petanin. Me gjithë të ftohtin, besimtarë të shumtë iu lutën Zotit bashkë me Fortlumturinë e Tij.
“Eshtë një gëzim i madh, që jam sot pranë jush, – tha në predikimin e tij Kryepiskopi. – Qoftë edhe kur nuk e kam gëzimin të jem me ju trupërisht, vazhdimisht mendimet dhe zemra ime janë pranë jush.” Më tej, Fortlumturia e Tij vuri në dukje vështirësitë që u kaluan për të gjetur truall për Kishën e re, deri sa u bë e detyrueshme për të plotësuar dëshirën e zjarrtë të besimtarëve shkodranë, të blihej mjaft shtrenjtë një truall në qendër të qytetit. Gjithashtu, për të ndihmuar besimtarët, derisa të gjenden fonde të tjera, u ndërtua kisha e vogël provizore, e cila në të ardhmen do të zëvendësohet nga një ndërtim dinjitoz, i cili do të zbukurojë qytetin. Por, Kryepiskopi u bëri thirrje besimtarëve, që më parë se çdo gjë, duhet të ngrihet një kishë mistike në zemrën e çdo besimtari.
Etapa e dytë ishte vendosja e gurit të themelit në Kishën e re të zonës së Vrakës, e cila ka pasur disa objekte kulti, të gjitha të rrënuara. E veçantë kjo ceremoni, sepse ndërtohet për një nga minoritetet, që përfshihen në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, për atë malazez.
Qindra besimtarë kishin dalë të prisnin Kryepiskopin Anastas në vendin ku ajo do të ngrihet, të cilët e rrethuan me dashurinë e mirënjohjen e tyre. “Sot kemi gëzimin të vendosim gurin e themelit të Kishës së re të Trinisë së Shenjtë, – tha Fortlumturia e Tij, – në cepin më verior, që kemi bërë ndonjëherë një shërbesë të tillë. Eshtë një bekim i madh për vendin këtu dhe për gjithë Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë… Sot, duhet, që secili të vendosë dhe në thellësi të shpirtit të tij një gur themeli – pendimin, ta njohë më mirë Jisu Krishtin, i Cili është Shpëtimtari i Botës, që me dashurinë e Tij përqafon gjithë njerëzimin dhe e fton ta ndjekë pas në rrugë vëllazërie e dashurie”.
Më pas besimtarët orthodhoksë të Vrakës falenderuan Kryepiskopin Anastas dhe Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë për kujdesin e treguar dhe ndihmën e dhënë për ndërtimin e Kishës, administratën lokale dhe familjen, që dhuroi tokën për kishën.
Vrakë – Çast nga shërbesa në për vendosjen e gurit të themelit.