EmailFacebookKontakt

“Le të ndryshojmë drejt së mirës…”

Ishte e veçantë kësaj here vizita e Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastasit, në Mitropolinë e Gjirokastrës. Të Dielën e Ipapandisë (Përhasjes) së Zotit Krisht, më 2 shkurt, Fortlumturia e Tij meshoi në Kishën “Fjetja e Hyjlindëses”, në fshatin Dervician, mes qindra besimtarëve nga të gjithë fshatrat përreth. Me kujdesin e atit shpirtëror, Kryepiskopi në predikimin e tij u foli atyre për përpjekjet intensive, që duhen bërë nga të gjithë, për të rigjetur rrënjët e besimit dhe Traditës sonë, të cilën të shtirurit e fuqishëm më kot u përpoqën ta shkulnin nga shpirti i besimtarëve, të cilët u rezistuan presioneve shekullore. Kryepiskopi përgëzoi edhe për korin e fëmijëve, që mbushi me psalmet e tij atmosferën lutëse të Kishës. Të rinj dhe të reja kishin veshur me këtë rast kostumet e mrekullueshme tradicionale të zonës, duke plotësuar karakterin festiv të kësaj dite.

Në vazhdim, Kryepiskopi mbajti ligjëratën kryesore në një veprimtari, që arsimtarët e Dropullit kishin organizuar rreth “Tre Hierarkëve” dhe bekimit të tyre, për zhvillimin e vazhdueshëm të arsimimit dhe thellimit të diturisë dhe urtësisë së vazhdueshme të Zotit tonë Jisu Krisht. “Për Orthodhoksët është e mundshme, që, me lutjen e thellë të dashurojnë gjithë botën, – tha Kryepiskopi në ligjëratën e tij. – Kështu na diktojnë Tre Hierarkët, që na treguan, se duke e vënë veten në një proces ndryshimi të vazhdueshëm, duhet të synojmë ndryshimin e vetes sonë, drejt më të mirës. Në shoqërinë tonë, që ndofta vuan nga shumë mungesa të karakterit orthodhoks, prirja e njerëzve, që frymëzohen më Krishtin dhe nga shembulli i Tre Hierarkëve, është veçse e mira dhe drejt të mirës.”

Të hënën, Kryepiskopi Anastas u ndodh midis studentëve të Universitetit “Eqerem Çabej” të Gjirokastrës, të cilët organizuan festën tradicionale të “Prerjes së pites”, së Shën Vasilit, ku Fortlumturia e Tij përsëriti mësimet e Shën Vasilit të Madh për diturim të vazhdueshëm, për maturinë dhe forcën, që frymëzon Zoti ynë Jisu Krisht me sakrificën e tij tek njerëzit e rinj, për të ndryshuar mendësinë shoqërore, për të treguar shembullin e dashurisë painteres, në dobi të të gjithë shoqërisë.

Kryepiskopi Anastas pati edhe një takim prindëror me priftërinjtë dhe dhiakonët e Mitropolisë, me të cilët diskutoi probleme praktike dhe u dha porosi për përparimin e vazhdueshëm të punës në dobi të KOASH-it dhe të veprës së dashurisë të Kishës sonë në dobi të gjithë popullit. Kryepiskopi e vuri theksin në përpjekjen, që duhet vazhduar, krahas ringritjes nga themelet të kishave tona, për rifitimin e gjithë pronave, që kanë pasur kishat e manastiret. Biseda vazhdoi edhe në drekën, që Kryepiskopi dha për klerikët, ku foli lidhur me edukimin fetar të fëmijëve e të rinjve, për të rritur një brez të ri me njohje të thellë të besimit orthodhoks, ku veçohet dëshira e prindërve të të gjitha enorive për mësimet e katekizmit. Me bekimin dhe interesimin e vazhdueshëm të Fortlumturisë së Tij, në shumicën e enorive të Mitropolisë funksionojnë kurset e katekizmit, që ndikojnë fuqishëm në gjithë veprën shpirtërore, që zhvillohet.

Në ditët e mëparshme Kryepiskopi Anastas u ndodh në Sarandë, ku pati takime e biseda të përzemërta me besimtarët dhe epitropinë e Kishës së Shën Harallambit, mbrojtës i qytetit, punimet për ndërtimin e së cilës janë drejt fundit. Ata i shprehën Fortlumturisë së Tij falenderimin e tyre për intensitetin me të cilin u kryen ndërtimet. Kryepiskopi Anastas bisedoi e dha porositë e Tij edhe për mësuesit e katekizmit, që bëjnë një punë të mirë në të gjithë rrethin.

Një festë e vërtetë ishte edhe kremtimi i “Tre Hierarkëve” me besimtarët e Carshovës në rrethin e Përmetit. Që herët në mëngjes, besimtarë nga fshatrat përreth, si Zhepë, Piovizhdë, Vllahopsilloterë etj, por edhe autobusë me besimtarë nga Përmeti, Leskoviku, Kutallia e Podari, u mblodhën në Manastirin e Shenjtë të Seranit, ku u krye Liturgjia Hyjnore. Një manastir i vogël ky, në një pikë sunduese në afërsi të vendit, ku do të hapet pika kufitare e Tre Urave, ku për shumë vite nuk kishin mundur të kremtonin. Qindra njerëz, me shpresë Perëndie, u mblodhën aty për t’u lutur për ndërmjetimet e Tre Hierarkëve dhe të Hyjlindëses, së cilës i është përkushtuar Kisha e Manastirit.

Duke shprehur praktikisht mësimet e ndritura të të Tre Hierarkëve, Kryepiskopi Anastas dhuroi për nxënësit e Carshovës xhama për shkollën dhe qendrën kulturore, si shprehje e kujdesit të Tij për thellimin e diturive.

Lutja e besimtarëve orthodhoksë në të kremten e Tre Hierarkëve ishte, që me bekimin dhe mbështetjen e Kryepiskopit Anastas, ky Manastir i Shenjtë të ribëhet qendër shpirtërore dhe ngushëllimi për të gjithë zonën.

Orfea Beci