EmailFacebookKontakt

Fyerje intelektit të lexuesit dhe emrit të Nolit

Të dielën, 12 janar 1997, në gazetën tuaj është publikuar artikulli: “Janullatosit i humbet kryqi”, firmosur nga A. Xhepi (Çuditërisht, në të njëjtën ditë, i njëjti artikull, gërmë për gërmë, por me autorësi tjetër, është botuar edhe tek “Albania”).

Ajo që është shkruar në titullin e gazetës shtrembëron në mënyrë qartësisht tendencioze realitetin e kremtimit të Ujit të Bekuar. Në datën 6 janar Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi, ishte midis besimtarëve beratas, të cilët, si edhe herët e tjera, e rrethuan me dashurinë e konsideratën e tyre. Kryepiskopi hodhi Kryqin në lumin Osum, në prani të mbi 50 mijë njerëzve, që u pasqyrua po atë ditë nga Televizioni, i cili transmetoi edhe një kronikë të zgjeruar të dielën në emisionin e fesë, të njëjtën ditë që botohej ky artikull i mbushur me të pavërteta.

Në shkrim flitet për ndjekje të gjurmëve të Imzot Nolit dhe përsëritje të veprës së tij nga Nikolla Marku. Nuk ka fyerje më të madhe për këtë figurë të shquar të Kombit e Kishës sonë se përqasja me një individ aq pa vlerë si Marku, që jo vetëm s’shquhet për asnjë cilësi të veçantë, por u dëbua për veprime ordinere të vërtetuara nga viti i dytë i Seminarit Orthodhoks të Durrësit, ku kishte shkuar me bursë të siguruar nga Kryepiskopi Anastas. (Kujtojmë, se në datën 5 janar Fortlumturia e Tij u ftua nga Shoqata “Fan Noli” dhe kreu në Kishën e Shën Gjergjit të Durrësit përshpirtjen me rastin e 115-vjetorit të lindjes së Imzot Theofanit).

Gjithashtu, është fyerje ndaj Nolit dhe injorancë flagrante për çështjet e fesë (që artikullshkruesi jo i krishterë s’i kupton fare), kur disa herë e quan “peshkop” Markun (kleriku i martuar mbetet gjithmonë në shkallën e tij priftërore, e cila përbën shkallën më të lartë hierarkike për të, ndërsa ngritja në pozitën e episkopit është e mundshme vetëm për klerikët e pamartuar, me studime akademike, dije të gjera e formim të thellë shpirtëror), pasi ai nuk është as prift sipas Kanoneve të Shenjta dhe nuk njihet si i tillë nga asnjë Kishë Orthodhokse Kanonike. Si rrjedhim, çdo shërbesë e kryer prej tij është plotësisht e pavlefshme për orthodhoksinë. Një njeri që shtiret prift s’është Kisha. Për më tepër, siç ishte tallje quajtja “prift” e Markut aq më shumë është tallje me intelektin e lexuesit quajtja e tij “peshkop”. Për të gjitha këto, edhe mbeti i vetëm e i papranuar nga asnjë klerik i Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale.

Në mesazhin e Kuvendit të Kryetarëve të Kishave Orthodhokse (Patmos, 26 shtator 1995) theksohet qartë dhe me forcë se: “Çdo Eukaristi Hyjnore e kryer nën drejtimin ose në emrin e Episkopit kanonik të vendit përbën boshtin dhe kriterin e gjithë jetës së Kishës… për rrjedhojë, është e qartë se, që Eukaristia Hyjnore të jetë e vlefshme dhe shpëtuese për pjesëmarrësit, duhet të kryhet gjithmonë në emër të Episkopit kanonik e me lejen e tij; kjo, sepse mënyra e kryerjes së saj duhet të përshtatet me natyrën dhe karakterin e saj si ikonë e Mbretërisë së Perëndisë dhe kuptimin final të qenieve”.

Ndaj secili, sipas shkallës së objektivitetit me të cilën i shikon ngjarjet, mund të nxjerrë përfundimet e veta.

Tiranë, 13 janar 1997

Zyra e Shtypit e KOASH