Ai u mbajt nga 1-3 nëntor, në Shën Lorent mbi Sevër, me temë kryesore “Çështje të së sotmes, trajtimi i tyre nga orthodhoksia”. Rreth shtatëqind pjesmarrës të ardhur nga trembëdhjetë vende të ndryshme ishin bashkuar për të reflektuar së bashku mbi çështjet e shumta që qëndrojnë mbi orthodhoksët në shoqërinë bashkëkohore, e cila lë në pamje të parë një hapësirë për tolerancë dhe dialogun religjioz, por në realitetin e përditshëm gjithnjë e më shumë të jep pamjen e një shoqërie të skllavëruar.
Seancat plenare, një tavolinë e rrumbullaktë dhe studiot e reflektimit bënë të mundur që tema kryesore të zbërthehej në shumë drejtime: themelet e një jete të vërtetë të krishterë, dashuria njerëzore, personi dhe shoqëria, Kisha-teologjia dhe momentet faktike. Gjithashtu u vunë në dukje zgjidhjet urgjente të disa çështjeve që qëndrojnë për Orthodhoksinë sot, veçanërisht problemet kanonike në organizimin e strukturave kishtare të rregullta dhe të unifikuara në diasporë.
Kongreset orthodhokse të Evropës Perëndimore janë momente takimi, lutjeje të përbashkët, debati dhe miqësie, të cilat përbëjnë për komunitetet orthodhokse të Perëndimit një ngjarje me rëndësi, sepse janë komunitete të vogla në krahasim me të tjerët. Këto kongrese japin rastin që të dëshmohet uniteti orthodhoks rreth episkopëve të tyre, si dhe janë si një shënjë inkurajimi për bashkëpunimin midis komuniteteve të ndryshme. Ato organizohen çdo tre vjet, duke filluar që nga viti 1971, me inisiativën e Vëllazërisë orthodhokse në Evropën Perëndimore. Kongresi i mëparshëm ishte zhvilluar në Blankenberzh (Belgjikë), në nëntor të vitit 1993.