Ky predikim u shkrua nga i ndjeri z. Dhimitër Beduli në datë 28 dhjetor 1995, një ditë përpara se t’i fillonte sëmundja, që do ta ndante nga ne, ndaj edhe tingëllon si një mesazh i fundit shpirtëror drejtuar të gjithëve.
“Vdiqën ata që kërkonin shpirtin e djalit” (Mat. 2,13-23)
Barbarizmi dhe tërbimi i Irodit, siç i përshkruan pjesa e Ungjillit, do të përbëjë gjithmonë një njollë të zezë dhe do të jetë një simbol turpi për sjelljen kriminale të krerëve të kësaj bote ndaj Shpëtimtarit tonë Iisu Krisht, “Kryetarit të paqes”.
Ai u lind i përulët, pa zhurmë në shpellën e Vithlehemit, brenda në një grazhd kafshësh dhe nën zërin e engjëjve që këndonin “edhe mbi dhenë paqe”.
Mirëpo, ende s’kish arritur të dëgjohej ky mesazh, dhe pushteti politik u ngrit menjëherë në këmbë, zhveshi shpatën dhe mprehu thikën kundër mbretit qiellor. Duke qenë ende foshnjë e pafuqishme, armët e kundërshtarëve po bëheshin gati. Duke qenë ende foshnjë mbi grazhdin e kafshëve, Irodi tërbohej dhe përgatitej për sulm. Në kohën kur engjëjt psalnin himnin “dhe mbi dhenë paqe”, Irodi ngrinte në këmbë ushtrinë. Mesazhi qiellor shpalli “që sot lindi për ju Shpëtimtari”, kurse Irodi shpallte vendime për zhdukjen e tij. Iisui është “kreu i paqes, At i jetës së ardhshme, mbretëria e të Cilit s’ka mbarim”, ndërsa Irodi mbeti simbol i çdo pushteti politik mëkatar, që organizon kundër Atij luftën shfarosëse.
Irodi do të vepronte drejt po të hetonte Shkrimet e Shenjta, të njihte, të kuptonte, të pranonte se cili ishte kreu, mbreti i vërtetë e Zot i botës e t’i falej Atij. Vetëm me këtë mënyrë ai do të hynte në histori si inisiator i një pushteti politik të saktë e të denjë.
Mirëpo ai bëri të kundërtën. U bë prototip i krerëve dhe i udhëheqësve të ligj, të cilët gjatë shekujve organizojnë dhe drejtojnë me të gjitha mjetet materiale e kulturore luftën kundër Iisuit, luftë e cila dihet që më përpara se si përfundon. E thekson me dy fjalë vetë Ungjilli: “vdiqën ata që kërkonin shpirtin e djalit”. Ky rezultat u duk që në ndeshjen e parë. Irodi e ngjyejti tokën me gjakun e pafajshëm të mijëra foshnjave dhe e konsideroi veten si fitues. Po ja që, ajo nuk qe fitore për të. Qe dënim e turp udhëheqësish dhe krerësh të çmendur. Ishte një humbje, e cila më vonë u plotësua me humbjen e zhdukjen e mbretërisë së tij dhe me të kujtimin e krimeve dhe të poshtërsive të tij që la shenja të këqija në histori.
Po si ndodhi me Iisunë? S’ka armatime, as ushtri. Foshnjë e vogël dhe e pafuqishme në prehërin e një nëne të varfër ikën në të huaj me të vetmen ndihmë porosinë e Engjëllit, i cili brenda një kohë të shkurtër do t’i sillte një lajm tjetër hyjnor: “kthehuni në vendin tuaj, sepse “vdiqën ata që kërkonin shpirtin e djalit”.
Historia përsëritet gjatë shekujve në të njëjtën formë, e papërgënjeshtruar dhe tepër mësimdhënëse. Të gjithë krerët dhe të mëdhenjtë e botës që zhveshën shpatën kundër Krishtit, u mundën dhe u zhdukën, sado të fortë që të kenë qenë dhe sado nam që të kenë pasur. Fitimtar gjithnjë mbetet Iisui. Betejën përfundimtare Ai e fiton. Me triumfin e vërtetë Ai kurorëzohet. Sado në gjak që të mbytin botën Irodët, çfarëdo mjetesh që ata të përdorin, emri i Iisuit nuk zhduket. Gjithnjë do të tingëllojë i njëjti refren: “vdiqën ata që kërkojnë shpirtin e djalit”.
“Vdiqën”. Po, vërtetë vdesin krerët e premtimeve boshe e të forcës, që pozitat dhe pushtetin e tyre i mbështetin, duke përdorur mjete jo humane e njerëzore, që ndrydhin lirinë, që mbytin drejtësinë, që vendosin tiraninë gjer në momentin kur kështjellat e tyre prej letre bëhen thërrime dhe poshtë këtyre gërmadhave varrosen vetë tiranët e forcës dhe të errësirës.
“Vdiqën”. Po, vërtet vdesin ata që luftojnë të vërtetën. Krishti është e vërteta. Mund të na duket për një moment se zotëron mashtrimi, gënjeshtra, urrejtja, padrejtësia. Po ky moment është i shkurtër. Vjen dielli i drejtësisë që, me dritën e vet të fuqishme shpërndan retë e së ligës, shpërndan errësirën e mëkatit dhe mbush çdo gjë me dritë. Zotërimi i gënjeshtrës dhe i forcës nuk është i përjetshëm. Vjen pishtari i së vërtetës që djeg dhe zhduk krerët shumëformësh të ligësisë.
Ku janë tërë ata kundërshtarë të Krishtit, të cilët, me mendjen dhe gjakun, me shpatën e me penën e luftuan Atë? Ku janë përndjekësit e tërbuar, që me kaq barbarizëm “kërkuan shpirtin e djalit”?
Sa libra janë shkruar, sa bojë është harxhuar, sa mëndje janë lodhur për të shkruar e për të shpifur kundër Zotit. Propaganda të ndryshme antifetare, teorira mashtruese, pikëpamje shtrembëruese kanë dalë e po dalin, duke shpifur pa pushim kundër Ungjillit dhe besimit. Përndjekës të çdo lloji kalojnë, vdesin, harrohen. Iisui qëndron mbret në zemrat e njerëzve, kurse ata që e luftojnë, dërrmohen nën këmbët e Tij, si enë baltaxhiu.
Përveç Irodëve, për të cilët folëm gjer tani, ka Irodë të tjerë, në dukje ndoshta jo dhe aq të dëmshëm, por njëlloj të rrezikshëm për shoqërinë:
A nuk janë Irodë, për shembull, ata prindër që abortojnë, duke ia marrë jetën fëmijës pa parë ende dritën e diellit. Irodë a nuk janë ata që bëjnë fëmijë dhe pastaj i braktisin? Irodë a nuk janë ata nga arsimtarët, nga shkrimtarët, nga intelektualët, që me shkrimet e tyre, me edukimin e tyre, përpiqen të largojnë rininë nga besimi, nga Kisha, nga Krishti? Punën e Irodëve a nuk e bëjnë mjetet e masmedias, që me filmat e tyre, me shfaqjet e tyre, nxisin në mëkat, në imoralitet, në shthurrje?
“Vdiqën ata që kërkonin shpirtin e djalit”, thotë Ungjilli. Armiqtë e dukshëm e të padukshëm të Krishtit në çdo epokë, pasi krijojnë të keqen, dërrmohen dhe zhduken nën fuqinë e Zotit. Iisu Krishti është fituesi i tërëfuqishëm, “kreu i paqes, Ati i jetës së ardhshme”.
Shpresa jonë është e pampostur, besimi ynë i patundur. Detyra jonë kryesore është të harmonizojmë fjalët tona, ndjenjat tona, sjelljen tonë me vullnetin e shenjtë të Tij. Detyra jonë është që as ne vetë të mos jemi Irodë për njerëzit e tjerë, por të lutemi dhe të interesohemi, që as të tjerët të mos kalojnë në anën e kundërt, mëkatare e çnjerëzore. Ndaj na bie për detyrë që edhe ne të marrim pjesë në këtë veprimtari të bekuar: të punojmë me gjithë shpirt që të mos kemi Irodë në mes tonë.
Të lutemi që edhe ata të tregohen udhëheqës të urtë e të drejtë, të cilët të punojnë me dashuri që të zotërojë e vërteta, të triumfojë transparenca, të zbatohet ligji e drejtësia, të predominojë e të shtohen forcat e së mirës, që të vijë e të vendoset mbretëria e Krishtit në shpirtrat tanë, në familjet tona.
Dhimitër Beduli