Me Profesor Dhimitër Bedulin jam njohur për herë të parë në vitin 1941. Sa kisha ardhur nga Korça ku kisha studjuar në liceun francez, që u mbyll nga fashistët. Por, nuk munda të vendosesha në konviktin laik. Zura një dhomë me qera me një shok tjetër, por babai vendosi që unë të banoja në konviktin e Kishës, me pagesë, pa u detyruar të ndiqja rregullat fetare. Këtu takova për herë të parë drejtorin e Seminarit, Dhimitër Bedulin, një burrë mesatar, serioz dhe i heshtur.
Beduli, siç e quanim ne nxënësit me njëri-tjetrin, ishte shumë rigoroz ndaj vetes edhe të tjerëve, i përpiktë në zbatimin e rregullave, por edhe këshilltar dhe mik i mirë për çdo nxënës. Kur ndodhi një grindje midis meje dhe një profesori, ai më hoqi veç. “Këtë radhë, më tha, po ta falim, herë tjetër nuk do ta përsëritësh. Heshta dhe u largova. Nuk mbajti asnjë mëri. Në seminar vlonin traktet dhe komunikatat antifashiste. Dhimitër Beduli i kuptonte të gjitha dhe heshtëte. Më vonë, kur u bëra pedagog në shkollën e lartë dhe nisa të merresha me historinë e Krishterimit, pashë se Dhimitër Beduli, si njeri punëtor dhe i çiltër, ishte një i krishterë i lashtësisë me të gjitha virtytet e tij.
Vitin shkollor 1942-1943 e kalova në konviktin shtetëror të gjimnazit laik, por herë pas here vizitoja strehën time të mëparshme, por edhe drejtorin tim fisnik. Me priste me gëzim dhe më pyeste për gjithçka. Ishim bërë miq. Bëmë disa vite që nuk u pamë. Më 1952, pas përfundimit të universitetit jashtë shtetit, erdha në Tiranë dhe puna e parë që bëra ishte vizita në familjen Bedulit. Pas pak kohe, ai më vjen në banesën time dhe më thotë se e kishin pushuar nga puna. Kërkonte një deklaratë prej meje “për qëndrimin e tij gjatë luftës”. Ju përgjigja që ta bëjë ai vetë, qoftë edhe me një farë superlativi, se isha gati t’ja firmosja. Kur i vajta në shtëpi pas dy ditësh, i vura në dukje se deklaratën e kishte bërë të butë, prandaj do ta hartoja vetë. Kështu edhe ndodhi. Ai u pranua në punë. Nuk mund të them se sa deklarata ime ia arriti që ai të rifillonte punën, por pashë se gjithmonë më qëndroi mirënjohës. Miqësia jonë u forcua më shumë edhe me faktin se ai ishte njeri i kulturës edhe historian; Ai kishte shkruar shumë gjëra me vlerë për historinë.
Mjerisht, nga fillimi i viteve 70-të atij i ngjau një fatkeqësi e llahtarshme, i vdiq djali i dytë; një gjëmë kjo edhe për mua. Vajta e ngushëllova; e pashë edhe një herë se ishte më të vërtetë fetar. “E mori Perëndia, tha, ashtu siç ma dha. Me këtë rast pashë një mori njerëzish që e ngushëllonin dhe vura re se ai kudo gëzonte respektin dhe nderimin e tyre. Kurrë nuk kam dëgjuar për qoftë edhe fjalën më të vogël negative nga ndonjë individ.
Më pas, në shtëpinë botuese më thirrën dhe m’u lutën të shkruaja një libër me titull “Lufta e popullit grek për pavarësi. Kontributi shqiptar.” E pranova me kënaqësi edhe për faktin, se, pavarësisht nga materialet në gjuhët perëndimore dhe ballkanike, nëpërmjet Dhimitër Bedulit do të arrija të shfrytëzoja edhe dokumente në gjuhën greke, të cilën nuk e njihja. Me këtë rast u konsultova shumë me të dhe ai më ndihmoi pa ndërprerë edhe me përshkrime të domosdoshme në shqip. E vura re se u gëzua shumë kur pa se libri do kishte vetëm karakter historik dhe çdo e vërtetë do të dokumentohej me rigorozitet. Më 1981, e kreva detyrën dhe dorëshkrimin e daktilografuar ja dhashë për ta parë, duke e falenderuar fort për ndihmën që më kishte dhënë, absolutisht pa asnjë interes material. Po libri i dorëzuar në kohë, nuk po shkonte në shtyp. Një dordolec në aparatin e komitetit qendror “tepër i fuqishëm” e kishte bllokuar. Libri u burgos për dhjetë vjet e u botua në vitin 1991. Gjithë këtë kohë profesor Beduli vinte herë pas here e më pyeste për fatin e librit. Kur arriti të botohej pas ndryshimeve rrënjësore shtetërore u gëzua pa masë.
Me kalimin e moshës profesor Dhimitri u sëmur; e vizitoja në spital e në shtëpi; asnjëherë nuk e pashë të rënkonte. Bisedonim për historinë e feve etj. Në televizion e shikoja duke shërbyer në Kishë dhe kënaqesha; kishte gjetur vetveten. Kurrë s’e kam dëgjuar të fyente njeri; kur detyrohej të qëndronte në vetmi, ai kërkonte shok dhe këtë e gjente tek librat. Me këta ai bisedonte çdo ditë. Kurrë s’e dëgjova të thoshte një fjalë të papëlqyeshme për fetë e tjera; ai ishte fetar, aspak fanatik. Si drejtor i Seminarit, si redaktor i disa revistave kishtare ai kishte qenë shumë tolerant, i ndershëm, i sjellshëm, krejt i çiltër. Nga të gjithë apostujt ai pëlqente më shumë Shën Pavlin, për vetë faktin se ky persekutor i dikurshëm Saul ishte penduar njëherë e mirë, i kishte qëndruar deri në fund besnik fesë së re dhe jo vetëm kaq, por ai e kishte përhapur atë tek paganët.
Një ditë e vizitova në shtëpi. Më tha se kishte qenë në Patrikanën Ekumenike në Stamboll, ku ishte dhënë Liturgjia Hyjnore në gjuhën shqipe. Ishte gëzuar shumë. Me të edhe unë. Tërë jetën ai kishte qenë për autoqefalinë e Shqipërisë, duke e parë atë si një mjet të fuqishëm për forcimin e çështjes kombëtare shqiptare. Si Krishti edhe Shën Pavli kishin deklaruar disa herë, se feja e tyre do të predikohej në gjuhën e çdo populli; parim ky vërtet i shenjtë.
Vdekja e tij la një zbrazëti të madhe, e cila do të mbushet me kohë dhe kujtimi i tij si njeri, fetar dhe studiues i vërtetë nuk do të vdesë kurrë.
Koli Xoxi, historian