Ishte mag dhe bir magu, që më parë quhej Magundat. Shërbente në ushtrinë e mbretit Hosroi i Dytë (v. 590 – 628), që ishte fillimisht pushtues i shumë krahinave bizantine, madje edhe të vetë Jerusalemit (v. 614).
Kryqi i Nderuar u rrëmbye atëhere në Persi, por mrekullitë e shumta të Tija atje u bënë shkak që të shtohej Krishtërimi, i cili madje tërhoqi interesimin e Magundatit. Kështu dezertoi nga ushtria persiane që kishte arritur sërisht karshi Konstandinopojës dhe shkoi në qytetin e afërt të Hierapolit të Frigjisë. Më vonë, në Jerusalem, pagëzohet me emrin Anastas nga Patriku Shën Modesti (16 dhjetor) dhe bëhet murg në manastirin e Shën Savës ose ka shumë mundësi në manastirin e Shën Anastasit, ku igumen ishte ava Justini. Ndërkohë jetët e shenjtorëve i ndezin etjen për martirizim. Prandaj pas shtatë vjetësh shkon në Qesarinë e Palestinës që ishte nën pushtimin persian. Këtu vë në lojë disa magë, njihet, kapet, burgoset dhe u nënshtrohet poshtërimeve dhe torturave nga të afërmit e tij, ngaqë i kishte “turpëruar” me ndërrimin e besimit. Më pas e qëlluan me shkopinj në kurriz dhe ai duroi palëvizur edhe pse ishte i zgjidhur, siç kishte kërkuar.
Kur i thanë Hosroit për kapjen e tij, ai urdhëroi që të lirohej, në qoftë se do të ndërrontë besimin, qoftë edhe vetëm në dukje para një njeriu të vetëm! Oshënari hedh poshtë këtë gjë, ndaj e çojnë në Persi, ku e rrahin brutalisht, i shtrëngojnë këmbët me dru deri në kockë, i lidhin mbi vete një gur të rëndë dhe e varin me një dorë, së fundi e mbysin me litar së bashku më shtatëdhjetë të krishterë të tjerë. Për më tepër, atij i presin edhe kokën (v. 628).
Pas një dhjetëvjeçari një episkop romak mori nga Persia lipsanin e nderuar, i cili më pas u ruajt në Qesari, në Konstandinopojë dhe në Romë. Transferimi i lipsanit kremtohet më 24 janar.