Pasi shumë veta janë përpjekur të hartojnë një tregim të ngjarjeve që kanë ndodhur me të vërtetë midis nesh, ashtu siç na i kanë treguar ata që qenë që në krye të herës dëshmitarë që i kanë parë me sy dhe u bënë shërbiges të fjalës, m’u duk e udhës edhe mua, pasi jam informuar me saktësi për gjithçka që nga fillimi, të t’i shkruaj ato sipas radhës. (Llukai 1:1-3)
Ungjilli i tretë i Dhiatës së Re është ai i Llukait. Emri i ungjillorit si autor i Tij, sikurse edhe tek emrat e ungjillorëve të tjerë, nuk përmendet në asnjë vend të Ungjillit. Mirëpo, në parathënie shohim se ungjillori i shenjtë e ka shkruar dhe ia ka dërguar Ungjillin e tij “Theofilit”, dmth një personi të rëndësishëm të asaj kohe. Të njëjtit person, Theofilit, i janë kushtuar dhe “Veprat e apostujve”, në parathënie të të cilave shkrimtari pohon se ai ka shkruar edhe Ungjillin. Por, se cili është autori i Veprave, përgjigjen e gjejmë në vetë “Veprat e apostujve”, sepse atje shkrimtari flet për veten e tij si shoqërues i apostull Pavlit; thotë, për shembull, se nga Troadha “lundruam drejt në Samotrakë e të nesërmen në Neapoli”. Dhe në një vend tjetër: “ne u nisëm me anije nga Filipa e nga Neapoli dhe pas pesë ditësh erdhëm në Troadhë… lundruam në Aso… erdhëm në Mitilenë” e të tjera.
Vetë Shën Llukai që i shkruan këto, kishte shoqëruar apostull Pavlin në Jerusalem e në Qesari. Nga Qesaria bashkë me Pavlin dhe me një maqedonas tjetër, Aristarkun, lundroi për në Romë (Vep. 16:11 etj; 20:6 etj; 27:28; Kol. 4:14; Fil. 24 etj.). Nga këto, si dhe nga shumë dëshmi të tjera të Dhiatës së Re provohet se autor i Veprave dhe i Ungjillit të tretë, është Shën Llukai, i cili ka qenë në fakt shoqërues i Pavlit. Por edhe shkrimtarë kishtarë më të vjetër e tradita e njëzëshme e Kishës, vërtetojnë se Shën Llukai është autor i Ungjillit. Në parathënien e njerit nga tekstet e vjetra të Ungjillit, shkruhet lajmi: “Eshtë Shën Llukai nga Antiohia, sirian nga fisi, mjek nga profesioni, që u bë nxënës i apostujve dhe më vonë shoqërues i Pavlit deri në kohën, kur ky u martirizua… Ky, i frymëzuar prej Shpirtit të Shenjtë, ka shkruar tërë këtë Ungjill, kur ishte në Ahai”.
Llukai ishte nga Antiohia. Ishte mjek (Kol. 4:14), gjë që del edhe nga shumica e termave mjekësore që i përdor me saktësi në Ungjill dhe në Veprat. Del se ka pasur dhe një kulturë të rëndësishme filozofike e letrare, siç provohet nga stili i bukur letrar i dy librave të tij të hyjfrymëzuar. Ai shoqëroi Pavlin në pjesën më të madhe të udhëtimit të tij të dytë e të tretë misionar. E shoqëroi në Romë, kur për dy vjet Pavli ka qëndruar i burgosur, por edhe gjatë burgosjes së tij të dytë që ka qenë më e rëndë dhe kur të gjithë të tjerët e kishin braktisur apostullin, vetëm Llukai ndodhej me të (II Tim. 4:11). Ndoshta do ketë ardhur në kontakt me prindërit apo me fisin e Joan Pagëzorit, dhe veçanërisht me Hyjlindësen, siç rezulton nga aq informata të shumta e të çmueshme që na jep për Zaharinë dhe Elisabetën, për ungjillëzimin e Hyjlindëses dhe për ngjarje të tjera, të cilat i referohen lindjes dhe kohës fëminore të Zotit.
Nga dëshmi shumë të vjetra informohemi se Shën Llukai më vonë predikoi Ungjillin në Francë (Gali), në Dalmaci, në Itali, në Maqedoni, në Greqi etj.
Ndërroi jetë në moshën mbi 80 vjeç, sipas disave, në një qytet me shtatë porta të Tebaidës, kurse sipas të tjerëve në Greqi dhe pikërisht në Tebë. Nuk dihet koha saktë kur e shkroi Ungjillin e tij. Por është fakt se e ka shkruar para Veprave dhe meqë në Veprat e tij nuk përmendet asgjë për vdekjen martirike të apostull Pavlit që ndodhi më v. 63 ose 66 pas Krishtit, del se Veprat janë shkruar para kësaj kohe. Pra, edhe Ungjilli është shkruar para kësaj kohe, ndoshta midis viteve 55-60. Gjithashtu, edhe vendi se ku është shkruar Ungjilli nuk dihet me siguri. Por dëshmitë më të shumta e më të besueshme pohojnë se u shkrua në Greqi, në Tebë dhe qëllimi për të cilin e shkroi Ungjillin ka qenë që Theofili të ndriçohej e informohej sa më qartë për doktrinën e krishterë. Edhe në një kuptim më të gjerë, që të mësojnë parimet e fesë së re tërë të krishterët dhe sidomos ata që vinin nga paganët.
Në përgjithësi Ungjilli i Shën Llukait është më i pasur në informacion për jetën, doktrinën e veprën e Shpëtimtarit, më letrar dhe më i kujdesshëm në formulim, me një ngjyrë të theksuar të gjuhës greke të kohës.
Përkthyen e përgatitën:
Dh. Beduli Th. Qendro