EmailFacebookKontakt

Dhimitër Beduli, protopsalt, muzikant dhe dirigjent

Pasi mbaroi studimet në Rumani më 1934, ku dy vitet e fundit në mënyrë të veçantë u specializua për muzikën bizantine, u kthye në atdhe. Në fillim u caktua me punë në Pogradec. Menjëherë zemra e besimtarit të përkryer iu kushtua kishës dhe rinisë pogradecare për të krijuar një kor. Kori i krijuar nga z. Dhimitër Beduli u bë aktiviteti më i rëndësishëm i atij qyteti me tradita fetare muzikore.

Në mars të vitit 1936, pa iu ndarë korit të kishës së Pogradecit, ku zakonisht shkonte gjatë muajve të verës, mori vetë përsipër që të organizonte dhe të themelonte korin e kishës të Durrësit. Një vit më parë, i palodhuri dhe i përkushtuari Beduli, karakteristikë të cilën e ruajti deri në fund të jetës së tij, kishte riorganizuar në mikst korin e kishës së Tiranës, ku, që nga viti 1941, për të mos penguar drejtimin e korit të Durrësit dhe Pogradecit, aktivizon si dirigjent edhe nxënësin e tij, seminaristin Kostandin Trako. Këtë detyrë ai e vazhdoi deri më 1967, kur diktatura komuniste mbylli kishën dhe si rrjedhim edhe korin.

Kjo ishte një goditje shumë e rëndë për besimtarin, teologun e shpirtin e artistit. Vitet që pasuan ishin të rënda e me dhimbje. Sigurisht, veprimtarinë fetare nuk e ndërpreu. E vazhdonte në shtëpinë e tij, ku shumë besnikë e vizitonin e ku jepte udhëzime a sqarime për të kremtet fetare. Por, korin e kishës nuk e kishte më dhe kjo ishte vuajtje për të.

Beduli si një dirigjent nuk e ndërpreu aktivitetin e tij fetar edhe gjatë regjimit komunist. Roli i tij në drejtimin e korit të uzinës ku punonte apo i korit të pallatit të kulturës (ku edhe këndonte), ka qenë mjaft i madh. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në aplikimin e mënyrës së të kënduarit fetar në vendin tonë, si me koret, ashtu edhe me psaljen. I jepte mjaft rëndësi muzikës bizantine, aq më tepër që në Shqipëri kishte një traditë të pasur. Kjo është meritë shumë e madhe e tij, një kontribut kombëtar për ruajtjen e forcimin e traditës sonë vokale-korale-fetare.

[Me korin mikst “Joan Kukuzeli” të Durrësit (1945 – në qendër).]