EmailFacebookKontakt

Nuk reshti së punuari për Kishën

Me z. Dhimitër Beduli u njoha në gusht të vitit 1992. Por shpesh herë datat janë relative dhe nuk shprehin plotësisht të vërtetën. E them këtë se në të vërtetë xha Bedulin, siç qe bërë zakon ta thërritnin të gjithë, e kisha njohur që kur isha fëmijë dhe ai burrë 30 vjet më i madh se unë. Kur u prezantuam, ai nuk qe i huaj për mua, siç qeshë unë për të. E kisha njohur përmes veprës dhe veprimtarisë së tij në Kishë. Kur isha i vogël, më kishin bërë përshtypje leximet, tregimet dhe librat e shkruar ose të përkthyer prej tij. Në përfytyrimin tim prej fëmije, kishte lënë mbresa të jashtëzakonshme tregimi për Shën Pavlin, gjuha e bukur, e thjeshtë, e këndshme, që kishte përdorur xha Beduli. Ato lanë në kujtesën time vragën e pashlyeshme të figurës së ndritshme të Apostullit të madh të krishtërimit, por dhe emrin e shkrimtarit, për të cilin krijova respekt të madh. Më vonë ndoqa dhe lexova edhe veprat e tjera të z. Beduli. Prandaj, që në çastin e prezantimit, na tërhoqi diçka e jashtëzakonshme, që na afroi e na lidhi bashkë ngushtë me një miqësi e dashuri të vërtetë kristiane.

Nga ajo kohë deri sa ai ndërroi jetë më 16 janar të vitit të kaluar, xha Beduli u bë udhëheqësi im shpirtëror, ndërsa unë u përpoqa të bëhesha një bashkëpunëtor i vlefshëm për të.

Dhimitër Beduli ishte njeri i drejtë, i paanshëm, me besim dhe shpresë të madhe tek Perëndia. Ai jo vetëm e njihte Shkrimin e Shenjtë, por dhe e zbatonte atë konkretisht në jetë, si një kristian i devotshëm e me frikë Perëndie.

Megjithëse i moshuar, deri në çastet e fundit të jetës, ashtu si në rini, ai nuk reshti së menduari e punuari për Kishën. Endrra e tij ishte krijimi i një Kishe të fortë, me themele në shkëmb, me autoritet brenda e jashtë vendit. Për këtë punoi e luftoi pareshtur, duke i dhënë rëndësi, në radhë të parë, përkthimit e botimit në shqip të literaturës fetare, liturgjike, historike, agjiografike etj. Si njohës i thellë i gjuhës kishtare greke e i teologjisë, ai la një trashëgimi të pasur përkthimesh, me një nivel të lartë fetar e gjuhësor, nga ato që lexuesi e besimtari orthodhoks tashmë i njeh mirë, deri tek veprat themelore: Dhiata e Re e Psalmet, në përkthimin e të cilave kam bashkëpunuar në mënyrë modeste.

Ai qe ndër të parët që kuptoi që në fillim se ardhja e Kryepiskopit Anastas ishte një ndihmë Perëndie e bekim për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ai e dinte fort mirë se pas atij persekutimi të gjatë ateist të shtetit totalitar komunist, që e rrënoi Kishën nga themelet, ajo s’mund të ngjallej pa pasur në krye një bari të mençur, të ditur, të nderuar, autoritar, udhëheqës e organizator të shquar e vetmohues. Këto veti, xha Beduli, me zgjuarsinë, me prehtësinë, arsyetimin logjik e përvojën e tij të gjatë, që nuk e gabuan kurrë, i shquajti tek misionari i madh i orthodhoksisë, hierarku dhe Kryepiskopi i Kishës sonë Anastas. Prandaj dhe e mbështeti sa qe gjallë me tërë shpirtin dhe pasionin e tij prej të krishteri orthodhoks, duke na lënë të gjithëve si testament ta duam, ta respektojmë ta mbështesim me të gjitha forcat, energjitë dhe zemrat tona udhëheqësin shpirtëror në Krishtin të Kishës e të orthodhoksisë shqiptare.

Në tre vjet punë të përbashkët, njoha nga afër jo vetëm shpirtin e madh prej humanisti të xha Bedulit, por dhe diturinë e tij të thellë, edhe përkushtimin e tij të madh ndaj Kishës Orthodhokse të Krishtit, edhe këmbënguljen e vazhdueshme për të lënë një trashëgimi sa më të madhe për orthodhoksinë shqiptare. Xha Beduli kishte shpirtin e tolerancës kristiane, por s’bënte lëshime në parime. Dinte shumë, po nuk mburrej fare. Punonte si të ishte i ri, por nuk thoshte kurrë se u lodha. Ishte kërkues, por i arsyeshëm, i logjikshëm, njerëzor e dinjitoz. Unë kam ndjerë tek ai vazhdimisht prindin e mësuesin, psikologun e pedagogun, shokun dhe mikun, qytetarin dhe atdhetarin, besimtarin dhe vëllain më Krishtin, shembullin se si duhet të jetë i krishteri ordhodhoks.

Në këtë vit që z. Beduli s’ishte fizikisht midis nesh, mungesën e tij e kanë ndjerë shumë Kisha jonë dhe besimtarët orthodhoksë, por e kemi ndjerë edhe ne shokët dhe miqtë, bashkëpunëtorët dhe vëllezërit e tij më Krishtin.

Thoma Qendro