EmailFacebookKontakt

Dimri, gripi, dhe parandalimi i tij

Me këtë shkrim, në gazetën tonë fillon një rubrikë e re, ajo e këshillave mjekësore, e cila do të realizohet nga personeli mjekësor i klinikës orthodhokse “Shën Lluka”.

Gripi ose influenca është gjendja e një sëmundje të veçantë dhe i dedikohet infeksionit nga virusi i gripit, i cili shfaqet në tipet A, B, C.

Transmetimi i virusit

Transmetimi bëhet me anë të trupëzave virusombajtëse, të cilat ndodhen në stërkalat e tështimës, të kollës, të pështymës, të së puthurës, si dhe të enëve që përdoren nga të sëmurët. Transmetimi bëhet më lehtë në mjedise të mbyllura, me ajrosje të kufizuar, ku grumbullohen shumë persona për një kohë të gjatë.

Profilaksia, parandalimi

Me parandalim nënkuptojmë marrjen e masave të tilla, të cilat pengojnë transmetimin e virusit nga një person në tjetrin.

Kjo realizohet: a) me shmangjen nga mjediset e mbyllura, të cilat janë të mbingarkuara me trupëzat virusombajtëse për një periudhë të gjatë kohe. b) me izolimin me personal që janë të infektuar. c) me larjen e shpeshtë të duarve, me shmangien e shtrëngimit të duarve, si dhe përdorimit të përbashkët të pjatave, gotave etj.

Masë e rëndësishme në parandalimin e gripit është edhe vaksinimi. Vaksina rekomandohet të bëhet në persona delikatë si: të moshuarit, të sëmurët nga zemra, tuberkulozët, ata që kanë imunitet të dobët e që rrezikohen në rast epidemic. Eshtë e rëndësishme të theksohet se me vaksinimin mbrojtja nuk është absolute, siguria varion në masën 65-70%.

Sëmundja

Për t’u sëmurur nga gripi nuk mjafton vetëm marrja e virusit, por e rëndësishme është:

a) virusi të ketë arritur fuqi të madhe infektive.
b) të jetë dobësuar imuniteti i përgjithshëm i organizmit.
c) qëndrimi për një kohë të gjatë në të ftohtë dhe ngricë.

Fëmijët dhe foshnjat janë më shumë delikate ndaj këtyre faktorëve. Kohëzgjatja e sëmundjes është 1-5 ditë kurse koha e transmetimit 3-5 ditë. Tek fëmijët arrin deri në 7 ditë.

Simptomat

Gripi mund të fillojë si një “ftohje e zakonshme”, d.m.th. një gjendje të përgjithshme jo të mirë, me bllokim të hundeve, rrufë, skuqje të syve, dhimbje fyti, dhimbje koke, rënkime, ngjirje të zërit, kollë, tështima, dhimbje të kyçeve, gjë që më vonë shoqërohet me të dridhura, me temperaturë të lartë (e cila zgjat rreth 3-4 ditë, ndërsa simptomat tjera zgjasin edhe më shumë). Me kalimin e kohës shtohet dërmimi trupor, gjendja e përgjithshme është shumë e rënduar, dhimbje të theksuar të kyçeve e të muskujve, dhimbje koke të fortë dhe një frymëmarrje të rënduar, që ndryshojnë nga “një ftohje e zakonshme”.

Mjekimi

Kurimi është simptomatik në qoftë se nuk ka ndërlikime, siç ndodh dhe në ftohjen e zakonshme, dmth përdoret çfarë mendohet më e përshtatshme për çdo simptomë. Ushqimi duhet të jetë i lehtë, i tretshëm, i pasur me kalori. Pushim dhe gjumë të mjaftueshëm, lëngje me shumicë në mënyrë që të parandalohet dehidratimi dhe të ulet temperatura e lartë. Banja të ngrohta ose dush, fërkime, të ngrohta. Nëse simptomat vazhdojmë të rendohen është e këshillueshme të kërkohet vizita e mjekut.

Gripi shpeshherë bëhet mjet për keqpërdorimin e antibiotikëve. Edhe në rastet kur përdorim i tyre bëhet për të qenë brenda mendojmë se nuk përfaqëson një zgjidhje të drejtë. Përfundimisht gripi nuk është një sëmundje kaq e rëndë aq sa të frikësohen njerëzit, por duhet pasur kujdes në raste të veçanta.