EmailFacebookKontakt

Drita e Krishtit të na ngrohë të gjithëve

Krishtlindja, me mesazhin e saj të çmuar, që është përcjellë brez pas brezi, erdhi edhe këtë vit me një ftesë të re. Drita qiellore dhe kënga e engjëjve, që u shfaqën në çastin e lindjes së Zotit tonë Iisu Krisht, u ndje hareshëm e gëzueshëm në zemrën dhe shpirtin e çdo besimtari. Fjalët e ngrohta të përshëndetjes së Kryepiskopit të Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Anastasit; me të cilën ai uronte “me gjithë shpirt që drita e Krishtit, e “Diellit të Drejtësisë” këto ditë të shenjta dhe gjatë vitit që vjen, të na ngrohë të gjithëve zemrat me shpresë, paqe dhe mirësi, të na ndriçojë mendjen dhe ndërgjegjen, që të dallojmë të vërtetën dhe të vendosim me drejtësi, të na forcojë vullnetin që të veprojmë me besim, durim dhe dashuri të sinqertë, duke kontribuar në progresin e përgjithshëm të Shqipërisë”, në mëngjesin e 25 dhjetorit, bënë që në çdo shtëpi lavdia, gëzimi, drita dhe forca e kësaj feste të ndiheshin thellësisht.

Dita e Krishtlindjes ishte plot madhështi. Katedralja e Ungjillëzimit në Tiranë dukej tepër e vogël për të nxënë brenda saj vargjet e gjata të njerëzve që vinin për të nderuar Lindjen e Fjalës së Perëndisë. Besimtarët gjatë Liturgjisë Hyjnore dëgjuan mesazhin e Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Anastasit, drejtuar atyre me rastin e Krishtlindjes. Duke shpjeguar rëndësinë e Krishtlindjes, si një çast që na bën të ndjejmë akoma më shumë praninë e lidhjes sonë me Perëndinë, Ai theksonte se njeriu asnjëherë nuk duhet të harrojë shembullin e Birit të Perëndisë, që pranoi të merrte natyrën tonë për ne dhe se ne duhet të marrim pjesë në jetën e Atij, prej të Cilit u birësuam. Por, ngjarja e Krishtlindjes na fton të ndërgjegjësojmë vetveten për gjetjen e rrugës drejt këtij birësimi, rrugë që është jashtë çdo llogjike praktike, jashtë çdo shkolle filozofike, rrugë që fitohet nëpërmjet përulësisë dhe pendimit.

Pas mbarimit të Liturgjisë Hyjnore, në mjediset e Katedrales së Ungjillëzimit, u bë pritja e personaliteteve, përfaqësuesve të komuniteteve fetare, të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri etj., të cilët erdhën për të marrë pjesë në gëzimin e Krishtlindjes dhe për të uruar Kryepiskopin Anastas dhe Komunitetin Orthodhoks për këtë festë kaq të madhe. Nderuan me ardhjen e tyre zv/kryeministri, ministër i Jashtëm dhe kryetar i PD, Tritan Shehu, këshilltari pranë presidentit Gene Polio, kryetari i Komunitetit Islamik të Shqipërisë, Hirësia e Tij Haxhi Hafiz Sabri Koçi, Hirësia e Tij Baba Reshat Bardhi, Hirësia e Tij Shch Muhamet Pazari, ministri i Kulturës Teodor Laço, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Kristaq Luniku, përfaqësues nga Partia Socialiste, Aleanca Demokratike, Socialdemokrate, Demokristiane, përfaqësuesit diplomatikë të Palestinës, Bullgarisë, Greqisë etj.

**

Ditën e Vitit të ri, që herët, besimtarët orthodhoksë të Përmetit kishin ardhur në Kishën e Shën e Premtes, për të pritur ardhjen e Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Anastasit, i cili kreu Liturgjinë Hyjnore bashkë me tre klerikët përmetarë. Në predikimin e tij, duke folur për Ungjillin e ditës, Kryepiskopi gjeti rastin të përsëriste thirrjen, që sikundër Iisui atë ditë kreu një nga ritet e traditës judaike, gjithësecili prej nesh në Vitin e Ri të forcojë lidhjet e tij me traditën tonë orthodhokse, të bëhet më i rreptë në zbatimin e kërkesave të besimit tonë.

Në fund, Fortlumturia e Tij u komunikoi besimtarëve edhe se Kisha e Shën e Premtes do të rikonstruktohet dhe me Hirin e Perëndisë, 1997-ta do të jetë viti i përfundimit të punimeve, si dhe përgëzoi fëmijët e koreve të Kishave të Përmetit e Këlcyrës, për punën që kanë bërë. Gjithashtu, Kryepiskopi vizitoi edhe Kishën e Shën Kollit, e cila u rindërtua nga themelet.

Në kthim, Kryepiskopin Anastas e prisnin deri mbasdite vonë në kishat e tyre “Ngjallja e Krishtit” dhe “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, qindra besimtarë të Këlcyrës, për t’i uruar Vitin e Ri dhe për t’i shprehur falenderimet për Kishën që Ai ndërtoi në qytezën e tyre për lavdi të Perëndisë.

**

Në 5 janar, besimtarët e qytetit të Durrësit patën gëzimin dhe kënaqësinë të kishin në mes tyre Kryepiskopin Anastas. Kjo e dielë e parë e vitit të ri 1997 kishte diçka të veçantë për ta, përmblidhte në gjirin e saj dy ngjarje: e para ishte e parakremtja e Ujit të Bekuar dhe e dyta 115 vjetori i lindjes së Mitropolitit të shquar të qytetit të Durrësit, Theofan Noli. Në Liturgjinë Hyjnore që u celebrua nën drejtimin e Kryepiskopit Anastas morën pjesë edhe kryetari i bashkisë së qytetit të Durrësit, sekretari i prefekturës, Shoqata “Fan Noli”, si dhe përfaqësues të partive politike.

Në predikimin e tij, i cili u përqendrua në dy ngjarjet e kësaj dite të rëndësishme, Kryepiskopi Anastas theksoi se Mitropoliti ynë i dashur Theofan do të ndjehej tepër i lumtur po të ndodhej midis nesh, sepse do të shihte dhe do të kuptonte ndryshimet e mëdha që po kalon Kisha jonë gjatë këtyre viteve. Dhe kjo do të ndodhte se ai ishte një njeri që e donte Orthodhoksinë. Do të kënaqej, sepse do të shihte dhjetra kisha që ishin të rrënuara, të cilat janë ngritur nga themelet, dhjetra kisha të restauruara, klerikë të shumtë që janë përgatitur dhe po përgatiten, gratë, të rinjtë dhe intelektualët që janë të përfshirë në shoqata orthodhokse etj. E gjitha kjo që po ndodh e po zhvillohet në Kishën tonë do ta kënaqte, sepse ai ishte një njeri që e donte Orthodhoksinë. Por, ajo ç’ka do ta kënaqte më shumë, do të ishte puna e jonë. Anëtarët e kishës duhet të punojnë sa më shumë për zhvillimin e Orthodhoksisë dhe këtë duhet ta bëjnë në mënyrë të heshtur e të vazhdueshme.

Më tutje ai u mbështet mbi Ungjillin e asaj të diele, duke i bërë një analizë figurës së Shën Joan Pagëzorit. Shën Joani ishte një asket i përkryer dhe ka folur vazhdimisht për pendesën. Këto dy karakteristika, që janë tepër të rëndësishme, duhet të bëjnë pjesë në jetën tonë edhe pse jetojmë në një komunitet të madh. Ai mbetet një shembull tepër i shkëlqyer për të gjithë ne që duhet të përpiqemi për ta ndjekur.

Pas Liturgjisë Hyjnore Kryepiskopi Anastas priti personalitetet e qytetit dhe të rrethit që kishin ardhur me këtë rast. Në bisedat e tyre u falenderua Kryepiskopi për punën e madhe që ka kryer për ringjalljen e orthodhoksisë dhe për ndihmën e veçantë që jep për pasurimin shpirtëror të popullit tonë. Në fjalët e tij Kryepiskopi theksoi se qyteti i Durrësit ka qenë një ndër qendrat e para të Krishterimit, në kohën kur shumë popuj të tjerë të Europës kanë qënë në ato kohë akoma nomadë. Pavarësisht nga pushtimet e shumta dhe dallgët e panumërta që ka kaluar ky vend, ky qytet, kanë mbajtur të pandryshuar diamantin që kanë fituar që në fillim, kanë mbajtur të freskët qytetërimin, të cilin shumë kanë dashur ta shkatërrojnë. Durrësi për këtë duhet të jetë krenar. Duhet të jetë krenar edhe për faktin se ka pasur episkop që në shekullin e parë, i cili ka marrë pjesë në Sinodin e parë të Shenjtë. Durrësi vuan edhe nga një plagë shpirtërore e madhe, ajo e mërgimit të djemve të tij. Ne duhet që të qëndrojmë pranë tyre me lutjet tona. Gjithashtu, ai tha se të gjithë duhet të përpiqemi sadopak që të zhvillojmë orthodhoksinë tonë, sepse nevojat e Kishës sonë janë shumë të mëdha. Besimtarët e qytetit të Durrësit e përcollën me entuziazëm Fortlumturinë e tij Anastasin, duke uruar që të gjendej sa më shpejt përsëri pranë tyre.

**

E nesërmja, 6 janar, dita e Epifanisë së Zotit tonë Iisu Krisht, e gjeti Kryepiskopin Anastas në Berat, midis orthodhoksëve të këtij qyteti të lashtë e me tradita. Që në mëngjes, kisha e vogël e “Shën Thomait” nuk i nxinte besimtarët e shumtë që vinin edhe nga qytete të tjera. Kryepiskopi Anastas celebroi edhe këtu Liturgjinë Hyjnore së bashku me at Vangjel Xoxen e at Petraq Simisinë.

Në fjalën e tij Kryepiskopi, ndër të tjera, përmendi se e kremtja e Ujit të Bekuar është një e kremte e madhe, për faktin se aty u shfaq për herë të parë Trinia e Shenjtë, se Zoti Iisu Krisht shfaqi për herë të parë misionin e tij dhe së fundi, se aty pasqyrohet në mënyrë tepër të qartë se nëpërmjet shenjtërimit të ujit shenjtërohet e gjithë krijesa.

Pas predikimit filloi shërbesa e Ajazmës së Madhe dhe Fortlumturia e Tij Anastasi, së bashku me besimtarët e shumtë beratas u nisën drejt urës së lagjes Goricë, nga ku do të hidhej kryqi. Të dyja brigjet e lumit Osum ishin mbushur me mbi 50 mijë njerëz. Vargjet e troparit të ditës “Në Jordan kur pagëzoheshe o Zot, falja e Trinisë u shfaq, se zëri i Prindit të dëshmonte, Bir e Tij të dashur, duke të quajtur, dhe Shpirti në formë pëllumbi e siguronte vërtetësinë e fjalës…”, që këndoheshin nga psaltët, ngjiteshin në gjirin e turmës së besimtarëve e ushtonte në të dy brigjet. Mes një entuziasmi të madh dhe ovacionesh të shumta kryqi i drurit i lëshuar nga Kryepiskopi Anastas fluturoi drejt ujrave të ftohta dhe të turbullta të Osumit, për t’u përqafuar nga duart e shumë të rinjve që prisnin aty. Gëzimi i grupit të djemve që kapën kryqin ishte aq i madh, sa që i ftohti që u ishte ngjitur pas trupit nuk ua hoqi kënaqësinë për të kënduar edhe një herë troparin e mësipërm. Ata, pasi morën bekimin e Kryepiskopit, vazhduan traditën beratase, duke dalë shtëpi më shtëpi me kryqin e nderuar.

Kjo ditë e bekuar për të gjithë orthodhoksët, por veçanërisht për ata të Beratit mbarti me vete bekimin e krijesës, bekimin që të fton për një jetë më të afërt me kishën, më të afërt me atë që shenjtëron jetët.

Erion Prifti
Orfea Beci