EmailFacebookKontakt

Muzika bizantine në Kishën tonë

Ky material është shkëputur nga “Kurs i shkurtër për muzikën bizantine”, i shkruar nga teologu i Kishës sonë, i ndjeri Dhimitër Beduli, në periudhën para Luftës së dytë botërore. Në të gjenden të dhëna të pasura për traditat e hershme të kësaj muzike në Shqipëri dhe për interpretuesit më të njohur në vite.

Bizanti sundoi mbi vendin tonë, me disa ndërprerje të shkurtra, afro 1000 vjet. Gjatë kësaj periudhe, ai la gjurmë të thella, sidomos në arkitekturë me ndërtesat madhështore të kultit, në pikturë me afresket murale e ikonografike, në skulpturën e drurit me ikonostaset, fronet dhe amvonat, në muzikë etj. Shqipëria e Mesme dhe e Jugut janë plot me monumente e vepra të tilla arti, që përbëjnë një fushë të gjerë gjurmimi e studimi, sepse në to spikat dora dhe mendja e mjeshtërve dhe artistëve vendas.

Muzika bizantine, e cila në shekullin XIII njohu kulmin e lulëzimit, me mjeshtrin, kompozitorin talentuar Joan Kukuzeli nga Durrësi, ka qenë mjaft e përhapur dhe e ushtruar në të gjitha kishat orthodhokse të vendit. Dëshmi janë dorëshkrimet dhe botimet e shumta me këtë muzikë, që nga ato më të vjetrat, të kohës të mesjetës e deri në ato të gjysmës së parë të shekullit tonë, ku gjenden dhe përpjekjet e para për përshtatjen sipas kësaj muzike të një pjese himnesh të kthyera në shqip. Dorëshkrime dhe tekste të tilla gjenden në shumicën e kishave e manastireve të vendit. Dëshmi janë mjaft emra këngëtarësh, të cilët quhen “psaltër” ose “dhaskenj”, të cilët jo vetëm që e kanë praktikuar dhe e praktikojnë këtë muzikë ashtu siç e kanë trashëguar nga parardhësit e tyre në kisha e vendit, por një pjesë e tyre, veçanërisht “protopsaltët” dhe “dhaskenjtë” e njihnin dhe e njohin edhe në teori.

Vazhdimësia e mësimit dhe e praktikimit të muzikës bizantine në vendin tonë është siguruar nëpërmjet dy formave.

Forma e parë është praktika me anë të veshit, të dëgjimit. Dihet se kishat, sidomos ato të komuniteteve të mëdha orthodhokse, kanë pasur e vazhdojnë të kenë nga dy psaltë, njeri nga të cilët, ai i djathti merrte titullin protopsalt. Për protopsalt është preferuar gjithnjë ai që kishte cilësi të veçanta muzikore; pra me zë të mirë e të bukur, me gamë të gjerë të zërit, me vesh të mprehtë dhe me njohuritë kryesore të muzikës bizantine. Ai, kur këndonte në kishë, mblidhte rreth vetes për ta ndihmuar një grup fëmijësh, sidomos nga ata me vesh muzikor të zhvilluar. Njërin prej këtyre që dinte të lexonte mirë e qartë, e caktonte recitues, ndërsa të tjerët i mësonte si të mbanin zë ose iso, në kohën kur ai këndonte melodinë e ta shoqëronin në kadencat.

Ata fëmijë që tregonin prirje të veçantë për muzikë e përvetësonin shpejt meloditë e këngëve, merreshin në kujdestari nga protopsalti dhe përgatiteshin më me kujdes gjatë kohës së lirë, për të përvetësuar mjeshtërinë e psaljes. Pra, protopsalti organizonte pranë kishës një kurs për përgatitjen e psaltëve të ardhshëm, si me anë të praktikës, ashtu dhe me teorinë e me njohuritë elementare të muzikës bizantine. Këto kurse u bënë tradicionale për transmetimin e të psalurit dhe muzikës nga një brez në tjetrin, me nuancat e karakterin e vendit ku vepronin. Kurse ose edhe shkolla të tilla kanë ekzistuar në mjaft komunitete të vendit, si në Elbasan, Korçë, Berat etj. Në Elbasan, madje, nga fillimi i shekullit XIX është përgatitur edhe reforma e re e thjeshtimit të kësaj muzike, nga Mitropoliti i Durrësit, Hrisanthi.

Forma dytë, ka qenë mësimi nëpër shkolla, i teorisë së kësaj muzike, veçanërisht për ata që përgatiteshin për mësuesi. Mësuesit gjatë gjithë periudhës së fundit të pushtimit turk, meqë paguheshin nga komuniteti, duhej të kryenin detyrimisht dhe detyrën e psaltit, natyrisht, kundrejt një shpërblimi. Shpesh ndodhte edhe e kundërta, që psaltët, atje ku mungonin mësuesit, kryenin dhe këtë detyrë. Këtej lindi sinonimi “dhaskal” për psaltin, që rrjedh nga fjala greke “dhidhaskalos”, që do të thotë mësues, e cila përdoret gjerësisht për psaltin, sidomos në Myzeqe. Në këtë krahinë në shekullin XIX, në mos më përpara vepronin dy shkolla të kësaj natyre; një në Manastirin e Ardenicës dhe një në Manastirin e Kolkondasit, që përgatitnin mësues-psalt, meqë ishte e vështirë për t’u zbatuar forma e parë e përgatitjes së psaltëve.

Nëpërmjet këtyre formave dhe sidomos të formës së parë, që është dhe më e vjetra në vendin tonë, është siguruar kuadri përkatës i protopsaltëve dhe i psaltëve, si dhe një pjesë e mirë e teksteve muzikore në dorëshkrim, që, siç u tha më lart, gjenden nëpër kisha e sidomos në manastiret ku riprodhoheshin në shumë kopje dhe pastaj shpërndaheshin. Këto dorëshkrime duhen studiuar me kujdes, sepse në to ka edhe pjesë himnesh të kompozuara nga vetë protopsaltët tanë me nuanca të karakterit vendas, shpesh më të pasura e më të bukura nga melodia trandicionale bizantine.

Një shembull: Në janar 1935 u ndodha në Elbasan dhe atje mësova nga disa pleq të lagjes Kala, se në kishën e tyre, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar ishte një protopsalt shumë i mirë, Vladimir Gjini, njeri i apasionuar jashtë mase pas muzikës bizantine, njohës i mirë i saj, zbatues i saj me frymë të lirë, jo strikt, i pajisur dhe me zë të mrekullueshëm. Nami i tij kishte arritur deri në Stamboll. Madje, ai vetë kishte krijuar lidhje me protopsaltin e Kishës së Madhe të Patrikanës, të cilit i dërgonte herë pas here për të gjykuar kompozime origjinale. Këto pjesë ishin çmuar aq shumë, saqë më vonë e ftuan vetë të këndonte në kishën e Patrikanës, duke i kërkuar të marrte përsipër detyrën e protopsaltit. Por, ai nuk pranoi dhe u kthye në Elbasan, ku vazhdoi të psalte deri sa vdiq. La mjaft nxënës që vazhduan traditën e tij. Mendoj se duhet të ketë lënë edhe shumë pjesë muzikore në dorëshkrim.

(Vijon në numrin e ardhshëm)