EmailFacebookKontakt

At Jorgji Shishko

Papa Jorgji Shishko u lind më 1905 në fshatin Palasë të Himarës, në një familje që e kishte traditë shërbimin ndaj Zotit. Edhe i ati ishte prift, me gradën ikonom. Ndaj, në vitin 1941, pasi kishte punuar si zanatçi, me kërkesën e fshatit, Papa Jorgji u hirotonis prift nga Episkopata e Gjirokastrës dhe predikoi fjalën e zotit nga Dukati deri në Lukovë.

Tregojnë se në kohën e pushtimit Italian, sapo ishte bërë prift erdhën edhe në Palasë disa priftërinj katolikë, me mision që të ndryshonin besimin e fshatrave të Bregdetit. Ata arritën të pagëzonin një vajzë nga një familje me reputacion. Ky akt ishte i pazakontë për këtë krahinë, e cila i qëndroi si pushtimit turk, ashtu edhe misioneve të tjera gjatë shekujve të shkuar. Me këmbënguljen e Papa Jorgjit fëmija e mësipërme u ripagëzua si orthodhokse, duke i prerë rrugën këtij aktiviteti përçarës.

Më vonë, në kohën e pushtimit gjerman, bashkë me një fshtarin e tij, shpëtoi nga pushkatimi 40 burra. Po në këtë kohë, çeta e bregdetit e drejtuar nga Zaho Koka erdhi në Palasë për të hedhur në erë urën. Aty erdhën dhe fshatarë të armatosur nga Dhërmiu, për ta mbrojtur urën, që ishte e vetmja lidhje ekonomike për zonën. Do ishte shkaktuar gjakderdhje e vërtetë në se nuk do të ndërhynte Papa Jorgji.

Papa Jorgji ka qenë prift në Dukat, Palasë, Kudhës, Lukovë etj., deri në 1967, kur regjimi ateist komunist mbylli kishat e vendet e kultit. Në këtë vit edhe Papa Jorgji mbyllet në shtëpi pa të ardhura, pa pension, pa tokë e pa bagëti.

Por, atë e njihte i madh e i vogël, sepse ishte i gjithnjëndodhur, në raste gëzimesh e hidhërimesh dhe me fjalën e tij i mbante të gjithë të mbërthyer. Ai, me inteligjencë i kundërvihej edhe “zotërinjve” të rinj, sekretarëve të partisë e pushtetarëve komunistë. Ndaj ishte gjithmonë në shënjestër. Ishte koha kur lulëzonin këta mikrodiktatorë, që përpiqeshin t’i gjenin rastin. Ata e spiunuan se kryente ende rite fetare, si pagëzime etj. Mandej, më 1975 e shpallën si të “deklasuar”, duke i hequr triskën e frontit me propozimin e organizatës së partisë së fshatit dhe aprovimin e plenumit të rrethit Vlorë. Kjo ndodhi kur ai ishte në moshën 75-vjeçare. Dhe aq me zell punuan për riedukimin e tij sekretarët e PP-së, sa nuk linin njeri të fshatit t’i shkonte në shtëpi. Mënjanuan kështu një kundërshtar që i mundte gjithnjë me logjikën e fjalën e tij.

Papa Jorgji vdiq në fshatin e tij në vitin 1984, duke lënë një emër të nderuar dhe një kujtim të respektuar.