Shqiptarët në Malin e Shenjtë
Ieromonaku Joasaf
Lindi më 1870 në fshatin Panarit, pranë qytetit të Korçës. Prindërit e tij quheshin Spiridhon dhe Angjelinë. Në moshën 11-12 vjeçare shkoi bashkë me të atin në Malin e Shenjtë Athos, ku dhe punuan në manastirin e Shën Grigorit. I ati e dërgoi në Nea Skiti (Skitin e Ri), për të mësuar muzikë nga një psalt i quajtur Joasaf. Aty shprehu dëshirën që të bëhej murg. Kjo ishte arsyeja që u thirr në manastirin e Shën Grigorit nga i ati. Por, pas pak kohe edhe i ati iu bashkua mendimit, që djali i tij i vogël të bëhej murg. Kështu, vishet me rrobat murgjërore në manastirin e Shën Grigorit.
Në moshën 17 vjeçare shkoi në Skitin e Kafsokalivëve dhe më 1888 u bashkërendit në vëllazërinë e Joasafëve. U dorëzua murg më 1889 dhe nga Llazar që quhej më parë, mori emrin Joasaf. Kishte mbaruar studimet e gjimnazit. Në atë kohë në Malin e Shenjtë ushtrohej si murg ish-Patriku i Kostandinopojës Joakimi III, i cili e dorëzoi Joasafin në dhiak në vitin 1891 dhe në prift më 1893.
Ieromonaku Joasaf, nga vëllazëria e Joasafëve, ishte kujdestari punëtor i librave dhe ndihmoi mjaft në regjistrimin e rregullimin e dorëshkrimeve të Kishës qendrore të Skitës së Shenjtë të Kafsokalivëve.
Mitropoliti i Korçës Evlogji Kurilla, murg në manastirin e Lavrës së Madhe në Malin e Shenjtë, shkruante:
“Mendoj se është detyra ime të kujtoj veçanërisht at Joasafin, të cilit i pëlqente të lexonte libra dhe që ishte i palodhur në punë dhe për të përmirësuar Skitin, ku më ndihmonte gjithnjë. Ky ieromonak, pa ekzagjerim, ishte një zbulim për Kafsokalivët. Rregulloi e sistemoi librat dhe dorëshkrimet dhe jo vetëm ato të kalivit, por dhe të Skitit, pasi bëri katalogje me hollësi dhe tërësi të plotë nga shënimet që kishte. Por ai, tregoi interes që meriton ta kujtojmë edhe për librat e manastireve të tjerë. Dhe të gjitha këto i bëri duke vjedhur orë nga puna e tij kryesore, d.m.th nga ajiografia në drejtimin e laboratorit etj. Me sedrën e tij bëri të mundur të vërë vulën e elegancës dhe të së bukurës në art, të cilat janë dy cilësi që i kanë veçanërisht në vëllazërinë e Joasafëve. “Me të vërtetë i denjë i Pagës së tij”.
Në vitin 1931 ieromonak Joasafi u caktua jerond i kalivit të Joasafëve. Vdiq më 1938.
Përktheu: Dhimitër Beleri
* Shënim: Ekzistojnë 3 forma themelore të murgjërisë: 1. manastiret, 2. skitët, të cilat janë si fshatra të përbëra nga “kalive” (kolibe), si shtëpi të mëdha, me pak etër për secilën, 3. shkretëtirat, d.m.th “kalive” të vogla të veçuara, të cilat janë të vendosura larg nga manastiret dhe skitët.