EmailFacebookKontakt

Gëzimi më i Madh i Botës

Krishtlindjet – Lavdërojeni!

Gëzimi më i Madh i Botës

Nga At Thomas Hopko

Lindja e Jisu Krishtit është njohur në botë si njohja e një gëzimi të madh! Kryeëngjëlli Gavril shkoi së pari tek prifti Zakaria, kur po ofronte temjanisën në tempull dhe i tregoi se gruaja e tij do të lindte një djalë, i cili do të ishte pararendësi i Mesias. “Ti do të kesh lumturi dhe mirësi, – i thotë ai, – dhe shumë do të lumtërohen në lindjen e tij” (Lluka 1:14). Shpirti i Marisë “madhëroi Zotin dhe mendja e saj u ngazëllua për Perëndinë, Shpëtimtarin e saj” (Lluka 1:46-47). Fëmija e saj do të jetë vetë Mesia, “Djali i thirrur, Perëndia i lartë.” Më vonë lindja shpallet në botë përsëri me anën e një engjëlli të Zotit. Është lajmërimi i “një gëzimi të madh për të gjithë popullin” (Lluka 2:10).

Festa e Krishtlindjes është, në radhë të parë, një festë gëzimi. Disa nga himnet e Krishtlindjes përmbledhin këtë mesazh qendror.

Të gëzohet krijimi, me anën e shfaqjes së vetë Krijuesit si krijesë. Dhe ai që ishte para të gjithave tani shfaqet si një Perëndi e re e zbuluar. Le të jenë dijetarët (magët) ata që do ta takojnë të parët me dhuratat e tyre. Le të duartrokasin barinjtë në besim për këtë mrekulli. Le të jetë njeriu ai që do të bashkohet me engjëjt në këtë gëzim!

Lumturohu o tokë! Vini re, Krishti vjen pranë për të lindur në Vithlehem. Lumturohu o qiell! Dhe ju profetë, hidhni valle për gëzimin. Sot ju vini re përmbushjen e fjalëve tuaja. Mbretërit e tërë tokës le të këndojnë me gëzim dhe kombet të mbushen me lumturi! Male, kodra, lugina, lumenj, dete, dhe tërë krijesat lartësoni Zotin që ka lindur sot!

“Të krishterët nuk kanë gëzim”, – është një nga akuzat më të rënda kundër të krishterëve. Të krishterët – pa gëzim, në term janë në kontradiktë. Njerëzit, të cilët janë të ashpër, që ankohen, ndëshkojnë akuzojnë, të pakënaqurit dhe të depresionuarit, natyrisht nuk janë të krishterë. Ata mund të jenë njerëz, ve nuk është prekur nga hiri i Perëndisë. Ata nuk mund të jenë besimtarët që i përkasin Krishtit dhe Mbretërisë së Perëndisë. Të krishterët nga përcaktimi kanë gëzimin e plotë të Krishtit që i mbush (Joani 17:13). Ata janë njerëz, gëzimin e të cilëve askush nuk mund ta marrë dhe literalisht është i plotë dhe i përmbushur.

Sikurse shkroi dhe At Aleksandër Schmemman, “Krishtërimi është lajmi i gëzimit më të madh në botë. Pa shpalljen e këtij gëzimi Krishtërimi është i pakuptueshëm, është vetëm si gëzimi që Kisha fitoi në botë, dhe humbi botën kur humbi atë gëzim, dhe pushoi si dëshmitare e besueshme në të. Nga të tëra akuzat kundër të krishterëve, më e tmerrshmja qe ajo e shprehur nga Nietzsche, kur ai tha se të krishterët nuk kanë gëzim.

Gjëja e parë që të krishterët duhet të bëjnë sot është ripërtëritja e kuptimit të këtij gëzimi. Ky gëzim nuk është diçka që dikush mund ta përcaktojë apo ta analizojë. Dikush hyn në gëzim. Dhe ai dikush hyn në këtë gëzim, duke hyrë në jetën liturgjike të Kishës. Këtu dhe vetëm këtu, si në kremtimin e Shërbesës së Krishtlindjeve, një person mund të marrë pjesë në atë realitet gëzimi, për arsyen e së cilit vetë bota u krijua që në fillim.

Tërë engjëjt në qiell gëzohen dhe festojnë sot. Tërë krijimi hyn në gëzim. Shpëtimtari dhe Zoti ka lindur në Vithlehem. Çdo gabim i idhulltarisë ka mbaruar dhe Krishti mbretëron në tërë kohërat. (Himni për Krishtlindje shërbesa e pasdarkës).

përktheu: E. Harito