EmailFacebookKontakt

Themele murgjërie

Faqja e Rinisë Orthodhokse

Themele murgjërie

Në pikën më të lartë të Myzeqesë, në kodrat e Ardenicës, rrethuar nga kishat e shumta, qëndron si kurorë lavdie Manastiri i Hirshëm i të Tërëshenjtës së Ardenicës. U martirizua gjatë shekujve, por lutjet dhe asketizmi i etërve dhe shenjtorëve që u shenjtëruan aty, bënë që manastiri të rifillojë jetën e tij; të jetë dritë, të jetë burim drite “prej Dritës që nuk perëndon”.

Me bekimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, të rinj nga Seminari Teologjik erdhën për t’i dhënë jetë ndërtesave shekullore. Pas periudhës së vështirë për ta rimarrë pas kaq vitesh, filloi vendosja e themeleve të murgjërisë në Shqipëri. Gjashtë të rinj janë rishtarët e parë të manastirit, në një periudhë prove për të marrë më pas qethjen murgjërore. E vështirë, por e bukur është jeta engjëllore e murgut, duke u përpjekur në çdo kohë e në çdo gjë që bën, për të qenë përgjithnjë një llambadhë e ndezur.

Erdhën këta djem me dëshirën e ripërtëritjes së këtij manastiri, të kësaj “mushkërie shpirtërore”, siç e ka quajtur dikush, nëpërmjet lutjeve, shërbesave fetare, studimeve teologjike dhe çdo lloj tjetër ushtrimi shpirtëror. Ky është misioni që këta djem kanë pranuar ta përqafojnë.

Lavdia murgjërore sapo ka hedhur hapat e para, ndaj këta 6 djem do kërkonin me përulësinë e tyre një pjesë nga koha e lutjes së çdo besimtari, që t’i denjësojë Perëndia për të qenë murgjër të Krishtit dhe të së Tërëshenjtës Mari. Për të qenë engjëj të Perëndisë mbi tokë.

Joan Lena