EmailFacebookKontakt

Artabani

Një njeri i ditur, i quajtur Artaban, i cili mbante robën e priftërisë së hershme të magut. Një natë dhjetori ai u tha të afërmve të tij: “Tre miq të mij janë duke vëzhguar në tempullin e lashtë në Babiloni. Nëse ylli i premtuar do të shfaqet, ata do më presin dhjetë ditë dhe pastaj do të nisen për në Jeruzalem, për të parë e adhuruar atë që do të lindë si mbret i Izraelit. Unë shita ato që kisha dhe bleva tre gurë të çmuar – një zafir, një rubin dhe një perlë, për t’ia dhënë Mbretit të ri.”

Pas pak, kur ai ishte duke vëzhguar qiellin, vuri re nga Lindja një dritë të shkëlqyer, e cila lëvizte në qiell. “Ajo është shenja, – tha. – Mbreti po vjen dhe unë do të shkoj ta takoj…”

Artabani udhëtoi për dhjetë ditë dhe, kur ndodhej vetëm tri orë larg vendit ku e prisnin magët e tjerë, në errësirë, kali i tij ndaloi para një diçkaje që shtrihej në rrugë. Drita e yjeve zbuloi formën e trupit të një njeriu, i cili dergjej i plagosur.

Zemra i rrahu fort. Të ndalonte dhe të kujdesej për të vonohej dhe miqtë e tij do të niseshin pa të? Të rrezikonte shpërblimin e madh të besimit të tij për hirin e një vepre të vetme mirëbërëse?

“Perëndia i së vërtetës dhe dashurisë, – tha dhe u lut, – më drejto në udhën e shenjtë, në udhën që shpreh vullnetin Tënd.”

Pastaj zbriti nga kali, u kujdes për njeriun e shtrirë, e vajisi me vaj dhe i mbuloi plagët. Punoi orë pas ore, derisa, më në fund, fatkeqit i erdhën forcat. Tashmë kishte kaluar mesi i natës dhe tre dijetarët e tjerë u nisën për të kaluar shkretëtirën pa të. Artabani po rrinte i menduar, kur i sëmuri i pëshpëriti: “Nuk kam asgjë për të të dhënë si shpërblim të ndihmës tënde, përveç kësaj: Unë jam jude dhe profetët tanë thanë se Mesia që ju kërkoni nuk do të lindë në Jeruzalem, por në Vithlehem. Zoti ju dërgoftë shëndoshë e mirë në atë vend, pasi pate mëshirë për të vuajturin.”

Artabani mendoi shumë për këtë udhëtim të gjatë dhe vendosi të shiste një nga gurët e çmuar, që të blinte një karvan devesh dhe pajisjet për të kaluar shkretëtirën.

Ai mbërriti në Vithlehem tri ditë pasi tre dijetarët kishin parë Jisuin foshnjë dhe ishin larguar. Ai hyri menjëherë në shtëpinë me derën hapur dhe pa një nënë të re, e cila i këndonte foshnjës për ta vënë në gjumë. Me zërin e saj të ëmbël, ajo i tha: “Josifi i Nazareth mori fëmijën e tij, Jisuin dhe nënën e Tij, Marinë dhe u larguan fshehtazi natën. Papritur, një zhurmë e egër dhe të thirrura erdhën nga rruga: “Ushtarët! Po vrasin fëmijët tanë!”

Fytyra e nënës shprehu tmerrin dhe ajo e shtrëngoi fort fëmijën e saj, duke u munduar ta fshihte në errësirën e dhomës.

Artabani shkoi menjëherë te dera e shtëpisë. Ushtarët po vinin me duart e shpatat e përgjakura. Kapiteni i rojeve iu drejtua shtëpisë, por Artabani i tha me zë të ulët: “Jam krejtësisht i vetëm dhe pres t’i dhuroj këtë gur të çmuar kapitenit të kujdesshëm, i cili do të më lërë në paqe.” Ushtaraku rrëmbeu gurin e çmuar dhe thirri “Ikim. Nuk ka fëmijë këtu.”

Artabani nisi sërish të zvarrë lutej: “Perëndi i së vërtetës dhe dashurisë. Falmë, pasi tashmë kam humbur dy nga dhuratat që kisha për mbretin Tënd.”

Përsëri nisi udhën, po nuk e dinte ku të kërkonte. Kaloi tridhjetë e tre vitet e tjera duke udhëtuar vend me vend për atë mbret. Kudo që shkoi Artabani nuk gjeti mbret për të adhuruar, por shumë njerëz për të ndihmuar. Ushqeu të uriturit, veshi të zhveshurit, shëroi të sëmurët dhe ngushëlloi të burgosurit. Së fundi, kur qe në moshë të madhe, udhëtoi për herë të fundit për në Jerusalem, sepse ndjeu se diçka e veçantë po kryhej.

“Nuk e ke dëgjuar ç’po ndodh? – e pyetën, – sot do të kryqëzojnë Jisuin e Nazareth, i cili thotë se është Biri i Perëndisë dhe Mbreti i Judejve…”

Zemra e Artabanit rrahu fort. “Më në fund, kam rastin të ofroj perlën time të vyer për shpërblimin e jetës së Mbretit.”

Por, kur po vraponte drejt Golgothasë, pa një grup ushtarësh, të cilët po tërhiqnin një vajzë. Ajo u shpëtoi për një çast dhe u hodh papritur përpara këmbëve të Artabanit. “Më shpëto, – i thirri, – Do më shesin skllave. Më shpëto!”

Artabani hezitoi dhe nuk vendoste nëse kjo ishte një mundësi për të ndihmuar apo një lundim për të humbur përsëri Jisuin. Por, mëdyshja kaloi dhe ai nxori perlën e vyer dhe ua dha ushtarëve. “Ja ku është shpërblimi për jetën e kësaj vajze.”

Kur po fliste një tërmet i fuqishëm drodhi qytetin dhe një gur i madh ra nga çatia e shtëpisë aty pranë dhe e goditi Artabanin në kokë. Vajza që shpëtoi e pa të shtrirë në tokë duke lëvizur buzët, sikur të thoshte: “Jo kështu, Zot! Kur i pashë të uritur e ushqeva! Kur pashë të zhveshur e vesha! Kur pashë të etur i dhashë për të pirë! Kur pashë të huaj e ndihmova! Kur pashë të sëmurë ose në burg i vizitova! Për tridhjetë e tre vjet të kërkova, por kurrë nuk e pashë fytyrën Tënde e as nuk i shërbeva Mbretit tim.”

Buzët e tij ndaluan së lëvizuri dhe vajza dëgjoi një zë të ëmbël t’i përgjigjej: “Në të vërtetë po ju them; sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma keni bërë Mua!”

Një dritë e shkëlqyeshme rrezatoi prej fytyrës së Artabanit. Udhëtimi i tij përfundoi. Gurët e tij të çmuar u pranuan. Ai gjeti Mbretin e tij.