Në gazetën tuaj të datës 23 tetor 1996, nën okelion “themelet e ftohta presin ngrohtësinë e premtimeve”, është botuar artikulli “Katedralja në pritje…”, i cili shtron fakte të paqena…
Së pari, duhet të dini se, askush: organ, institucion apo personalitet, brenda apo jashtë kufijve, nuk e ka lodhur mendjen për të ndërtuar ndonjë kishë në Berat, përveç besimtarëve orthodhoksë beratas dhe Kryepiskopatës së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, drejtuar nga Kryepiskopi i saj, Imzot Anastasi.
Së dyti, askush nuk ka dhënë ndonjë investim, sado të vogël për ndërtimin ose meremetimin e kishave në Berat, përveç Kryepiskopatës sonë.
Ju shkruani se z. Athanasi (Antonio Athanas) nga Amerika, me origjinë shqiptare, paska deklaruar, madje edhe më tutje, sikur paska lidhur edhe një akt-marrëveshje me Bashkinë e Beratit, që kjo e fundit të bënte themelet dhe ai… të ndërtonte katedralen. Ne nuk dimë të ketë një akt-marrëveshje të tillë dhe nuk ka asnjë bazë logjike që Bashkia e Beratit të investojë për ndërimin e një kishe. E vërteta është se, themelet dhe çfarë është bërë deri më sot janë bërë me investimet e vetme të Kryepiskopatës.
Eshtë e vërtetë se z. Athanasi ka ardhur në Berat me një grup shokësh amerikano-shqiptarë dhe më pas, me sa dimë ne, ka dërguar nja 2 mijë dollarë si për ironi të asaj, që ai dhe stafi i tij u përcollën keq nga brthodhoksit beratas, në përgjigje të qëllimeve jo të mira të atij grupi për kishën tonë orthodhokse dhe për drejtuesit e saj. Që atëherë, pjesëtarët e atij grupi, edhe pse kanë ardhur në Shqipëri, nuk e kanë marë inisiativën për të ardhur në Berat.
Përfundimisht, ju themi juve… se Katedralja do të ndërtohet me fondet e Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale dhe jo me 2 mijë dollarë, që mund të kenë ardhur nga zotërinjtë e matanë kufirit, por me 700 mijë dollarët e Kryepiskopatës sonë…
Nga Kisha Orthodhokse Berat
Lidhja e Intelektualëve Orthodhoksë
Lidhja e grave Orthodhokse Berat