EmailFacebookKontakt

Nga bota e krishterë

Rumani
Thirrje intelektualëve nga Patriku

Sipas buletinit të informacionit ekumenik në anglisht “Religions life”, Patriku Teoktist, Primat i Kishës Orthodhokse të Rumanisë, u ka bërë një thirrje intelektualëve rumunë që t’i afrohen më shumë Kishës.

“Njerëzit duhet ta njohin mirë Kishën,- është shprehur ai gjatë një liturgjie në katedralen e qyteti Aleksandria,- e veçanërisht, intelektualët. Sidomos ata që shëtisin në dyert e Saj me hezitimin për të hyrë brenda dhe më vonë shkruajnë vepra të bukura mbi temën e Kishës, tepër të impresionuar nga arkitektura, ikonat e arti i saj, por që nuk bëjnë asnjë sforco për të hyrë në Kishë.

Në qoftë se krishtërimi, e veçanërisht ai orthodhoks, ka qenë vetëm një art, një filozofi apo një etikë, nuk kishte pse të mbijetonte 2 mijë vjet, duke qëndruar i pandryshuar përballë transformimeve historike dhe vuajtjeve që i janë dashur të durojë.”

Liban
U rindërtua Kisha e Manastirit të Shën Gjergjit

Kohët e fundit, pas rikonstruksionit të plotë, ka rifilluar të funksionojë Kisha e Manastirit të Shën Gjergjit në Suk-el-Garb, në rajonin e Malit Liban. Kisha ishte shkatërruar gati plotësisht në vitin 1993, gjatë luftës civile, e cila shkaktoi edhe eksodin e mijëra banorëve orthodhoksë.

Kisha e parë Kushtuar Shën Gjergjit u ndërtua aty në vitin 1570. Në vitin 1980 pranë saj u vendos edhe një komunitet i vogël monastik. Rindërtimi i Kishës përbën një nismë inkurajuese jo vetëm për rikrijimin e Manastirit, por edhe për të nxitur kthimin e popullisisë orthodhokse të dëbuar nga lufta.

Zvicër
Institut i ri teologjik orthodhoks

Në qytetin Shambesy, në afërsi të Gjenevës, ku ndodhet selia e Dioqezës Orthodhokse të Zvicrës, në tremujorin e dytë të 1997-s, do të hapë dyert një institut teologjik orthodhoks.

Ky institut ka për objektiv të ofrojë një formim passuniversitar, si dhe diplomën përkatëse për teologjinë orthodhokse, në fund të një cikli studimor dyvjeçar.

Krijimi i tij u bë i mundur nëpërmjet një marrëveshjeje të nënshkruar ndërmjet Mitropolitit Damaskino të Zvicrës, rektorit të këtij instituti, përfaqësuesit të Patrikanës Ekumenike, dekanit të fakultetit teologjik katolik të Freiburgut dhe dekanit të fakultetit autonom protestant të Gjenevës.

Sllovaki
Kishë e re orthodhokse

Kohët e fundit në qytetin e Sukovit në Sllovaki hapi dyert një Kishë e re orthodhokse. Shërbesa e bekimit u krye nga episkopi Nikolla i Presovit.

Kjo kishë është e tridhjeta e ndërtuar në Sllovaki që nga viti 1991, kur Komunitetit Orthodhoks të këtij vendi iu morën arbirtrarisht nga uniatët një pjesë e objekteve të kultit. At Imrih Belejkoniç, sekretar i Dioqezës së Presovit ka deklaruar, se për të plotësuar nevojat e besimtarëve orthodhoksë, tani duhet të ndërtohen edhe më shumë se 20 kisha të tjera.

Në vitin 1991 qeveria e Sllovakisë, vend ku dominon besimi katolik, i dha padrejtësisht uniatëve shumicën e vendeve orthodhokse të kultit, çka detyroi ndërtimin, mes shumë vështirësish, të kishave të reja. Sipas statistikave, sot në Sllovaki ka rreth 34 mijë besimtarë orthodhoksë.

Poloni
Një orthodhoks rektor akademie

Për herë të parë, një orthodhoks u zgjodh rektor i Akademisë së krishterë teologjike në Varshavë. Më 28 maj 1996, këshilli i akademisë zgjodhi për një periudhë trevjeçare episkopin Jeremia të Vroslavit, në krye të këtij institucioni, që kryen përgatitjen teologjike më të lartë për orthodhoksët, katolikët e vjetër dhe protestantët.

Episkopi Jeremia, 43 vjeç, ka kryer studimet e tij teologjike në Seminarin e Varshavës, në Akademinë teologjike të Moskës dhe në Fakultetin e teologjisë protestante të Zyrihut. Akademia Teologjike e Varshavës është krijuar pas luftës së II Botërore dhe konsiston në një studim prej pesë vjetësh të ndarë në tre drejtime në përgatitjen e studentëve, duke ruajtur njëkohësisht përkatësinë fetare të secilit. Një pjesë e lëndëve (gjuhët e vjetra dhe të reja, filozofia, sociologjia dhe historia e feve, si edhe historia e lëvizjeve ekumenike) është e përbashkët për studentët, ndërkohë që lëndët e tjera, sipas specifikimeve teologjike të çdo kishe zhvillohen më vehte.

Ndër 185 studentë të regjistruar këtë vit, 76 janë orthodhoksë.

Gjermani
“Jemi pjesë e shoqërisë”

Orthodhoksët gjermanë duhet të integrohen në shoqëri, si dhe në çështjet të ndryshme të jetës social-ekonomike të vendit, por, duke ruajtur gjithnjë identitetin e tyre fetar,- deklaroi Mitropoliti Agustin, i cili drejton dioqezën e Patrikanës Ekumenike.

– Në Gjermani ne duhet të integrohemi dhe të ngrihemi në këmbë. Ne duhet të konsiderohemi si pjesëtarë të gjithë kësaj shoqërie dhe nuk duhet ta ndjejmë veten pjesë të huaj”,- vazhdoi ai në diskutimin e mbajtur në një kolokium të zhvilluar në akademinë “Rabarus Maurus” në Visbaden. Në këtë takim, midis të tjerash, ai kërkoi të themelohet një manastir orthodhoks, sipas ligjeve që veprojnë në territorin gjerman.

Kolokiumi u zhvillua për situatën dhe perspektivën e orthodhoksisë në Gjermani, në kuadrin e 40-vjetorit të Këshillit për Kishat Lindore, një organizëm i krijuar pas Luftës nga Këshilli Botëror i Kishave, që të siguronte asistencë materiale për klerin orthodhoks në Gjermani.

Finlandë
Episkopi Ambroz zgjidhet Mitropolit

Sinodi i Kishës Orthodhokse Autonome të Finlandës, i mbledhur në qytetin Kupio, zgjodhi episkopin Ambroz Mitropolit të dioqezës të Ulus, më veriorja e dioqezave finlandeze.

Ai zëvendëson Mitropolitin Tihon, i zgjedhur në maj në krye të dioqezës së Helsinkit. Imzot Ambrozi është diplomuar në universitetin e Helsinkit dhe në atë të Kembrixhit. I hirotonisur më 1980, tetë vjetë më vonë është dorëzuar episkop i Joenskut në Kareli. Ai është mjaft i dalluar dhe një ndër përfaqësuesit kryesorë të Kishës Orthodhokse Autonome të Finlandës në lëvizjet ekumenike.

Itali
Zgjidhet Mitropoliti i ri

Pas emërimit të Mitropolitit Spiridhon në krye të Dioqezës së Kishës Orthodhokse të Amerikës së Veriut dhe Jugut, në drejtimin e Dioqezës Orthodhokse të Italisë, e cila është nën juridiksionin e Patrikanës Ekumenike, u zgjodh si Mitropolit i ri i saj episkopi Genadios.

Dioqeza e Italisë numëron sot rreth 12 enori dhe ka selinë e saj në Napoli.

Siri
Seminar me gra orthodhokse

Në Manastirin e Shën Gjergjit të Hojmares, Siri, u zhvillua një seminar me rreth dyzetë gra orthodhokse nga dioqezat e Patrikanës së Antiokisë në Siri dhe Liban, me temë “Gruaja në Kishë.”

Ky ishte i pari takim i këtij lloji i zhvilluar në këtë Patrikanë dhe u organizua me përkrahjen dhe nxitjen e Patrikut të Antiokisë Ignati IV.

Marrë nga SOP-i
Përgatiti Erin Prifti