Një ndër objektivat kryesore të Kryepiskopit Anastas, që më ardhjen e Tij, ishte krijimi i një shkolle për formimin e klerit orthodhoks. Për këtë në mjediset e plazhit të Durrësit u mor me qera për katër vjet me radhë një hotel për zhvillimin e procesit mësimor.
Njëkohësisht u bë një kërkesë në qeveri për dhënien e një trualli për ndërtimin e shkollës, por nuk u mor asnjë përgjigje. Ndaj, u vendos që ndërtesa e shkollës të bëhej në vendin e lirë në territorin e Manastirit të Shën Vlashit. Si firmë ndërtuese u zgjodh “Etan Overseas” dhe më 19 nëntor 1994, Fortlumturia e Tij Anastasi bëri bekimin dhe vendosi gurin e themelit.
Sipas projektit, i cili është bashkëpunim i Zyrës së Shërbimit Teknik me firmën ndërtuese, objekti do të këtë një një sipërfaqe 2800 m2 dhe do të zhvillohet në katër nivele.
Në anën lindore dhe veriore të kodrës së manastirit u bënë punime për të krijuar nivelin e themeleve. U bënë më tepër se 6 mijë m3 gërmime, që zgjatën një muaj. Më pas filloi ndërtimi i themeleve, të cilat janë në betonarme me trashësi 50 cm. Në këtë fazë u montua edhe gjithë rrjeti i shkarkimit të ujrave të zeza për të gjithë kompleksin, si dhe u bë drenazhmi i territorit dhe tre gropa septike. Këto punime mbaruan në shkurt 1995.
Ndërsa, për të bërë të mundur transportimin deri në vend të parafabrikateve, u bë i nevojshëm rregullimi i rrugës për në Manastir, si dhe asfaltimi deri tani i 300 metrave të saj, me gjerësi 3.5 m.
Në prill 1995 filloi faza e parë e ndërtimit me parafabrikate e pjesës së poshtme. Ajo përfshinte hyrjen dhe recepsionin, konviktin magazinat dhe mjedise çlodhjeje. Këto ndërtime kapin një sipërfaqe rreth 1500 m2.
Faza e dytë, pjesa e mesit, nuk është ndërtuar me parafabrikate. Ajo përfshin ndërtimin e sallës së ngrënies, kuzhinës, magazinës, kabinës së transformatorit dhe gjeneratorit, kaldajës depozitës së ujit me gjithë sistemin e pompimit, si dhe mjedise të tjera ndihmëse dhe kap një sipërfaqe rreth 500 m2.
Për fazën e tretë punimet tashmë kanë filluar dhe do të përfshijnë: kishën e Seminarit, bibliotekën, sallat e mësimit, zyrën e administratës, zyrat e mësuesve, një magazinë, si dhe mjedise ndihmëse. Ato do të zënë një sipërfaqe rreth 800 m2.
Vlera e përgjithshme e punimeve të deritanishme i ka kaluar njëqind e njëzetë milionë lekë.
Zyra e Shërbimit Teknik