EmailFacebookKontakt

Filloi jetën Seminari i ri Orthodhoks “Ngjallja e Krishtit”

– Më 17 tetor, Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi, vizitoi Seminarin dhe kreu Shërbesën e Bekimit me ajazmë. –

Shkolla Teologjike Hieratike “Ngjallja e Krishtit”, që nga 1 tetori, ka hyrë në ndërtesën e saj të re. Më në fund u lanë pas 5 vjet të vështira në mjedisin e kampit të punëtorëve në Durrës. U lanë pas edhe sa e sa përpjekje e kërkesa të pafryt-shme, për të na dhënë një truall ku ta ngrinim…

Më 17 tetor, Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi, vizitoi Seminarin dhe kreu Shërbesën e bekimit me ajazmë. Në fjalët drejtuar studentëve e pedagogëve Ai theksoi, se ëndrra për ta parë këtë shkollë iu bë realitet dhe vazhdoi “Kush mund të besonte 5 vjetë më parë se do të mund të kishim një seminar kaq të bukur, sa ky i yni? Shumë njerëz mund të kenë menduar, se një gjë e tillë do të ishte e pamundur për një periudhë të shkurtër kohe. Megjithatë, si të krishterë, ne nuk duhet të kemi frikë të ëndërrojmë dhe të ëndërrojmë ëndrra të mëdha për Perëndinë.”

Më pas, Kryepiskopi Anastas u ndal në etapat që u kaluan, deri sa u arrit tek ndërtimi i shkollës.

Shkolla Teologjike Hieratike e Durrësit, që nga marsi i vitit 1992, kur hapi dyert, ka përgatitur gati 90 klerikë, të cilët shërbejnë jo vetëm në vendet e origjinës, por kudo ku ka nevojë Kisha.

Viti shkollor 1996-1997 filloi me 50 studentë, 23 që hyjnë në vitin e tyre të tretë dhe përfundimtar të studimeve, 8 që vazhdojnë vitin e dytë dhe 19 nisën vitin e parë. Ata janë me moshë 18-46 vjeç. Njëzetekatër prej tyre janë të martuar. 42 studentë kanë mbaruar arsimin e mesëm, ndërsa 8 kanë kryer studime universitare.

Deri tani, në Seminar japin kontributin e tyre 9 mësues nga Shqipëria, Amerika dhe Greqia.

Lëndët që mësohen në vitin e parë janë: Hyrje në Dhiatën e Re, Hyrje në Dhiatën e Vjetër, Dogmatikë, Histori Kishtare, Patrologji, Etikë, Liturgjikë, Jetë Shenjtorësh, Muzikë Bizantine, Ikonografi dhe Arkitekturë Kishtare, si dhe një gjuhë të huaj. Në vitin e dytë bëhen: Ungjilli i Joanit, Veprat e Apostujve, Dhiata e vjetër, Dogmatika, Histori Kishtare, E Drejta kanonike, Etika, Liturgjika, Jeta e Shenjtorëve, Muzika bizantine, Ikonografia, Arkitekturë Kishtare dhe një gjuhë e huaj. Në vitin e tretë: Studimi Ungjijve të të kremteve, Dogmatika, Kujdesi Baritor, Teleturgjika, Pendimi, Rrëfimi, Jetët e Shenjtorëve, Histori Kishtare, Muzikë Bizantine, Teoria e Ikonografisë, Arkitekturë Kishtare dhe gjuhë e huaj.

Programi i mësimeve zhvillohet nga e hëna deri tek e premtja, me pesë orë mësimi çdo ditë, si dhe me shërbesat e Mëngjesores, Mbrëmësores dhe Pasdarkës dhe Liturgjitë Hyjnore të të kremteve. Veç këtyre, sipas radhës kryhen nga studentët edhe shërbime të ndryshme.

Shkolla, gjithashtu, kryen veprimtari të ndryshme dhe mësime katekizmi në zonën e Shën Vlashit, si edhe në qytetet e Durrësit dhe Kavajës. Në Durrës studentët e Seminarit vizitojnë çdo javë spitalin, duke u dhënë kurajo dhe duke përkrahur shpirtërisht të sëmurët, si dhe shkollën për fëmijët handikapatë.

Në Kavajë studentët do të vizitojnë çdo javë azilin, duke ofruar shpresën dhe dashurinë e Perëndisë tek shumë nga këta njerëz që jetoj në të vetmuar.

At Luka Veroni