Nga Theodor Papapavli
I. Më 17 tetor, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas kreu Shërbesën e Bekimit (Ajazmës), të Shkollës Teologjike Hieratike në Shën Vlash të Durrësit. Ajo ngrihet pranë ndërtesave të rindërtuara të Manastirit, të destinuara për murgjërit e ardhshëm shqiptarë.
Ndërtesa e Shkollës Teologjike Hieratike është një kompleks mjedisesh moderne, me një strukturë bashkëkohore tepër funksionale, e pajisur me të gjitha elementet e nevojshme për zhvillimin e mësimit dhe studimit, me kushte optimale jetese dhe mjedise çlodhjeje. Për të siguruar zhvillimin e pandërprerë të programit mësimor dhe kushtet e jetesës, ndërtesat janë pajisur me gjeneratorë energjie, sistem ngrohje me kaldajë dhe me sistem furnizimi me ujë të pijshëm nga burimet lokale, të cilat i sigurojnë autonomi funksionimi. Me objektet e tjera që po ndërtohen, shumë shpejt Shën Vlashi do të shndërrohet, përveç se një vend pelegrinazh, siç ka qenë në shekuj, edhe në një qendër të madhe të orthodhoksisë në Shqipëri, ku mund të organizohen veprimtari fetare-kulturore e artistike kombëtare e ndërkombëtare.
Kështu, pas shumë peripecish në këto pesë vjetë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka Shkollën e vet Teologjike, me të cilën krenohemi të gjithë dhe falënderojmë Fortlumturinë e Tij, Anastasin për këtë dhuratë të çmuar, fryt i dashurisë së Tij ndaj Komunitetit orthodhoks të Shqipërisë.
Rëndësia e kësaj Shkolle është jashtëzakonisht e madhe për zhvillimin e arsimit teologjik në Shqipëri. Ajo do të jetë fidanishtja e formimit orthodhoks të klerit të ulët dhe të lartë, faktor me peshë për lulëzimin dhe lartësimin e KOASH-it në nivelet e vendeve të tjera orthodhokse. Ndoshta brezat që do vijnë, kur pasionet e tanishme do mbeten një kujtim i hidhur i së kaluarës, do ta quajnë atë me emrin e Prof. Dr. Anastas Janullatos. Kjo do të ishte shprehja më fisnike e mirënjohjes dhe dëshmi-simbol i miqësisë midis dy popujve fqinjë.
II. Bekimi i Shkollës Teologjike Hieratike më jep rastin që, si një pedagog i saj dhe si një ndër bashkëpunëtorët e Kryepiskopit në veprën e ringjalljes së Kishës sonë, të bëj disa vlerësime rreth punës dhe personalitetit të tij:
Së pari, misioni i tij në Shqipëri nuk ishte thesht një detyrë thjesht organizative për ngritjen e lokaleve të kultit dhe përgatitjen e klerit, por, mbi të gjitha, një MISION APOSTOLIK për rizgjimin e ndjenjës së besimit. Gjatë regjimit komunist, nga dhima e terrori antifetar, ndjenja e besimit u dobësua aq shumë te brezi i vjetër, sa po të mos triumfonte demokracia do të shuhej gradualisht. Nga ana tjetër brezat e rinj u rritën dhe u edukuan nër katër dekada që në çerdhe e kopshte, në shkollat fillore të mesme e të larta, me ideologjinë ateiste të komunizmit dhe për pasojë, nuk e njohën fare ndjenjën e besimit. Prandaj, kjo ndjenjë – imanente për njeriun, që regjimi diabolik i Enver Hoxhës deshi ta çrrënjoste, duhej kultivuar përsëri, duhej predikuar sërishmi UNGJILLI. Për rrjedhim, ringjallja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë merrte karakterin dhe dimensionet e një MISIONI APOSTOLIK për riungjillëzimin e Komunitetit Orthodhoks në Shqipëri.
Fill pasi erdhi, Kryepiskopi iu përvesh punës me një përkushtim të lartë. I ndihmuar nga përvoja misionare dhjetëvjeçare e punës, që kishte grumbulluar në dioqezën e Afrikës Lindore (Kenia, Ugandë, Tanzani), Fortlumturia e Tij veproi me shpejtësi, duke i bërë ballë me guxim problemeve të shumta e të ndërlikuara të këtij misioni. Kënaqësia e Tij më e madhe, në mes të telasheve e vështirësive të panumurta, ishte kur shikonte se si gjallërohej ndjenja e besimit tek brezi i vjetër dhe si mbinte e rritej kjo ndjenjë te brezat e rinj. Atë e gëzonte fakti se kishat nisën të mbushen plot e përplot me besimtarë, sidomos në të dielat dhe të kremtet orthodhokse, kur përkrah të moshuarve shihte djemtë e vajzat, që, me rininë dhe hijeshinë e tyre zbukuronin celebrimin e Liturgjisë Hyjnore, ndonëse të lindur, të rritur dhe të edukuar në një shtet ateist. Mendoj se riungjillëzimi i Komunitetit Orthodhoks në Shqipëri është arritja më e madhe e misionit të Tij.
Së dyti, ky mision u ndesh me pengesa dhe vështirësi të mëdha, të paimagjinueshme për Të, kur shkeli truallin shqiptar para pesë vjetësh. Ky mision kishtar u shndërua në “via dolorosa”, udhë e dhimbjes, e mundimeve. Kushdo që të ishte në vendin e Tij do të jepte dorëheqjen dhe do të largohej, por Ai nuk e braktisi detyrën. Fushata denigruese në shtyp, me fyerjet më të rënda dhe shpifjet më të ulta, poshtëruese për personalitetin e Tij, të cilat ngjallnin me të drejtë indinjatë, ai i përballoi me durim, urtësi, guxim e dinjitet dhe më në fund, lavdi Zotit, doli faqebardhë e i nderuar. Vetë Presidenti i Republikës, prof. dr. Sali Berisha, gjatë vizitës së urimit në Kishë me rastin e Pashkës, duke e takuar përzemërsisht Kryepiskopin, midis të tjerave i tha: “Dua t’Ju shpreh edhe një herë vlerësimin tim të madh për kontributin Tuaj dhe klerikëve të të tre komuniteteve, që në këtë periudhë të rilindjes kombëtare shqiptare dhatë një ndihmesë shumë të çmuar në rilindjen e vlerave fetare, pa të cilat shpirti është një shkretëtirë.” Kjo deklaratë e Kryetarit të Shtetit ishte një vlerësim i lartë që i bëhej punës së Kryepiskopit për ringjalljen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ajo e bëntë pluhur fushatën denigruese disavjeçare kundër veprës së Tij të ndritur në ndihmë të Komunitetit tonë Orthodhoks. Forcën e guximin, me të cilat përballoi shpifjet e fyerjet ia jepte karakteri i Tij i paepur, ndjenja e lartë e detyrës dhe përgjegjësisë, bindja e patundur se i Shërbente Perëndisë dhe orthodhoksisë, se Zoti i ishte përkrah edhe në rrethanat më të rënda e që duheshin pa rrugëdalje, siç ishte rasti i Referendumit për Projektkushtetutën e re. Ai kurrë nuk u tremb dhe as u tërhoq, sado të mëdha të ishin presionet dhe ngado që të vinin. Një rast i vogël, tepër shprehës: Dy vjet më parë, kur, që në mëngjes ishte nisur nga Tirana për në Berat, për të bekuar themelet e Kishës së re të qytetit, tek Ura e Kuçit, që e ndan Beratin me rrethin e Lushnjes, i doli përpara shefi i komisariatit të policisë së Beratit dhe i tha se nuk mund të hynte në qytet. Pasi e pyeti për arsyen dhe konstatoi se ishte e pamotivuar ligjërisht, urdhëroi shoferin të vazhdonte rrugën. Në Berat e priste një turmë e madhe besimtarësh orthodhoksë, bëri bekimin e themeleve dhe u kthye në Tiranë.
Së treti, Imzot Anastasi, duke ardhur në Shqipëri sillte me vete mesazhin e ndjenjave të pastra të dashurisë, të miqësisë dhe të vëllazërimit. Ai i ngjante një ambasadori të një tipi të veçantë-ekleziastik, që vinte i pari në Shqipëri nga Greqia në fillimet dramatike të demokracisë. Ai përjetoi me dhimbje fazën e tranzicionit të shoqëruar me kolapsin e jetës ekonomike, me varfërinë e madhe dhe anarshinë dhe u përpoq me të gjitha mjetet financiare dhe materiale, të zbuste sadopak egërsinë e kësaj faze. Gjithashtu, Kryepiskopi u preokupua mjaft për fatin e refugjatëve shqiptarë, që, në konjukturat e politike të kohës dëboheshin në masë nga Greqia, duke ndërhyrë publikisht në favor të tyre. Nga ana tjetër, përdëllimi ndaj njerëzve të sëmurë që kërkonin ndihmën e tij, njihet tashmë nga të gjithë. Me dhjetra e qindra të sëmurë, pa shpresë shërimi në atë kohë në Shqipëri; fëmijë, djem e vajza, burra e gra, u shtruan dhe u mjekuan gratis në spitalet e Athinës, Selanikut lë Janinës. Megjithatë, na vjen turp të kujtojmë se, kur u sëmur vetë nga një infeksion i rrezikshëm në sy, iu pengua për mosdhënie vize mundësia e shtrimit në një klinikë të specializuar.
Në përfundim, doja të shtoja edhe këto konsiderata:
Mendoj se ishte një fat i madh për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që ringjallja e Saj iu besua Imzot Anastasit, bir i nderuar i popullit dhe i kulturës greke, një hierark i shquar i Kishës Orthodhokse dhe i mbarë krishtërimit. Ringjallja e Kishës sonë me forcat e veta, pa kuadro, pa fonde dhe pa asnjë ndihmë nga komunitetet orthodhokse të diasporës shqiptare, do të ishte shumë shumë e vështirë dhe për arritjen e rezultateve të shpejta e të mëdha, te realizuara në pesë vjetë nën udhëheqjen e Fortlumturisë së tij, do të duheshin dekada të tëra.
Nga ana tjetër, duan apo nuk disa njerëz dhe rrethe të caktuara, historia e ringjalljes së KOASH-it në këtë fundshekulli do të jetë e dominuar nga vepra e pavdekshme dhe personaliteti dinamik dhe me reputacion ndërkombëtar i Kryepiskopit Anastas. I angazhuar me përkushtim të lartë, si misionar i palodhur i mësimeve të Zotit tonë Iisu Krisht, duke ecur në rrugën e traditës së autoqefalisë së hierarkëve të mëdhënj dhe të nderuar të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, me në ballë Kryehierarkun Imzot Fan Nolin, Kryepiskopi Anastas është bërë një figurë e dashur dhe e respektuar e mbarë Komunitetit orthodhoks në vendin tonë dhe një faktor i ruajtjes së unitetit fetar mbarëkombëtar. Parvjet, kur u nderua me titullin e lartë anëtar i Akademisë Shkëncave të Athinës, në fjalimin ceremonial që mbajti me këtë rast, Kryepiskopi deklaroi se Shqipëria mund të merrej si shembull në botë për bashkekzistencën paqësore midis komuniteteve fetare, të arritur mbi bazën e respektit të ndërsjelltë.
I ndërgjegjshëm për rëndësinë e madhe shoqërore që përfaqëson harmonia fetare në një shtet plurikonfensional, Kryepikopi i kushton një rëndësi parësore marrëdhënieve të mira dhe mirëkuptimit të plotë me drejtuesit e komuniteteve të tjera fetare të Shqipërisë.
Lusim Zotin që t’i japë Fortlumturisë së Tij Anastasit shëndet dhe jetë të gjatë, për vazhdimin e veprës së tij të ndritur.
Tiranë, 21 tetor 1996
Theodor Papapavli
pedagog në Shkollën Teologjike Hieratike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë