EmailFacebookKontakt

Rilindje shpirtërore e një qyteti

Në qytetin e Tepelenës jetojnë edhe mjaft besimtarë të krishterë orthodhoksë. Brezi më i vjetër kujton me mall dhe i ruan traditat e besimit, edhe pse për disa dekada regjimi ateist u përpoq t’i shuante. Por, edhe tek brezi i ri ato po krijohen e po bëhen pjesë e jetës. Çdo ditë që kalon bën të kuptohet se pa ndihmën e Perëndisë, pa besimin tek Zoti, njeriu do të ishte një qenie fatkeqe dhe pa perspektivë.

Para disa kohësh, me interesimin e Këshillit Kishtar të qytetit dhe kujdesin e Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës, në Tepelenë është çelur edhe një Kishë e përkohshme, në një mjedis të marrë me qera, ku janë zhvilluar disa Shërbesa e Liturgji Hyjnore në të kremtet e mëdha Orthodhokse. Gjithashtu, me interesimin e besimtarëve është ngritur edhe një konizmë e vogël, në vendin ku ngrihej më parë kisha e vjetër e qytetit. Dëshira e qytetarëve është që të ngrihet një kishë e rregullt, por organet e pushtetit lokal deri tani nuk japin shesh ndërtimi brenda qytetit.

Ka edhe probleme të tjera të mprehta: Para tre muajsh, siç është bërë e njohur edhe në gazetën “Ngjallja”, ndodhi një akt i shëmtuar. Elementë të paidentifikuar ende hynë në Kishën provizore, mblodhën në mes të saj ikonat, Kryqin, Ungjillin etj., dhe u vunë zjarrin. Të gjitha këto i bënë natën, duke shpërthyer derën, sepse “Ata nuk mund të flenë po të mos kenë bërë të keqen” (Fjalë të urta 4:16). Kjo u dënua nga banorët e qytetit, që respektojnë besimet e njëri-tjetrit.

Llukan Stavri