EmailFacebookKontakt

U gjet Epitafi i Gllavenicës

Si rrjedhim i një aksioni të suksesshëm të forcave të rendit, të cilave u takon falenderimi, u bë e mundur gjetja e Epitafit të Gllavenicës dhe 4 ikonave orthodhokse të mjeshtrave të shquar, vjedhur më 2 shkurt 1996. Objektet e gjetura nga policia janë:

– Epitafi i Gllavenicës, qëndisur nga murgu orthodhoks Aranit, që mban datën 1373. Një kryevepër e përkushtimit ndaj Perëndisë, por edhe me vlera të mëdha historike, sepse jep të dhëna për princërit shqiptarë të kohës.
– “Hyrja e Shën Marisë në Tempull”, ikonë në dru e Onufrit, vepër e shek. XVI.
– “Hyrja e Shën Marisë në Tempull”, ikonë në dru e David Selenicasit, e shek XVIII.
– “Vajtimi mbi varrin e Krishtit”, ikonë në dru e David Selenicasit, shek. XVIII.
– “Metamorfoza e Shpëtimtarit”, ikonë në dru e David Selenicasit, shek. XVII.

Për herë të parë hasim në një ndryshim tendence: Deri tani kemi dëgjuar vetëm për vjedhje, humbje, dëmtime e shkatërrime të trashëgimisë së mrekullueshme shpirtërore të Komunitetit Orthodhoks, me vlera të pallogaritshme dhe për kulturën kombëtare.

Por, ndërsa gëzohesh për çka u arrit, trishtohesh kur mendon fatin e pasigurtë të qindra e mijëra ikonave të tjera, të vjedhura ose ende të pasiguruara në duart e shtetit, me vlera më të pakta kulturore e artistike – por, të njëjta shpirtërore.

Gjithashtu, zorr se këto humbje e “gjetje” do bëjnë ndonjë pushtetar të reflektojë për nevojën që ato t’i kthehen pronarit dhe krijuesit të këtyre vlerave – Komunitetit Orthodhoks të Shqipërisë.

Por, prapëseprapë, sërish faleminderit forcave të rendit.

Korresp. i “Ngjalljes”