EmailFacebookKontakt

Qendër kryesore e studimeve dhe kërkimeve teologjike

Instituti Teologjik i Halkit u ngrit më 1844 e u bë një qendër teologjike me rëndësi dhe një fener i Orthodhoksisë. Më 28 gusht u mbushën 152 vjet nga themelimi i këtij instituti, i cili prej 25-vjetësh, nuk funksionon, i mbyllur nga qeveria turke.

Rëndësia e veçantë e Institutit, që e shquan ndër shkollat e tjera teologjike Orthodhokse, qëndron në karakterin e tij ekumenik. Ai s’ka qenë thjesht një institut kulturor shpirtëror për të mbuluar nevojat për klerikë të lartë. Por ka qenë njëkohësisht dhe qendra më kryesore e studimeve dhe kërkimeve teologjike për nevojat e brendshme e të jashtme të Patrikanës Ekumenike (siç janë p.sh. përballimi i problemeve të ndryshme teologjike, botimi i revistave teologjike, teksteve biblike e liturgjike, puna konsultative nëpër komisionet e ndryshëm sinodike etj.), për mbajtjen dhe deshminë e besimit të pastër orthodhoks, kundërshtimin e sistemeve filozofike antikristiane proselitizmit katolik e protestant, që sulmonte dhe sulmoi orthodhoksinë e të tjera. Biblioteka e tij e pasur dhe e sinkronizuar, i shërbeu një edukimi bashkëkohor në gjithë degët e teologjisë.

Më 1994 u kremtua 150 vjetori i themelimit të tij, me manifestime të ndryshme kulturore, që u kurorëzuan me Meshën Hyjnore. Në këtë përvjetor mori pjesë dhe Kisha jonë Orthodhokse Autoqefale, e përfaqësuar nga Fortlumturia e Tij Anastas, si shprehje e mirënjohjes për një sërë kuadrosh shqiptarë që janë përgatitur diplomuar në të dhe kanë shërbyer me dinjitet, qoftë si hierarkë e klerikë, qoftë si laikë (profesorë universiteti e shkollash të mesme).

Më poshtë po japim edhe një listë me disa nga shqiptarët e diplomuar në këtë Institut.

Teologë me origjinë shqiptare që janë diplomuar në Institutin Teologjik të Halkit

– Ambrozi nga Korça. U diplomua më 1854 dhe më 1875 u bë episkop Jerisosë.
– Stefan Suli nga Korça. U diplomua më 1872. Tema e diplomës: “Mbi pagabueshmërinë e Papës që është gabim”. Shërbeu si Arkidhiakon i disa mitropolive.
– Vasil Papakristo nga Labova e Kryqit. Tema e diplomës (1882): “Kundër pagëzimit me spërkatje.” Mitropolit i Gjirokastrës.
– Joaqim Martiniani nga Voskopoja. U diplomua më 1898. Tema: “Me të drejtë Kisha Orthodhokse e Lindjes e shpalli Kostandinin e Madh të barabartë me Apostujt”. Mitropolit i Beratit.
– Harailamb Donati nga Përmeti. Diplomuar më 1903. Profesor laik.
– Jorgji Ikonomidhi nga Gjirokastra. Diplomuar më 1904. Tema: “Zbritja e Zotit në Ferr”. Profesor dhe prift në Stamboll dhe më vonë në Amerikë.
– Dhimitër Bainiku, nga Hllomoja e Pogonit. Diplomuar më 1905. Tema: “Mbi marrëdhëniet e Joan Gojartit me oborrin Bizantin”. Prift në Stamboll e më vonë në Amerikë.
– Kristofor Kissi nga Berati. Diplomuar më 1906. Tema: “Mbi prejardhjen e jetës monakale”. Profesor në Korçë. Prift dhe profesor në Pera të Stambollit. Kryefamulltar në Makrohor të Stambollit. Episkop i Sinadës. Kryepiskop i Tiranës.
– Jerothe Jaho nga Carshova e Përmetit. Diplomuar më 1907. Tema: “Hirotonia dhe zgjedhja kanonike e Fotit”. Kryefamulltar në Halqidon të Stambollit. Episkop i Melitupojës; Eksark patriarkal në Korçë. Përfundoi në Ajonoros.
– Apostol Meksi nga Labova e Gjirokastrës. Diplomuar më 1911. Tema: “Martesat mikse dhe zgjidhja e tyre”. Profesor në shkolla të ndryshme të Stambollit dhe Institutin Teologjik të Halkit.
– Ilia Jorgji, nga Carshova e Korçës. Diplomuar më 1911. Tema: “Grada e episkopit është e hyjinspiruar sipas Dhiatës së Re dhe sipas Etërve Apostolikë”. Arsimtar në Stamboll.
– Athanas Papathanasi nga Elbasani. Diplomuar më 1917. Tema: “Mbi jetën private të klerikëve sipas idesë së kanuneve të shenjta”.
– Vasil Ioanidhi nga Përmeti i Korçës. Diplomuar më 1919. Tema: “Familja në socializëm”. Profesor në institutet teologjike të Selanikut të Athinës.
– Nikolla Nasi nga Përmeti. Diplomuar më 1944. Tema: “Kisha sipas Joan Gojartit”. Laik në Amerikë.