EmailFacebookKontakt

Nëpër labirintet e egoizmit

Egoizmi. Vuajtje e hidhërime, tmerre e luftëra të përgjakshme, janë një pjesë e konsiderueshme e tabllosë së jetës njerëzore. Gjatë jetës njeriu shpesh ndjehet fatkeq, dëshpërohet, prandaj kërkon rrugëdalje, kërkon ndihmë. Të shumtë janë ata që ngrejnë duart e sytë e tyre lart në qiell, nga ku presin shpëtim prej Zotit. Për ta lehtësuar njeriun, mendimtarët janë përpjekur të hyjnë në brendësi të shkaqeve të vuajtjeve e ta orientojnë sadopak drejt një jete më të qetë. Së fundi, thuajse njërëzi, mendojnë se çdo e keqe në botë rrjedh nga vetë njeriu mëkatar biblik, nga mosbesimi i tij edhe nga egoizmi.

Egoizëm! Fjalë e rëndomtë, por shkatërrimtare dhe burim i gjithë të këqijave që ndodhin në shoqërinë njerëzore. E keqja vazhdon! Nga egoizmi, si degët e një bime, nxjerrin krye mosbërëmirësia, mosdashuria për të afërmin, cmira, prepotenca etj. Duke iu drejtuar Krishtërimit shikojmë se egoizmin ai e pranon si rrënjën e të këqijave. Ja ç’thotë Jakovi 4;1-2, “Nga vijnë luftërat e grindjet që keni mes jush?” pastaj përgjigjet: “nga pasionet egoiste që zjejnë brenda jush… jini smirëxhinj, xhelozë”.

Përpjekje pa rezultate. Kërkimi i rrugëve për kufizimin e egoizmit është një problem shekullor. Qëndrimi kritik ndaj “unit” njerëzor ka preokupuar filozofet, psikologët, shkrimtarët etj., që kanë folur e shkrojtur shumë për vetveten. Le të përmendim se në fasadën e Delfit ishte shkrojtur “Gnothi se afton” (njih vetvehten). Diku tjetër, si mjet për ndreqjen e tij, propozohej që të merret estetika. Por, po të vesh si bazë estetikën për formimin e dinjitetit njerëzor është njëanshmëri e cektësi. E bukura ekziston edhe në tragjiken, por me tragjeditë e Shekspirit nuk mund të arrihet sadopak një katarsis i shpirtit njerëzor. Të tjerë venë kusht regjimin politik dhe sistemin arsimor e shoqëror. Por, faktikisht kanë kaluar shekuj dhe sot në shoqërinë njerëzore kaq të emancipuar nuk po duket ndonjë “pastrim”. Përkundrazi, shekulli i XX vërtetoi se të këqijat janë shtuar në mënyrë skandaloze. Mund të thuhet se përpjekjet njerëzore kanë shkuar kot ose ngjasin një fishek zjarri që ngrihet lart në qiell e nuk shpërthen.

Ku duhet të bazohemi. Pedagogët e mëdhenj na mësojnë se që të luftohet një ves ose një zakon i keq, ai duhet kundërvënë ndaj një zakoni të mirë. Kështu, që të luftohet egoizmi – ai duhet vënë përballë me modestinë, dashurinë për të tjerët. Që kjo praktikë të realizohet, si pikëmbështetje duhet të merret Krishterimi, tek i cili mund të merret Dritë Shpëtimtare. Le të sjellim fjalët e Iisuit: “Unë jam Drita e botës. Kush vjen pas meje nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë Dritën e Jetës”. Krishti na tregon rrugën ku duhet të kalojë çdo i krishterë. “Ai i brumos ata me dashamirësi dhe godet egoizmin, Perëndia është kundër kryelartëve”, flet Jakovi. Nga ana tjetër Shën Pavli na mëson se duhet të godasin egoizmin duke treguar se modestia është një nga virtytet më të larta të njeriut. “Askush mos ta çmojë veten më tepër se sa vlen”. Shpëtimtari ynë me shembullin e tij na dha mësime, duke na treguar se: “Kushdo që të jetë në krye, duhet të jetë shërbëtor i të gjithëve”. Sa kuptimplotë dhe mësimdhënës është shembulli personal i Iisuit, i cili mbasi jua lau këmbët nxënësve iu tha:

“Unë jam Zoti juaj dhe Mësuesi juaj, e megjithatë, sapo ju lava këmbët. Që tani ju duhet t’ua lani këmbët njëri-tjetrit”, Joani 13;14-15. Gjithashtu, Perëndia nuk pëlqen mëndjemadhësinë, por kërkon thjeshtësi. Në Dhiatën e Vjetër Jakovi 4,6 sqaron se “Perëndia kundërshton shton njeriun mendjemadh, ndërsa atyre që mendojnë pak për veten e tyre u drejton dashurinë e Tij”. Në themel të Krishtërimit qëndron porosia e Krishtit se duhet të ndihmojmë të afërmit tanë të jetojnë me hallet e të tjerëve e jo të mbyllemi në kënaqësitë tona egoiste. Le të studjojmë paravolinë e samaritanit, të djalit plankprishës etj. Sa do të na ulet egoizmi! Sa do t’a kuptojmë unin tonë të sëmurë! Në këto raste, duhet të kemi parasysh se mirësia jonë shpërblehet nga Zoti. Ja ç’na mëson Iisui: “Lum ata që vuajnë nga hallet e botës, sepse Zoti do t’ua heqë barrën” (Matth 5, 4).

Gaqo Baze