EmailFacebookKontakt

“Ky bashkëpunim ishte shpërblimi më i madh”

Në verën e vitit 1996, një seminarist shqiptaro-amerikan i cili studion në Seminarin e “Shën Vladimirit” të New Yorkut, SHBA, punoi në dioqezën e Korçës. Andreë J. Rubis (Andrea) ka punuar edhe në 1994 me zyrën e Diaconia Agapes të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, si përfaqësuesi i grupit bamirës “International Orthodox Christian Charities” IOCC (Bamirësia e Krishterë Orthodhokse Ndërkombëtare). Ai erdhi sërish këtë vit në Shqipëri, me mbështetje nga familja e tij dhe nga Arkipiskopata Orthodhokse Shqiptare në Amerikë, si dhe nga IOCC. I kërkuam disa të dhëna e përshtypje nga ky qëndrim:

Erdha në Tiranë në fillim të qershorit dhe qëndrova dy javë. Mora kontaktet në Kryepiskopatë, takova kushërinjtë që kam në Tiranë, shkova në Berat me prindërit të shikoj veprat e Onufrit. Ndenja 5 ditë edhe në Manastirin e Ardenicës, së bashku me nxënësit e Seminarit të Kishës. Pastaj, me ftesë të Protopresviter At Jani Trebickës zëvendës episkopal i Dioqezës së Korçës, fillova punën në këtë Dioqezë.

U kënaqa shumë që do të qëndroja në rrethin e Korçës, pasi aty kam afërsisht rreth 100 kushërinj dhe sepse Korça ka shumë aktivitet nëpër kisha.

Bashkë me At Jani Trebickën dhe të rinj të Kishës shkuam në shumë të kremte dhe në panaire. Gjatë tre muajve që qëndrova atje, shkova në kishat e Korçës, në Zvirinë, Maliq, Ravonik, Çiflik, Mbroje-Drenovë, Boboshticë, Floq (vendi i lindjes së babait të babait tim), Voskopojë, Hoçisht, Borovë, Vithkuq, Dishnicë si dhe në Stratobërdhë (vendi i lindjes së babait të nënës time).

Vizita në Stratobërdhë ishte organizuar nga shqiptaro-amerikanët. Nëntë besimtarët nga Korça, me At Spiro Katundi vajtën dhe meshuan në kishën e Shën Marisë, bashkë me banorët e fshatit. Ishte një ditë e rëndësishme dhe me shumë emocion. Çatia e kishës ishte prishur fare dhe tërë ikonat, altari i shenjtë dhe afresket, gjithashtu ishin të prishura.

Mëngjesorja dhe Liturgjia Hyjnore që kemi bërë jashtë ishin të parat në 42 vjet (d.m.th. asnjë Liturgji Hyjnore që nga viti 1954). Pas Liturgjisë, bëmë lutje në varrin në krah të kishës, ku është varrosur At Llambro. Atë e kanë vrarë turqit në shekullin XIX. Pastaj hëngrëm bukën me banorët e Stratobërdhës.

Në Korçë fillova të jap mësimet fetare në gjuhën shqipe; si fillim me të rinjtë e Kishës. Për mua është pak e vështirë, sepse akoma nuk e kam mësuar mirë shqipen.

Një pjesë të madhe të kohës (në çdo javë) kur isha në Korçë, punova tek Shtëpia e Handikapatëve, që ndodhet afër kishës së Shën Thanasit. Rinia e kishës dhe grupet nga Syndesmos-i kanë qenë atje më parë dhe vijnë herë pas here për të bërë vizita me ata që nuk kanë prindërit dhe njerëz. Çdo vizitë, çdo punë, çdo shprehje e dashurisë së Perëndisë, që është bërë nga të krishterët për ata handikapatë, është ndihma me vlerë më të lartë.

Për mua, kjo kohë që kam qëndruar këtu në bashkëpunim me KOASH-in është shpërblimi më i madh. Lavdi Zotit dhe ju uroj punë të mbarë!