Hirësi, kështu e thërrisnin të gjithë të burgosurit Visarion Xhuvanin, të dënuarit politikë si antikomunist. Me hirësinë e tij jam njohur në burgun e Burrelit, ku kaluam bashkë në qeli disa vite me radhë. Në këto kushte shumë të vështira, ku çdo ditë luhej me torturat dhe vdekjen, njeriu tregon vetitë e tij të mira dhe të këqija, aty shpejt vihen re veset dhe virtytet, optimizmi dhe pesimizmi, e për më tepër bindjet politike.
Visarioni atëherë i kishte lënë të gjashtëdhjetat dhe po shkonte drejt të shtatëdhjetave. Pamja e tij e jashtme qe e përkryer shtatlartë e shpatullgjerë, me një shikim të ëmbël, gjithnjë dashamirës me të burgosurit, veçanërisht me të rinjtë. Flokët e bardhë, mjekra, pamja e vrarë nga torturat, të linin përshtypjen e një shenjti, sidomos kur e shihje në dritën e paktë të qelisë. Zoti kishte harmonizuar pamjen e tij të jashtme të mrekullueshme me shpirtin e tij të madh, me virtytet, dashurinë për njerëzit, optimizmin që kushtëzohej nga bindjet fetare, nga kultura e gjerë dhe përvoja e jetës. Ai argumentonte gjithmonë se e mira ka fituar mbi të keqen, drita mbi errësirën dhe e drejta mbi padrejtësinë. Ky qe një mesazh i vazhdueshëm që ai përhapte midis bashkëvuajtësve, herë me fjalë e herë me shikim, herë me bekimin, por shpesh me sjelljen e vet stoike e të papërkulur.
Tek ai, gjatë 18 vjetëve që qëndroi në burg, mbizotëroi fryma patriotike (ose siç e quante ai, shqiptarizmi). Kjo e kombinuar me bindjet fetare e bënin atë që të qe optimist për vete dhe shpresëdhënës për të tjerët. Qëndrimi dhe bindjet e tij antikomuniste qenë të argumentuara në mënyrë bindëse. Ai e njihte komunizmin si teolog, si njeri me kulturë të gjerë dhe njohës i historisë. E quante komunizmin të përkohshëm, fatkeqësi të njerëzimit, sepse baza teorike e tij qenë lufta e klasave dhe diktatura e proletariatit. Quante të padrejtë mohimin e bindjeve fetare dhe persekutimin e klerikëve, si dhe orvajtjen për të krijuar një fe të re, në krye të së cilës do të qenë udhëheqësit e tyre. Nuk pajtohej me mohimin e lirisë së mendimit dhe të predikimeve, veçanërisht të atyre fetare. Akuzonte si shkaktar të luftës civile dhe të vllavrasjes ideologë shqiptarë që drejtonin atëherë. Ishte i bindur se dikur idetë komuniste do të vdisnin si ide që janë kundër njerëzimit. Ai i ndjente vuajtjet e klerikëve rusë që qenë dëbuar e keqtrajtuar vetëm sepse nuk pranon idetë e bolshevizmit leninist.
Shpesh hirësia fliste edhe kundër fashizmit. Këtë rrymë që kishte pushtuar njerzimin ai nuk e pranonte, gjithmonë i nisur nga bindjet fetare, nga njohja e teologjisë.
Fashizmin dhe nazizmin ai i kishte denoncuar në vitin 1936 në konferencat ndërkombëtare në Angli dhe Zvicër. Nuk pajtohej me idenë e kufizimit të të drejtave të klerikëve dhe luftën që u bënë atyre në Itali dhe Gjermani.
Ajo që na mahniste të gjithëve, ishte optimizmi i tij dhe kujdesi për të rinjtë e burgosur. Shpesh ai thoshte: “Këta janë engjëj që do të përhapin të vërtetën e kësaj errësire, të këtij ferri”. Ai sillej me shumë dashuri ndaj tyre dhe i këshillonte bashkëvuajtësit intelektuale që t’i mbanin pranë. Disa të rinj mësuan prej tij gjuhë të huaja, si frëngjisht, anglisht, greqisht. Sjellja e barabartë dhe dinjitoze ndaj të gjithë të burgosurve e bëri atë një figurë të respektueshme, aq sa të gjithë të dënuarit nuk ktheheshin në qeli pa i puthur dorën e djathtë dhe pa marrë bekimin shpresëdhënës. Nuk dua të kujtoj torturat që i bënin, që kishte vuajtur nga hetuesit në Vlorë dhe në Tiranë. Vetëm një prej tyre duhet t’ua bëj të ditur brezave. Hirësinë e zhvishnin lakuriq dhe e linin shtrirë në çimenton e oborrit të degës së punëve të brendshme në diellin përvëlues të korrikut dhe të gushtit derisa i binte të fikët. Dua të kujtoj dhe dy raste të vogla. Një herë në darkë ai proven supën. Siç ishim në rjesht na thotë: qenka e ftohtë. Për këtë fjalë gardiani ia derdh, duke i thënë shko në qeli të gjesh të nxehtë. Një herë tjetër protestoi për sjelljen barbare ndaj një të riu. Për këtë ndëshkohet të rijë i mbyllur pa tesha në qeli, në çimento. Po të mos zgjatemi me këto, të nënvizojmë optimizmin dhe besimin e tij se dikur e vërteta do të ndriçojë. Mbas shumë vitesh kjo profeci e tij u bë realitet. Unë sot e kujtoj me respekt dhe e quaj me të drejtë figurë të merituar kombëtare. Jeta e Visarion Xhuvanit nuk duhet lënë në harresë, ajo meriton të studiohet dhe të paraqitet ashtu si është në të vërtetë, sepse kështu historisë së kombit tonë do t’i shtohet edhe një faqe e bukur.
Hysni Alimerko
(Marrë nga gazeta “Rilindja Demokratike”)