Ishte shpallur nga Konstandini i Madh (21 maj) dukë dhe komandant për gjithë Afrikën. Dikur u thirr nga perandori Julian Shkelësi (361-363), për ta takuar në Antioki. Mbërriti nga Aleksandria, ndërsa ai torturonte me pesëqind goditje me shkopinj priftërinjtë Eugjen dhe Makario (19 shkurt), të cilët duronin pa rënkuar.
Duke menduar se mos ndofta heshtja e tij do të ishte e barazvlefshme me dezertimin, nga njëra anë ai kontrolloi arrogancën e mbretit, që edhe ai ishte njeri si të tjerët, ndërsa nga ana tjetër shpalli Shpëtimtarin. Mosbesuesi u shastis dhe pyeti kush ishte, sepse nuk e njihte personalisht. E informuan dhe u gëzua, sepse do të hakmerrej për vëllanë e vet Galin, që kujtonte se e kishte ekzekutuar Artemi (atë e kishte vrarë në vitin 354 mbreti bamirës dhe kushëriri i tij Konstandi (337-361), si njeri tinzar). Prandaj, atletin e tendosën dhe e fshikulluan egërsisht, pastaj e futën në burg. Më pas u thirr nga Julian Shkelësi për të bërë flijime, që të shpëtonte, edhe pse sipas mendimit të tij i kishte vrarë të vëllanë. Madje do ta shpallte mëkëmbës të tij dhe kryeprift të perëndive.
Martiri i provoi se s’kishte marrë pjesë në ekzekutimin e të vëllait. Në një diskutim teologjik e mundi renegatin, i cili urdhëroi t’i gërvishin kurrizin me rrodhe dhe t’i shponin brinjët dhe qepallat me ashkla të ndezura. Ai nuk rënkoi dhe prandaj e rifutën në burg pa ushqim dhe pa ujë, por natën pa Krishtin, që e shëroi në çast. Pas 15 ditësh Juliani shkoi në Dafni, rrethinë e Antiokisë, që ishte me famë për florën dhe ndërtimet e saj, në veçanti për Tempullin me statujën e Apollonit, të dëgjuar në mbarë botën. Por, demoni nuk i dha profeci, madje natën një zjarr dogji tempullin. Tirani i zemëruar mbylli kishën e krishterë, sekuestroi enët e shenjta dhe ndërseu idhujtarët kundër besimtarëve. Dhe ata dogjën lipsanët e nderuara të Pararendësit dhe të Shën Eliseut, shkatërruan shtatoren e Zotit, që ishte një kushtim i Shën Veronikës (12 korrik). Gjithashtu, iu dha leje hebrenjve të rindërtonin tempullin e tyre, por ata i ndaluan fatkeqësi vdekjeprurrëse.
Më pas Artemi (= i shëndetshëm) u dërrmua se nga një lartësi i hodhën një gur të rëndë, por të nesërmen u ngrit më këmbë edhe pse i tretur dhe i verbër! Iu pre koka (ndofta më 20.10.362), pasi më parë ishte lutur që përndjekja të zbutej dhe dëgjoi se qysh atë çast do të kishte veti shëruese. Lipsani i tij u dërgua në Bizant. Shëron në mënyrë mrekulluese herniet. P.sh. të sëmurë të ndryshëm e ëndërronin duke i operuar, duke u bërë kryqin ose shjesht, duke u thënë se do të shëroheshin. Njëri që tallej me mrekullitë e tij, pësoi vetë hernie!
Shën Artemi në kohën e Perandorit Konstand (337-361) dhe me lutjen e tij kishte transferuar lipsanët e Shën Andreas dhe Shën Llukait në Kishën e Apostujve të Shenjtë në Konstandinopojë. Disa besojnë se tjetër ishte duka i Aleksandrisë, Artemi dhe tjetër shenjtori ynë.