Ty do të të thërres, o Zot, o Perëndia im;
I veshët mos i mbyll për mua, se po t’i mbyllësh
veshët për mua, do t’u ngjaj atyre që në gropë i
hedhin.
Dëgjoje, o Zot, zërin e lutjes sime kur ty të
falem, kur duart e mia i ngre drejt tempullit tënd
të shenjtë.
Mos më zvarrit bashkë me mëkatarët dhe
mos më humb bashkë me ata që bëjnë padrejtësi
Që për paqe flasin me të afërmit e vet, por
kanë ligësi në zemrat e tyre.
Jepu atyre, o Zot, sipas veprave të veta,
dhe sipas ligësisë së kurdisjeve të tyre; jepu atyre
sipas veprave të duarve të veta; jepu atyre
shpagimin që meritojnë.
Sepse nuk i vlerësuan veprat e Zotit, as
veprat e duarve të tij.
Do t’i rrëzosh ata e më nuk do t’i ngresh.
I bekuar qoftë Zoti, se dëgjoi zërin e lutjes
sime.
Zoti është ndihmësi im dhe mbrojtësi im;
Në të shpresoi zemra ime, dhe u ndihmova; dhe
trupi im u gjallërua, prandaj me gjithë dëshirën
time do ta lavdëroj.
Zoti është fuqia e popullit të vet; dhe është
mbrojtës i shpëtimit për të lyerin e tij.
Shpëtoje popullin tënd dhe bekoje
trashëgimin tënd; dhe kulloti ata e mbroji ata
për gjithë jetën.