EmailFacebookKontakt

Hildo Paul Boss, Holandë, drejtues i Syndesmos

– Ndonjë mbresë rreth konferencës?

– Mendoj se konferenca ishte e suksesshme. Personalisht unë ndiej se vetëm lutja e përditshme na dha fuqinë të punonim së bashku. Unë jam i bindur që ky dialog do të sjellë fryte në të ardhmen.

– Sapo u kthyet nga vizita e Voskopojës?…

– Të shohësh një kishë të përdhosur është një gjë tronditëse dhe e trishtme. Si mundet ndokush ta kryejë këtë gjë? Nga ana tjetër, në diskutimet tronditëse rreth këtij sakrilegji mua më erdhën ndër mend fjalët e Shën Siluan Athonitit: “Nëse ata do të djegin të gjitha librat e shërbesave tona, por ne mbajmë Besimin, do të gjenden shkrimtarë të rinj hyjnorë, që do të krijojnë shërbesat e reja.”

– Eshtë e vështirë të jesh drejtues në Syndesmos?

– Syndesmos është rritur duke pasur tashmë 118 lëvizje anëtare dhe midis tyre ne gjejmë një shumëllojshmëri të pasur këndvështrimesh dhe prirjesh. Detyra jonë është të forcojmë unitetin dhe kuptimin e tyre, se në shtëpinë e Perëndisë ka shumë banesa. Në të njëjtën kohë, duhet të shkojmë më tej se thjesht mbajtja e unitetit (ne nuk jemi një qeveri koalicioni!), ne duhet të gjejmë një vizion që t’i përgjigjet nevojave të të rinjve të lëvizjeve anëtare, në luftën e përpjekjen e tyre për t’i shërbyer Kishës. Në takime si ai në Korçë, është gjithnjë e vështirë për mua të organizoj dhe sillem rrotull, kur do të preferoja të ulesha dhe përfitoja nga prania e pjesëmarrësve. Çdo organizator e njeh këtë problem…