– Cili është Elekiah Kihali?
– Një djalë i thjeshtë shtati i të cilit u rrit nga prindër të përulur në në perëndim të Kenias. U ngrita në besimin orthodhoks nën udhëheqjen e Perëndisë, nëpërmjet Kishës së Tij. Në fillim punova si mësues gjuhe dhe historie për 2 vjet, derisa dhashë dorëheqjen, që të vazhdoja studimet në Seminarin Makarios, duke u diplomuar shkëlqyeshëm në 1989. Pas diplomimit, Kryepiskopi im dhe ati shpirtëror, Anastasi, më pas Kryepiskop i Afrikës Lindore, më krijoi mundësinë për të mësuar në Seminarin Teologjik “Kryqi i çmuar” në SHBA. Aty studiova për titullin Master dhe u diplomova në 1993. Në 1994 fillova studimet për doktoratën në Universitetin e Bostonit, në departamentin e studimeve biblike dhe historike.
– Gjatë diskutimit tuaj përmendet shpesh puna e Kryepiskopit Anastas në Afrikën Lindore. A mund të thoni diçka dhe për lexuesit?
– Kryepiskopi Anastas shërbeu për 10 vjet si Mitropolit i Kryedioqezës së Irinoupolis ose Dar-es-Salaam, nga 1981-91, në një kohë kur Kisha jonë Orthodhokse dilte nga një periudhë e vështirë. Imzot Anastasi filloi menjëherë riorganizimin. Ai krijoi 4 komitete dioqezash, për të administruar katër rajonet e kishës orthodhokse në Kenia dhe me shpejtësi hapi Seminarin, që kishte qenë ndërtuar 10 vjet më parë dhe ishte duke u rrënuar, pa u përdorur. Imzot Anastasi u përkushtua në ngritjen shpirtërore të njerëzve afrikanë, të cilët i donte aq shumë. Por, po kaq shumë ai donte të shihte ngritjen e tyre intelektuale. Kështu, ai dërgoi sa mundi në Seminar, për të studiuar theologji dhe ata që vlerësoheshin si të denjë për priftërinë, u dorëzuan. Disa nga ne, në përfundim të studimeve u dërguan në shkolla jashtë shtetit.
Fortlumturia e Tij, Anastasi, krijoi në Kenia strukturat zinxhir të udhëheqjes së klerit afrikan, për krijimin e një Kishë Orthodhokse Afrikane, të drejtuar nga kleri dhe hierarkia afrikane. Ai dorëzoi një nga studentët e tij afrikanë, Jonah Livanga, si të parin prift afrikan të pamartuar të brezit të tij. Jonah është tani episkopi i Bukobas, Tanzani, pjesë e Kryedioqezës së Afrikës Lindore.
Imzot Anastasi ngriti mjaft kisha prej guri në mbarë Afrikën Lindore. Por arritja më e madhe, ishte aftësia e Tij për të zgjedhur priftërinj të mirë. Kur u largua, kishte dorëzuar më tepër se 60 priftërinj, 7 dhiakonë dhe më tepër se 40 anagnostë, të cilët pritnin për t’u bërë dhiakonë (Në fillim, kur erdhi, ekzistonin më pak se 30 priftërinj në të gjithë Kryedioqezën e Afrikës Lindore).
– Diçka më shumë rreth kishës suaj të Afrikës Lindore.
– Që nga 1995, Uganda u bë Kryedioqezë, me Theodhor Naukyaman, si të parin Kryepiskop afrikan. Në Kenia kisha njeh rritje edhe pse përballet me probleme të shumta. Mjaft nga anëtarët e kishës sonë gjenden në provincën e Nairobit dhe në provincën qendrore. Ky është një rajon i dominuar nga fisi i Kikuyu-t, që përbëjnë maxhorancën e të krishterëve orthodhoksë në Kenia. Këtu do të gjeni mjaft kisha. Rajoni tjetër, ku Kisha Orthodhokse po lulëzon është Nandi, në Kenian perëndimore.
Prej Hirit të Perëndisë njerëzit këtu janë kthyer në një numër të madh në besimin e vërtetë. Rajonet e tjera nuk janë kaq të fuqishme sa këto të dyja, por do të thosha se efektet e tyre misionarikë janë po aq të mira dhe premtuese për ngritjen e së ardhmes.