U gëzuam kur mësuam nëpërmjet Radio-Televizionit e shtypit për gjetjen e Epitafit të Gllavenicës dhe të ikonave të tjera të vjedhura më parë nga Muzeu Kombëtar. Por, ai u pasua menjëherë nga një lajm i keq (si për të vërtetur thënien popullore, që pas gëzimit vjen hidhërimi): Manastiri i “Shën Jo(a)n Vladimirit në Elbasan po privatizohet me faza, nën “kujdesin” e veçantë të drejtorisë së privatizimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komandës të Rep. Usht. Nr. 1060. Kjo, megjithëse Manastiri përbën objekt të rrallë shpirtëror e historik, në kishën e të cilit më 1015 u varros Shenjti, që e kishte ndërtuar vetë. Më vonë ai u rindërtua si manastir nga princi shqiptar Karl Topia, ndërsa në vitin 1690 u krye rikonstruksioni në fbrmën që ka sot – shih “Monumentet” 3/1972 të shkruar nga Inxh. A. Meksi.
Faza e parë e “privatizimit” masiv u krye nga vetë reparti, që konsistoi në heqjen e dyer-dritareve, të pllakave, prishjen e disa mureve dhe përfundoi me vjeljen origjinale të pemëve frutore, duke i shkulur e thyer.
Faza e dytë po kryhet e kombinuar (drejtori privatizimi-repart), duke sistemuar në ndërtesat e manastirit familjarë ushtarakë të pastrehë, të cilëve iu zgjidhet kështu strehimi, duke privatizuar tokën e ndërtesat pronë të Kishës.
Kurse, për ish pronarin (që dihet nga të gjithë që është KOASH), ka mendime nga më të ndryshmet – që të kompensohet me tokë në vend tjetër, duke “iu referuar ligjit”, i cili në këto raste interpretohet sipas dëshirës dhe qëllimeve të zyrtarëve që merren për zbatimin e tij.
Por, s’dimë në ç’mënyrë do t’i kompesohet Kishës Orthodhokse dhe vetë Shqipërisë historia njëmijëvjeçare e këtij Manastiri, e cila është tashmë pjesë e kulturës sonë kombëtare.
Korresp. i “Ngjalljes”