Më 14 shtator, ditën e festës së Ngritjes së Kryqit të Nderuar, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, bëri në Patos përurimin e kishës me të njëjtin emër. Një kishë e re hirëplotë, si një far i bardhë, i vogël, pikëreferimi në horizontin e hapur që e rrethon.
Kisha, e cila është ndërtuar me elemente të parafabrikuara, u përfundua në një kohë relativisht të shkurtër. Ka përmasa 14.4 x 18.50 dhe një sipërfaqe 260 m2. Ajo kushtoi më shumë se 22 milionë lekë të reja, të siguruara nga dhuratat e miqve të Kryepiskopit.
Besimtarët mbushën Kishën dhe oborrin. Eshtë fjala për një enori të re. Ndoshta, shumë nga burrat nuk mundën të vinin, ngaqë ishte ditë pune, ndërsa pjesëmarrja e grave ishte shumë më e ndjeshme. Mjaft prej tyre, të moshuara, sytë e të cilave shkëlqenin nga një gëzim rinor për dhuratën e Perëndisë, pas aq dhjetvjeçarësh pritjeje. Dhe fëmijë, shumë fëmijë, të cilët me qirinjtë e ndezur qëndronin përpara më të mëdhenjve, për të ndjekur ceremoninë e paparë ndonjëherë. Pasi Imzot Anastasi bëri tri herë litaninë e Lipsaneve të Nderuara përreth kishës, dera kryesore e saj, e mbyllur dhe pa njerëz, u hap plotësisht në dëgjimin e tretë “Hapni…”
Duke pasuar Kryepiskopin Anastas, priftërinjtë dhe psaltët, të gjithë, nxituan që të hynin brenda, për të ndjekur vazhdimin e shërbesës, përgatitjen e Tryezës së Shenjtë dhe vendosjen e Lipsaneve të Nderuara në vendin e përgatitur enkas për to. E larë, e mirosur, Tryeza e Shenjtë veshi rrobën e bukur, mbi katasavnin (mbulesën e parë). Tani kandili i pagjumë do të shpërndajë dritën e tij të dridhur, mesazhin e shpresës dhe të ngushëllimit për besimtarët. Siç është tradita, Lipsanet e disa martirëve nga një vend tjetër erdhën që të prehen në këtë dhe të një populli tjetër, që tashmë është i tyre. Ky është karakteri mbarëbotëror i Orthodhoksisë! Erdhën për ta bekuar, për ta shenjtëruar këtë popull në emër të Trinisë së Shenjtë, që të bëhen një me të. “Nuk ka më Judenj as Grekë; nuk ka më shërbëtorë, as të lirë; nuk ka më mashkull e femër, sepse ju të gjithë jeni në Iisu Krishtin” (Gal. 3:28). Pas Lavdërimit të Madh u krye Shërbesa e Ngritjes së Kryqit të Nderuar dhe pas saj Liturgjia Hyjnore. Në predikimin e tij, Fortlumturia e Tij Anastasi theksoi rëndësinë e Kryqit, “llogjikën e re të dashurisë dhe të sakrificës, të mbillogjikshmen që erdhi të na shpëtojë nga absurdja”.
Pak ditë më parë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë vajtoi shkatërrimin e afreskeve shekullore në Voskopojë. Dhe tani kisha ngazëllohet për përurimin e njërës prej shumë kishave të reja, që si lule hyjnore mbijnë në këtë vend të shumëvuajtur.
Lëvduar qoftë emri i Zotit!
Korresp. i “Ngjalljes”