EmailFacebookKontakt

Akt i pashembullt

– Nga intervista e piktorit dhe arkitektit të persekutuar, z. Maksi Velo, dhënë BBC-së. –

Çfarë ju shqetëson nga gjithë kjo ndodhi?

Mua më shqetëson shumë se ky është një akt i pashembullt, d.m.th. kjo dëmtimi i kishave në Voskopojë ngjau vetëm 2 herë. Ngjau në kohën e Enver Hoxhës dhe po ngjet tani nga jeniçerët e Enver Hoxhës dhe nga jeniçerët fondamentalistë. Duhet të kemi parasysh se kjo kishë e ndërtuar më 1696 kishte sivjet 300-vjetorin dhe afreskat janë bërë më 1722, d.m.th. pikërisht në kohën e Perandorisë Osmane.

Gjenitë tanë piktorë ndërtuan në këtë Perandori këto kisha dhe sot në fund të shek. XX i shkatërrojmë, lejojmë më mirë që t’i shkatërrojnë. Duke e ditur mirë që këta njerëz po dëmtojnë gjithandej, si në Elbasan, lejohet edhe në Voskopojë. Domethënë për mendimin tim është një sjellje, zgjedhje e kastiltë, e qëllimtë dhe shaktërrimi është i paramenduar.

Ç’kërkoni nga autoritetet?

E para, njëherë që Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve kanë ngritur padi dhe kërkoj që drejtësia të veprojë me ashpërsinë më të madhe. Duhet që të ndalojë në mënyrë të prerë dhe absolute këto forma të shfaqjes së intolerances, të barbarisë që vijnë nga shkretëtirat e fondamentalizmit, që për ne do të kenë pasoja jashtëzakonisht të rrezikshme, sepse ne kemi qenë njerëz, kemi bashkëjetuar kristianët me myslimanët edhe fakt është që myslimanët që janë tani në Voskopojë i respektojnë kishat dhe ndezin qirinj dhe vijnë këta pikërisht për të vënë minat, pikërisht në këtë mirëkuptim që kemi ne ndërmjet feve që Shqipëria ka qenë gjithmonë një vend i tolerancës dhe i mirëkuptimit fetar.