Nga Deklarata e Komitetit Shqiptar të Helsinkit
Një akt i rrezikshëm intolerance fetare
Komiteti Shqiptar i Helsinkit shpreh sot botërisht shqetësimin e tij për shfaqjen e fanatizmit të dhunshëm fetar që ndodhi kohët e fundit në Voskopojë. Ky shqetësim rritet kur mëson se autorë të këtij akti të paprecedentë janë të rinj dhe se pas tyre qëndrojnë misionarë arabë. Komiteti Shqiptar i Helsinkit mendon se çfarëdo prekje e tolerancës tradicionale fetare, por sidomos ngjarje të tilla me një natyrë tejet provokuese e fanatike, duhet të shqetësojnë këdo, jo thjesht për dëmet e çastit që shkakton, por akoma më tepër për pasojat e rënda që mund të sjellë në të ardhmen.
Edhe më parë Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe të qeverisë për disa shfaqje sporadike të intolerances fetare, por sidomos për veprimtarinë e pakontrollueshme të misionarëve fetarë, zëdhënës sektesh apo konceptesh e vizionesh fanatike e fondamentaliste. Aq më tepër ai ka qenë i shqetësuar nga sinjalizimet për një sërë veprimtarish e veprimesh të disa misionarëve të ardhur nga disa vende arabe të njohura botërisht si baza të fondamentalizmit islamik, me të cilin vendin tonë s’e lidh asgjë. Kjo veprimtari ka si objekt kryesisht fëmijët e të rinjtë, duke përdorur metoda që në të vërtetë s’kanë të bëjnë me islamizmin e vërtetë.
Në një vend si Shqipëria me ekzistencën e tre feve, me një traditë fatmirësisht mirëkuptimi e tolerance, në një rajon ku problemet fetare janë bërë shpesh shkak tragjedish, duhet bërë kujdes i madh që asnjë veprim e bëmë të mos cënojë sadopak ndjenjat e të tjerëve.
Duke përshëndetur me këtë rast qëndrimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, që dënoi me vendosmëri ngjarjen e Voskopojës, Komiteti Shqiptar i Helsinkit i bën thirrje gjithë opinionit publik shqiptar të dënojë çfarëdo shfaqje të fanatizmit e intolerances në fe, i bën thirrje qeverisë të marrë masa sa më të shpejta për të vënë nën kontroll veprimtarinë dhe origjinën e misionarëve të huaj që veprojnë në vendin tonë, për të mos lejuar në asnjë rast që ata të bëhen bartës të farës së huaj të urrejtjes e përçarjes fetare.