EmailFacebookKontakt

Omologjet Haritoni

Omologjet Haritoni (28 shtator)

Profesor shpirtëror i filozofisë monastike. Ishte pasardhës banorësh shpresëtarë të Ikoniosit të Kapadokisë në Azinë e Vogël dhe shquhej për virtytin e tij. Prandaj, në kohën e Perandorit Avrilian (v. 270-275) u arrestua dhe, në vend që të bënte flijime për idhujt, i stigmatizoi ato. Atëhere e shtrinë përtokë të lidhur e të tendosur këmbë e duar dhe e fshikulluan aq shumë, saqë gjysmë të vdekur e hodhën në burg. Pas shërimit të tij të çuditshëm, i dogjën trupin me lambadha. Por shumë shpejt, pas vdekjes së Avrilianit, të krishterët u liruan nga burgu dhe bashkë me ta edhe konfesori. Duke patur etje për jetë eremiti, udhëtoi për në Jerusalem, por ra në duar të hajdutësh të cilët e mbyllën të lidhur në strofkën e tyre. Por, të gjithë vdiqën kur pinë verë të helmuar nga një nepërkë. Eremiti u zgjidh në mënyrë mrekullibërëse dhe u bë zotërues i shpellës dhe i parave të hajdutëve, të cilat ua jep për lëmoshë të varfërve, kurse folenë e tij e kthen në kishë dhe ngre manastir në atë vend të qetë, manastirin e Lavra Faranit. Fama e asketizmit, skamjes, mikpritjes dhe mirësisë së tij afron turmat e idhujtarëve dhe judenjve, të cilët u pagëzuan; madje shumë nga ata u bënë murgj të tij. Ndërkaq, duke ikur nga preokupimet dhe lavdërimet, shkon në një shpellë të Jerihosë, që do të ketë të njëjtin zhvillim: Do të shndërrohej, gjithashtu në manastir. Dhe përsëri igumeni mrekullibërës largohet. Tani shkon në shkretëtirën Suka; dhe përsëri ndërtohet manastir (i tretë)! Më vonë izolohet për pjesën e mbetur të jetës në një shpellë meteore aty afër. Pas lutjeve të tij, aty filloi të buronte ujë, sepse mosha nuk i lejonte të transportonte ujë nga larg dhe as nuk donte që të lodheshin vëllezërit. Paranjohu fundin e vet, që e gjeti në moshë tepër të thyer në Faran (rreth vitit 350), ndërsa ishte i rrethuar nga etërit e tre manastireve të tij. I kishte këshilluar ata me kthjelltësi të skajshme se si ecnin më tej.