Martiret Pistis, Elpis, Agapi dhe Sofia, nëna e tyre (17 shtator)
Sofia (=urtësia) rridhte nga një shtëpi e shquar italiane, por mbeti e ve qysh herët. Rriti me shpresëtari tri bijat e saj, të cilat shquheshin për lulëzimin e rinisë dhe për bukurinë e shpirtit të tyre. Që të katërta u shpërngulën në Romë, ku u denoncuan para perandorit Adrian (117-138), i cili i mori në pyetje e ia dorëzoi senatores për t’i bindur tri ditë rresht, por e ëma u jepte guxim për martirizim. Përsëri lajka dhe kërcënime, por pa rezultat. I veçuan njërën nga tjetra që rezistenca e tyre të dobësohej. E para që iu nënshtrua torturave ishte dymbëdhjetëvjeçarja Pistis (=besa), nga që nuk bëri flijime dhe, për më tepër, ironizoi idiotësinë e paganëve. E goditën egjërsisht me shkopinj, i prenë gjinjtë, e për pasojë të rridhte qumësht, e vunë mbi një skarrë të skuqur dhe në një tigan me vaj dhe zift. Virgjëresha nuk ndjente dhimbje dhe me anë të fuqisë hyjnore mbetej e padëmtuar, gjë që do të përsëritej edhe tek motrat e saj. Së fundi i prenë kokën. Atëherë Sofia u lut që të bëhej nëna e tri martirëve dhe jo vetëm të njërës! Në vazhdim dhjetëvjeçarja Elpis (=shpresa) u fshikullua, u hodh në furrë, u var dhe u shqye me thonj hekuri, u hodh në një kazan me zift dhe rrëshirë të zier. Por, kazani shkriu dhe u përvëluan idhujtarët. Pasi iu pre koka edhe asaj, iu nënshtrua torturave nëntëvjeçarja Agapi (=dashuria), se mos shpëtonte sadopak prestigji i Adrianit që qe goditur nga vajzat e pafuqishme dhe të mitura… E varën të lidhur fort dhe e rrahën gjersa iu thyen kyçet. I përgatitën një furrë dhe martirja u hodh vetë brenda dhe atëherë u shfaqën engjëj për ta mbrojtur. Ndërkohë flakët u lëshuan dhe dogjën perandorin e të tjerët, të cilët megjithëse të stepur, e shpuan me hell dhe më pas i prenë kokën. Nëna heroinë varrosi të bijat dhe ditën e tretë fjeti edhe ajo, ashtu siç ishte lutur mbi varrin e vajzave të saj.