I Davidit, para mirosjes.
Zoti është ndriçimi im dhe shpëtimtari im; nga kush do të trembem? Zoti është mbrojtësi i jetës sime; nga kush do të kem frikë?
M’u afruan të këqinjtë që mishin tim ta hanë.
Kundërshtarët e mi dhe armiqtë e mi, vetë u lëkundën e ranë; edhe ushtri në daltë kundër meje, zemra ime frikë nuk do të ketë; edhe luftë në u ngrittë kundër meje, edhe atëherë do të shpresoj.
Një gjë i lypa Zotit, dhe këtë do ta kërkoj: që të rri në shtëpinë e Zotit gjithë ditët e jetës sime, që bukurinë e Zotit të shikoj dhe të vizitoj tempullin e tij të shenjtë.
Se në tendën e tij më fshehu ditën që kisha keq, më mbrojti në vendin më të fshehtë të tendës së vet, lart më ngriti si mbi shkëmb.
Dhe tani sa lart e ngriti kokën time, mbi armiqtë e mi.
Në tendën e tij përqark erdha dhe i solla therorë lavdërimi e brohorie. Zotit do t’i këndoj e do t’i psal.
O Zot, dëgjoje zërin tim, me të cilin ty të thirra, dhe përdëllemë, dhe dëgjomë.
Zemra ime ty të tha: Do të kërkoj Zotin. Të kërkoi fytyra ime; do ta kërkoj, o Zot, fytyrën tënde.
Mos hiq nga unë fytyrën tënde, tej mos e hidh në zemërimin tënd shërbëtorin tënd.
Bëmu ndihmës, mos më lër, mos më braktis, o Perëndi, shpëtimtari im.
Se im atë dhe nëna ime më braktisën, dhe Zoti më priti.
O Zot, mësoma rrugën tënde, dhe në shteg të drejtë më udhëhiq, për shkak të armiqve të mi.
Mos mëjep në mëshirë të armiqve të mi; sepse janë ngritur kundër meje dëshmitarë të padrejtë, dhe padrejtësia e tyre e gënjeshtërt qe me të vërtetë.
Besoj të shoh të mirat e Zotit në tokën e të gjallëve.
Shpresë tek Zoti. Ji i fortë dhe zemra jote u forcoftë, dhe tek Zoti shpreso.
Lavdi Atit… Tani… Aliluia.