Të mësojmë lutjet tona
Si e vlerësojnë Psaltirin Etërit e Shenjtë
Shën Vasili i Madh: “I gjithë Shkrimi i Shenjtë është i inspiruar prej Perëndisë dhe është shumë i dobishëm, prandaj është shkruar prej Shpirtit të Shenjtë, që secili të gjejë në të shërim të dobësive të tij shpirtërore. Mirëpo, Libri i Psalmeve përmban gjithçka që na paraqesin librat e tjera të shenjta. Ai profetizon për të ardhmen dhe na kujton ato që kanë ndodhur; jep ligje për jetën dhe rregulla për sjelljen. Ai është thesar i përbashkët mësimesh të dobishme. Ai edhe plagët e vjetra të shpirtit i shëron, kurse plagëve të reja u jep mjekim të shpejtë… Psalmi është qetësim i Shpirtit, dhurues paqeje, sepse ai qetëson mendimet e trubullta dhe kërcënuese, zbut trubullimin e shpirtit dhe i vë fre tërbimit pafre. Psalmi është bashkim i përçarjes dhe pajtim i armiqësisë, sepse kush mund ta konsiderojë armik të tij atë, me të cilin është falur bashkë te Perëndia në të njëjtën shoqëri besimtarësh? Psalmi është armë kundër frikës natën, çlodhje kundër demonëve, shlodhje për punën e përditshme. Gjithashtu, ai është roje e fëmijëve dhe stoli për të rinjtë, ngushëllim për pleqtë dhe ushqimi më i sliijshëm për gratë. Psalmi është që mbush me njerëz shkretëtirën dhe qetëson mbledhjet zhurmuese. Për fillestarët është fillimi i mësimit; për më të përparuarit në mësim, është zgjerim njohurish dhe për ata që kanë mbaruar është përforcim. Psalmi është zëri i Kishës, ai i bën kremtimet e saj të shkëlqejnë. Psalmi bën të derdhë lotë edhe një zemër prej guri. Psalmi është dhoksologjia e engjëjve dhe temianicë shpirtërore”… (Bisedë mbi Psalmet).
Shën Athanasi i Madh: “Ai që lexon librat e tjera të shenjta, ai thotë ato që janë shkruar atje jo si fjalë të veta, po si fjalë të njerëzve të shenjtë ose të atyre, për të cilët ata flasin. Po, ai që lexon psalmet, ai – gjë vërtetë e çuditshme – thotë ato që janë shkruar, sikur janë fjalë të tij, i këndon sikur të jenë shkruar prej tij ose për të; i lexon dhe i kupton sikur të jenë bërë prej tij vet. Fjalët e psalmeve shërbejnë për atë që i këndon si një pasqyrë, në të cilën ai shikon lëvizjet e shpirtit të tij dhe duke i thënë fjalët i ndjen sikur burojnë prej qenies së tij. Kështu që, o bir, më thoshte njëherë një plak, duke mbajtur në dorë Librin e Psalmeve, çdo njeri që lexon këtë libër, duhet të pranojë çdo gjë që është në të, të shkruar nën frymëzimin hyjnor. Sepse, unë mendoj, që në fjalët e këtij libri është peshuar dhe pikturuar në fjalë gjithë jeta e njeriut, gjithë lëvizja e mendimeve të tij dhe se, veç atyre që janë pikturuar në psalmet, asgjë më tepër s’mund të gjesh më te njeriu. Në pastë ndonjë nevojë për pendim dhe ndjesë, nëse është pushtuar ndonjëri nga dëshpërimi ose nga ndonjë vuajtje, nëse ndonjë është i hidhëruar dhe i shqetësuar, apo dhe e kundërta, nëse ndonjë e sheh veten në fitore dhe armiqtë e tij të dërmuar, nëse dëshiron ndonjë të lavdërojë, të madhërojë dhe t’i këndojë Perëndisë; për të gjitha këto raste, njeriu gjen këshilla tek psalmet hyjnorë. Atij s’i mbetet gjë tjetër, veçse të zgjedhë ato që thuhen në psalmet për secilin rast nga të sipërmet dhe t’i lexojë këto si të shkruara aposafat për atë që i lexon, duke e quajtur veten në të njëjtën gjëndje shpirtërore me ato që janë shkruar. “Prandaj, Libri i Psalmeve në kohët e vjetra të Krishtërimit qe libri më i përdorshëm ndërmjet të gjitha librave të shenjta”