EmailFacebookKontakt

Të duash të tjerët

Vithkuq 1996

“Të duash të tjerët”

Kishte kohë që në kokat e secilit të rinjve të lidhjes sonë ziente ideja për zhvillimin e një kampingu lokal, në një nga zonat e bukura të rrethit tonë. Dëshira për këtë ishte aq e madhe saqë s’kishte bisedë që ky kamping mos zihej në gojë.

Dhe ja më në fund, me bekimin e Perëndisë dhe të Kryepiskopit Anastas si dhe nën drejtimin e at Jani Trebickës, nisi ky kamping aq i mirëpritur nga të gjithë.

Nuk mund të përshkruhet me fjalë entuziasmi, gëzimi, hareja dhe vrulli i të rinjve ditën e parë të kampit. Të gjithë punonin për të sjellë pajisjet e nevojshme në vendin e zgjedhur për të bërë kampingun, që ishte një majë mali e veshur gjithandej me një pyll të dendur, ku ndodhej dhe një kishë e vjetër e Shën Ilisë.

Vendin kryesor në program e zinin Shërbesat e Shenjta dhe bisedat shpirtërore që bëheshin nën dritën e zjarrit që ndizej çdo mbrëmje. Për të provuar dijet e gjithësecilit u bënë edhe konkurse në Dhiatën e Vjetër dhe në Dhiatën e Re, pa lënë pas një dorë edhe lojrat argëtuese. Por, pa dyshim, gjëja më e veçantë ishte ngritja e një kryqi rrëze një pllaje. Hapësirës midis malit dhe qiellit iu shtua edhe ky kryq, simbol i shpëtimit tonë, shpëtim që kërkon përparimin tonë në virtyt, mungesën e plotë të egoizmit, përpjekjes për shenjtëri dhe mbi të gjitha kërkon fitimin e një dashurie pa interes.

Të duam të tjerët, sepse Perëndia na do ne. “Sepse Perëndia e deshi aq botën sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Joan 3:16).

Ky mesazh përshkoi edhe kampingun tonë të vogël të ngritur majë malit atje ku njeriu më shumë se në çdo vend tjetër është më pranë Perëndisë.

Gjergji Grosi