Korçë
Konferencë e SYNDESMOS
Me bekimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, nga 2-9 shtator u zhvillua në Korçë konferenca për trainim, shkëmbim përvoje midis të rinjve orthodhoksë, e cila organizohet prej “SYNDESMOS” botëror. Morën pjesë të rinj nga të katër dioqezat, si dhe të rinj orthodhoksë nga Anglia, Greqia, Finlanda, Franca, Kenia, Rumania dhe Spanja.
Më gjerë për këtë aktivitet do të shkruajmë në numrin e ardhshëm të gazetës.
Athinë
Asamble e Rinisë Orthodhokse Ballkanike
Organizata Rinore Orthodhokse Ballkanike (BOYA) zhvilloi Asamblenë e Dytë të Përgjithshme të saj nga data 19-26 gusht në Envagjilistia, pranë Athinës. Të rinj, të ardhur nga Greqia, Shqipëria, Bullgaria, Rumani, Rusia, Finlanda etj, përjetuan të qenit gjymtyrë të një trupi të vetëm, i cili është Iisu Krishti.
Punimet u hapën me raportin e bordit drejtues për punën e bërë që prej Asamblesë së Pare, e cila u mbajt në Jash të Rumanisë më 1993. Më pas u pranuan në BOYA organizata të reja që dëshirojnë bashkëpunimin, si dhe u diskutua për disa nene të Statutit. Zgjedhjet do të ishin pika finale e punimeve të Asamblesë ku u zgjodhën Presidenti i Organizatës nga Bullgaria, Sekretari i Përgjithshëm nga Greqia etj. Z. Andi Nikolla u rizgjodh si zv/President, ndërsa si sekretar rajonal Andon Merdani.
Korresp. i “Ngjalljes”