“Të na kthehen pronat, për të mos pasur më probleme të ngjashme”
Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë
Zotit Aleksandër Meksi,
Ne anëtarët e Shoqatës “Rilindja e Voskopojës”, të mbledhur për të vlerësuar aktin barbar fondamentalist të kryer disa ditë më parë në kishën e Voskopojës, shkatërrimin e 24 afreskeve rreth 300-vjeçare, ndërkohë që e dënojmë rëndë atë, e shohim detyrë patriotike t’u drejtohemi Juve për sa më poshtë:
Ka disa vjet që, duke shfrytëzuar ish kampin e punëtorëve në Voskopojë, arabë të dërguar nga shtete të ndryshme islamike, organizojnë “seminare” me fëmijë dhe të rinj të mbledhur nga anë të ndryshme të Shqipërisë. Mirëpo shpejt u kuptua se nuk ishte fjala thjesht për “seminar”, por në radhë të parë për të sulmuar qendrën më të rëndësishme të orthodhoksisë shqiptare, zemrën e kulturës orthodhokse, të sendezuar në qindra afreske dhe ikona nga më të rallat, që përmbajnë kishat e Voskopojës. Jemi vënë në dijeni se ata, kapnin fëmijët që kishin kryq në qafë e përpiqeshin t’ua hiqnin, duke i tallur në forma nga më të ndryshme; në forma demonstrative organizonin falje, që më shumë ishin provokacione; kanë hapur fjalë se në Voskopojë do ndërtojnë xhami; kanë kërcënuar se “priftit do t’i ruajmë mjekrën” etj. Të gjitha këto flasin se shkatërimi i afreskeve nuk është një incident i rastit, por një strategji që synon rënimin e qendrës më të madhe të orthodhoksisë dhe të kulturës së lashtë të saj dhe të vetë popullit tonë.
Presidenti Berisha premtoi për t’ia kthyer pronat kishave, por deri tani pak është bërë. Për shkak të mungesave financiare shtetërore s’po bëhet restaurim serioz i tyre. Në këto kushte kishat janë duke u rënuar. Kur në emër të Shoqatës u interesuam për këtë dëm që vjen nga pamundësia e mbrojtjes nga shteti, si zoti Klito Kallamata në Korçë dhe zoti Valter Shtylla në Tiranë, na thanë se nuk kemi para as për të paguar dietat, pale të ndërmarim punime restaurimi masive siç e kërkon nevoja. Jemi dhe të punojmë për një vijim të tolerancës dhe bashkëjetesës reciproke fetare në Shqipëri, por me kusht që të dënohet zyrtarisht dhe faktikisht kjo vepër paprecedent në historinë mijëravjeçare të popullit tonë. Mirëpo, në qoftë se Mustafa Arapi, punonjës shkencor dhe shef i restaurimeve të monumenteve të kishës vë shenjën e barazimit me autoritetet e 40-vjetëve të komunizmit, gjithçka nga kujdesi i shtetit për kishën ka mbaruar.
Përballë kësaj gjendjeje kërkojmë:
1. Të vejë në vend premtimi i Presidentit që pronat t’u kthehen kishave dhe kjo duhet bërë sa më parë për të mos pasur më probleme, si agresioni i tanishëm i fondamentalistëve islamikë mbi kulturën orthodhokse shqiptare.
2. Të ndalohet çdo grumbullim i fondamentalistëve islamikë në Voskopojë, kur dihet se Voskopoja ka qenë dhe është qendër e orthodhoksisë shqiptare. Në rast të kundërt do të merret thjesht si vazhdim i provokimeve të islamizmit fondamentalist.
Shoqata “Rilindja e Voskopojës”, e mbështetur në shembullin e një shoqate analoge të themeluar para v. 1930, në statutin e saj ka edhe pjesëmarrjen në të të anëtarëve me fe myslimane. Kjo ka arsyet e veta historike. Në kishat e Voskopojës gjithnjë kanë qenë të pranishëm edhe banorë të fesë myslimane. Kjo tregon më së miri emancipimin kulturor dhe fetar të dëshirës për bashkëjetesë fetare të kësaj shoqate. Kjo Shoqatë është në përpjekje të sigurojë edhe fonde për të çuar sado pak përpara rilindjen e Voskopojës. Po u lutemi dhe njëkohësisht kërkojmë me këmbëngulje të ndërhyni për të mos u prishur ajo që ka mbetur në Voskopojë dhe që nuk mund të ripërtërihet më.
29 gusht 1996
Me respekt,
Për përfaqësinë e Shoqatës
Nikolla Simaku