Voskopojë – shfaqje e paprecedent intolerance
Këmbanë alarmi për të gjithë
– Kishat me vlerë historike, shteti demokratik duhet urgjentisht t’ia kthejë plotësisht Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. –
Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi, deklaroi:
“Kjo ngjarje e pabesueshme, e shkatërrimit të 23 afreskeve të rralla të një kishe historike të Voskopojës, monument kulture për gjithë Shqipërinë dhe Evropën, që u krye, madje, nga studentë të një shkolle fetare, është këmbanë alarmi për të gjithë, se fanatizmi fetar mund të shfaqet rrezikshëm edhe në Shqipëri.
Është tragjike se afreske të mrekullueshme kristiane, të cilat janë respektuar në periudhën më të errët ateiste, po shkatërrohen në kohën e demokracisë. Gjithashtu, kjo “ndërrmarrje vrasëse” gjakftohtë vërteton se sa të pambrojtur janë, madje edhe shenjtorët, në pasqyrimin e tyre artistik, nga urrejtja dhe prania e fanatikëve, por edhe nga indiferenca ose pamundësia e organeve kompetente për të mbrojtur thesarët fetarë. Kishat me vlerë historike, që përbëjnë pasurinë tonë kishtare më të rëndësishme, shteti demokratik duhet urgjentisht t’ia kthejë plotësisht Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila i ka krijuar dhe i ka mirëmbajtur besnikërisht në shekuj.”
28 gusht 1996