Në Strasburg u zhvillua para disa kohësh një bisedë rreth at Aleksandër Men, prift moskovit bashkëkohor në një spiritualitet të madh, dëshmitari i një orthodhoksie të hapur dhe rrezatuese. Pjesëmarrësit evokuan aspektet e ndryshme të jetës dhe të punës të këtij prifti të vrarë më 1990 në rrethana të pandriçuara.
I lindur më 1935, në një familje çifute të inteligjencies moskovite, Aleksandër Men, i edukuar nga e ëma, u kthye në orthodhoksi, tek dashuria e Krishtit dhe e Kishës së Tij. Biolog si studime, vendosi të studionte teologjinë dhe u bë prift në vitin 1958, në periudha të vështira për Kishën. Për rreth 30 vjet at Aleksandër Men u mënjanua në rrethinat e Moskës dhe iu nënshtrua një presioni të vazhdueshëm nga KGB-ja për shkak të veprës e tij baritore dhe veprave të tij të edukimit të krishterë, që shpërndaheshin fshehtas dhe më pas të publikuara edhe në Perëndim. Ai ndryshoi jetën e enorive të vogla ku u merrnin pjesë shumë bij të tij shpirtërorë, të cilët i kishte konvertuar dhe pagëzuar, sidomos midis intelektualëve moskovitë, shkrimtarëve, artistëve, kineastëve etj.
Vetëm falë ndryshimeve që po ndodhnin në BS në dy vitet e fundit të jetës së tij at Aleksandri pati mundësinë ta shpërndante besimin e tij lirisht. Ai ndërhynte në Moskë përpara auditorëve nga më të ndryshëm – televizion, shkolla, klube punëtorësh, takime intelektualësh – për të folur për besimin e krishterë, për problemet e etikës dhe të shoqërisë, të kishës dhe të kulturës. Mbase kjo bëri që të binte shumë në sytë e armiqve të tij dhe atje duhet kërkuar arsyeja e vrasjes më 9.9.1990.