Lindi më 1920 në fshatin Libofshë në një familje shpresëtarësh orthodhoksë. Pasi u martua, u hirotonis prift. U caktua për të shërbyer në kishën e Shën Marisë në Ndërnenas, Fier. Krahas shërbimit në Kishën e Shën Marisë, meshonte edhe në kishën e Shën Marinës, kishë shumë e vjetër, që u rrënua nga rregjimi ateist.
Erdhi edhe viti i fitores së Demonit. As At Dhimitër Prifti, as At Jorgji Tashi, që meshonte në kishën e “Shën Gjergjit” të Libofshës, nuk pranuan të hiqnin mjekrat. At Dhimitrit i shkuan tre vetë të ngarkuar nga Partia në fshat që t’i rruanin mjekrën. Por, prifti, pasi u dha kafe e raki e pasi i ftoi të rrinë për drekë, kur mori vesh se ata donin t’i rruanin mjekrën, i përcolli butësisht jashtë oborrit të tij. Më pas si u detyrua t’i hapë udhë prapësisë demoniake komuniste, hoqi mjekrën, por u mbyll në shtëpi e u plak përnjëherë. Por, shpresën tek Zoti nuk e hoqi kurrë. I kujdesshëm me njerëzit që satani nuk u kishte rrëmbyer shpirtin, propagandonte Ungjillin. Por, sytë e demonit ishin kudo. E diktuan dhe mblodhën fshatarët e enorisë në kishën e Shën Marisë dhe e “demaskuan”. Shanë Zotin Krisht e shenjtorët. E kërcënuan me burgim e internim. Në fund i thanë:
– Çohu, Dhimitër Prifti dhe bëj autokritikë për këto poshtërsi që ke bërë. Do të na biesh përsëri kohën e kishave, por ajo kohë ka perënduar njëherë e përgjithmonë.
Dhe prifti zemërmadh u ngrit e tha: O At! Fali, se nuk dinë, se ç’bëjnë.
Demonët komunistë që nuk dinë se ç’është falja e zemërmirësia, qeshën u tallën dhe e kërcënuan.
– Kur të hapen kishat, unë nuk do të jem gjallë, – u përgjigj ai.
Kjo i tërboi ata dhe e kërcënuan me burg.
Prifti i urtë, që atë ditë u mbyll në shtëpi e nuk doli më.
Po u vinte fundi ditëve të demonit. At Dhimitri ishte i sëmurë rëndë. Kur e pa se në këtë jetë çastet i kishte të numëruara, mblodhi të bijtë dhe u tha:
– Dëgjoni bijtë e mi! Së afërmi do hapen kishat.
Bijtë hapën sytë. “Mos po flet përçart?
– Mirë, baba, qetësohu tani, – i thanë ata.
At Dhimitri sikur nuk dëgjoi, por me sytë tek ikona e fshehur, vazhdoi:
– Do të hapen kishat, po unë nuk do të jem gjallë t’i shoh. E Perëndisë u bëftë!
Dhe vërtet, pas pak kohësh doli vendimi për hapjen e kishave. Demoni u shporr nga jeta jonë.
Pandeli Zaka